Pretendimi: Festivali ekologjik lë pas mbeturina në plazhet spanjolle
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Pas çdo organizimi në mjedise të hapura, ndodh që njerëzit të jenë më të shkujdesur me mbeturinat që lënë pas. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në një festë tradicionale në qytetin spanjoll të Malagës në 24 qershor. Por këto foto mbeturinash në një plazh të qytetit janë ndarë në rrjet me pretendimin se janë pasojë e një festivali të organizuar nga ekologjistët. Sigurisht, duke tentuar të vënë në lojë përpjekjet e autoriteteve dhe organizatave të gjelbërta.
Videoja e shpërndarë nga një përdorues shqiptar tregon një bregdet të mbushur me qese apo mbeturina dhe shoqërohet me postimin me nota ironike: “Qyteti spanjoll i Malaga organizoi një festival në mbrojtje të ekologjisë. Kjo është ajo që mbeti pas. Fatmirësisht ishte një festival ekologjik”.
Foto e plazhit me mbeturina
Faktoje bëri një kërkim me motorrin e kërkimit të Google image dhe verifikoi se pretendimi për një festival ekologjik është i pasaktë. Mbeturinat në plazh janë pasojë e festës tradicionale të San Juan, apo solsticit veror, të celebruar në 23 qershor në Malaga.
Mbrëmja e mesit të verës, e quajtur më vonë Nata e San Juan, është një festë e hershme pagane. Njerëzit bënin zjarre dhe kërcenin rreth tyre për t’i dhënë më shumë forcë Diellit dhe për ta mbajtur atë më gjatë mbi Tokë. Nata e San Juan është solstici veror; që nga ajo natë paraprakisht ditët do të bëhen më të shkurtra deri në solsticin e dimrit.
Rituali i ndezjes së zjarrit, pjesë e festës tradicionale San Juan
Mijëra banorë dhe turistë u mblodhën në plazhin e “La Malagueta” duke pritur lindjen e diellit nën tingujt e muzikës dhe fishekzjarreve. Fotot që janë publikuar në mediat spanjolle dhe ndërkombëtare i përkasin mëngjesit të nesërm. Kompania komunale e pastrimit, Limasam, punoi intensivisht në plazhet e qytetit Malaga që nga ora 5:30 e mëngjesit, duke mbledhur mbeturinat e mbetura nga festimet e natës së mëparshme.
Punëtorët duke pastruar bregdetin mëngjesin e 24 qershorit
Për të adresuar këtë problem dhe për të promovuar një mjedis më të pastër, këtë vit organizata të ndryshme, së bashku me këshillin e qytetit, kanë ngritur ndërgjegjësimin për nevojën për të mbajtur plazhet të pastra. Kjo përfshin fushata edukative dhe shpërndarje informacioni mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit gjatë festimeve publike, duke inkurajuar pjesëmarrësit të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj mbeturinave të tyre.