BallinaAktualitetZgjedhjet e pjesshme vendore, çfarë po ndodh me procesin zgjedhor në 6 bashki

Zgjedhjet e pjesshme vendore, çfarë po ndodh me procesin zgjedhor në 6 bashki

Prej orës 7:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit, i cili pritet të mbyllet në orën 19:00. Sipas, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 654,538 shtetas me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Pjesmarrja në votime për të 6 bashkitë, deri në orën 10:00 është në nivelin 6.95%, ku kanë votuar rreth 30.103 zgjedhës.

Shkodër

Në bashkinë e Shkodrës nisi procesi për afro 170 mijë qytetar me të drejtë vote. Në zonat malore të Dukagjinit, në fshatrat Shosh, Pult Shalë, procesi i votimit nisi me vonesë për shkak të kushteve atmosferike, rrugëve dytësore të bllokuara dhe avarive me energjinë elektrike.

*Qendër votimi në fshatin Shoshë

*Qendër votimi në Shkodër

Në Dukagjin për shkak të reshjeve të dëborës rrugët janë bllokuar si pasojë komisionerët janë vonuar.

*Komisionerët në Dukagjin

Gazetarët e terrenit raportojnë për Faktoje se në QV 0092 Pult, anëtari i emëruar i Partisë Demokratike nuk pranoi të marrë detyrën, ndërsa  KZAZ nr 2 nuk doli  me vendim për zëvendësimin e tij ose kalimin e vulës tek partia tjetër opozitare për fillimin e proçesit zgjedhor. Për këtë problematikë u informuar edhe KQZ-ja.

 

Lushnje

Pjesëmarrja në votimet e pjesshme për kryetar bashkie në Lushnje deri në mesdite raportohet se është në shifrën 12 %. Nga 157 qendra votimi, në paktën 11 qendra votimi janë hapur një orë me vonesë per shkak te problemeve me paraqitjen e disa komisioniereve, por edhe problemeve teknike me pajisjet e materialeve zgjedhore. Në Lushnje janë të regjistruar me të drejtë vote rreth 105 mijë votues.

*Qendër votimi në Lushnje

Dibër

Procesi nisi me vonesë në disa qendra votimi për shkak të reshjeve të borës që prej pasdites së të shtunës. Vështirësi u hasën  në njësinë Administrative Lurë dhe Selishtë për shkak të rrugëve të bllokuara dhe në disa raste të mungesës së energjisë. Deri në orën 9:00 interesi për të votuar ka qenë i ulët.

Durrës

Në Durrës procesi i votimit është shoqëruar me prolematika veçanërisht në QV 1461/1 ku do të votonte kandidatja Emirjana Sako, kjo pasi pajisja e indetifikimit elektronik pati probleme. Menjëherë më pas është dërguar nga KQZ një pajisje tjetër për të bërë zëvendësimin në mënyrë që procesi të mos ngadalësohej. Ky ndryshim u bë i ditur edhe nga një njoftim i kreut të KQZ Ilirjan Celibashi në një njoftim zyrtar nga ky institucion.

*Qendër votimi në Durrës

 

Vorë

Në 44 qendra që janë në bashkinë e Vorës, procesi i votimit vijon normalisht, sipas KQZ, por Partia Demokratike pretendon se komisionerët e PS dhe ata të Shtëpisë së Lirisë  bashkuan votën me anëtarët e LSI-së, duke refuzuar të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve të marrë gjatë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD-së dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit.  Ngërci qëndron se 22 komisionerët e përcaktuar nga PD, nuk kanë vendbanim në Vorë, një prej kriteret e kërkuara, Aktualisht në këto qendra po votohet me 4  komisionerë, që është dhe minimumin që lejon ligji.

Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, ndërkohë që kryekomisineri Ilirian Celibashi ka vizituar vetë KZAZ në Vorë, për t’u informuar më shumë për problemtikën.

Rrogozhinë

Procesi i votimi ka nisur normalisht në Rrogozhinë, aktualisht votohet në 53 qendra votimi dhe numri numri i përgjithshëm i votuesve është 32.236.

 

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka reaguar lidhur me situatën deri më tani të procesit të votimit në 6 bashki. Sipas Celibashit moti i keq ka shkaktuar disa problematika në Shkodër dhe në Dibër. Ai ka sqaruar se në Shkodër konkretisht në Shosh dhe Pulti, ka qenë problematika e dëborës që ka penguar nisjen e votimit, ndërsa në disa fshatra të Dibrës ka pasur mungesë energjie.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img