Në orën 19:00 janë mbyllur zyrtarisht qendrat e votimit në 6 bashkitë e vendit. 654,538 qytetarë shqiptarë kishin mundësinë të zgjidhnin sot se kush do e drejtojë bashkinë e tyre në Dibër, Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime në 6 bashki ishte 30.33%. Ndërkohë, gazetarët e terrenit raportojnë për Faktoje se procesi ka qenë i qetë, ndërsa aktualisht materialet zgjedhore jane nisur drejt KZAZ për të vijuar me procesin e numërimit.
Pjesëmarrja në votime sipas KQZ-së
Shkodër
Mbi 38 mijë qytetarë në Shkodër iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Sipas të dhënave të KQZ, pjesëmarrja në votime në kryeqendrën e Veriut ishte 29,11%, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit rezultonte 41.53%.
Më herët, gjatë një njoftimi për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi njoftoi anulimin e procesit të votimit në Pult dhe Shosh, pasi për shkak të kushteve atmosferike, qendrat e votimit nuk arritën të hapeshin në kohë. Kjo konfirmohet edhe nga gazetarët e Faktoje në terren.
Dibër
Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet për Bashkinë e Dibër ishte 43.35% këtë të diel, duke regjistruar edhe pjesëmarrjen më të lartë, krahasuar me bashkitë e tjera. Mirëpo, një vit më parë, pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 53.01%. Ndërkohë, kutitë e votimit janë nisur drejt KZAZ, ku pritet të fillojë procesi i numërimit. Më herët, Faktoje raportoi se procesi nisi me vonesë në disa qendra votimi për shkak të reshjeve të borës që prej pasdites së të shtunës. Vështirësi u hasën në njësinë Administrative Lurë dhe Selishtë për shkak të rrugëve të bllokuara dhe në disa raste të mungesës së energjisë.
Lushnjë
Lushnja ka regjistruar këtë të diel pjesëmarrjen më të ulët ndër vite në votime, me 35.96%. Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, pjesëmarrja në votime ka qenë 46.95%. Gazetarët tanë në terren raportojnë se kanë mbërritur edhe kutitë e para të votimeve pranë KZAZ-ve. Pritet që rreth orës 23:00 të mbrëmjes së sotme të nisë edhe procesi i numërimit të votave.
Durrës
Brenda orarit zyrtar është mbyllur edhe procesi i votimit në Durrës, me një pjesëmarrje në zgjedhje prej 26.27%. Krahasuar me një vit më parë, kemi një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes në zgjedhje, ku raportohej në nivelet e 42.48%. Në ambientet e jashtme të qendrave të votimit në qytetin bregdetar pas mbylljes së procesit ishin të pranishëm edhe efektivët e policisë. Në Durrës procesi i votimit është shoqëruar me prolematika veçanërisht në QV 1461/1 ku do të votonte kandidatja Emirjana Sako, kjo pasi pajisja e indetifikimit elektronik pati probleme. Menjëherë më pas është dërguar nga KQZ një pajisje tjetër për të bërë zëvendësimin në mënyrë që procesi të mos ngadalësohej. Ky ndryshim u bë i ditur edhe nga një njoftim i kreut të KQZ Ilirjan Celibashi në një njoftim zyrtar nga ky institucion.
Rrogozhinë
Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet për kryebashkiakun e Rrogozhinës ishte 30.92%. Raportohet se procesi zgjedhor ka vijuar pa incidente, ndërkohë nuk ka nisur ende procesi i numërimit të kutive të votimit. Në 25 prill 2021, pjesëmarrja në zgjedhje në Rrogozhinë ishte 43.77%.
Vorë
Vora është e vetmja Bashki ku u zhvillua votimi elektronik dhe rezultatet dolën brenda pak orëve. Sipas KQZ-së, kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera, do të jetë kryetari i ri i Bashkisë së Vorës me 7530 vota. Kandidati Lulzim Vrana nga “Shtëpia e Lirisë” arriti të marrë 2589 vota. Ndërsa Ymer Marku i PD, 687 vota.
Sipas të dhënave të KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje në këtë Bashki ishte 40.33%, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të një viti më parë ishte 54.9%.