“Një lajm i madh” i prezantuar nën figurën e Alfred Cakos në portalin Media News, rezulton të jetë thjesht një titull sensacional për horoskopin e ditës. “Faktoje” verifikoi se titulli i lajmit nuk ka asnjë lidhje me tekstin në brendësi dhe kjo bëhet me qëllim nga mediat online për të tërhequr klikime.
————————————————————————————————————-
Alfred Cako tërheq gjithmonë vëmendjen e lexuesve me teoritë dhe analizat e tij konspiracioniste. Pikërisht, duke shfrytëzuar këtë interes online, emri dhe fotografia e Cakos përdoret nga portalet për të tërhequr klikime. I tillë është rasti i një “lajmi të madh”, të publikuar në 25 janar publikuar nga portali “Media News”.
“Kush e pèsoi, e pèsoi”! Alfrèd Cako nxjerr lájmin Nám, trègon per pasojat qe do vijne”, është ky titulli që shoqërohet me një foto të ndarë në dy pjesë, ku në njërën anë shfaqet Cako, ndërsa në tjetrën një pamje me dëborë.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Ajo çka ngjall fillimisht dyshime për vërtetësinë e këtij lajmi janë gabimet e shumta drejtshkrimore në titulli, ndaj “Faktoje” vendosi të shohë më tej këtë artikull. Nëse do të futemi në brendësi të tij vihet re se titulli nuk ka asnjë lidhje më tekstin. Portali ka përdorur emrin dhe figurën e Cakos për të “shitur” për lexuesit horoskopin ditor. “Lajmi i madh” në fakt nuk ekziston në këtë publikim, pasi në tekst jepet parashikimi i fatit për 12 shenjat e zodiakut.
Montazhi i fotos me dëborë, ndërkohë, është krijuar për një tjetër rast, kur klikimet e Cakos shfrytëzohen nga disa portale për të prezantuar një nga lajmet më monotone, parashikimin e motit.
Tituj të tillë “bombastikë” dhe me gabime drejtshkrimore janë një tregues që lexuesit të jenë më kritikë ndaj asaj që zgjedhin të lexojnë, në morinë e informacioneve që qarkullojnë në mediat online. Qëllimi i portaleve është që të tërheqin sa më shumë lexues, pasi kjo përkthehet në fitime monetare, por shpeshherë nuk mendojnë për dëmin që shkakton te audienca shpërndarja e lajmeve të rreme.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin