Lajmi se grupi militant Hamas u ka prerë kokën 40 bebeve izraelite gjatë sulmit të tij është shpërndarë gjerësisht në rrjet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky kjo shifër mbetet e pakonfirmuar nga ushtria izraelite dhe është një keqinterpretim i raportimeve nga terreni nga media izraelite.

————————————-

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet lajmi se, gjatë konfliktit në Gaza, i cili nisi më 7 tetor, grupi militant Hamas u ka prerë kokën 40 fëmijëve izraelitë. Një video e këtij lajmi, e postuar në Facebook nga portali Ntv Televizion, është parë mbi 100 mijë herë. Spikerja televizive prezanton edhe pamje të viktimave, por që janë mbuluar nga regjia. 

Ky lajm është shpërndarë dhe përsëritur gjerësisht nga mediat botërore gjatë ditëve të fundit. Pretendimi i pambështetur për dhjetëra prerje kokash fëmijë fitoi vëmendje pas raportimeve të drejtpërdrejta të lajmeve nga Nicole Zedeck, një korrespondente për i24NEWS me bazë në Izrael, e cila po raportonte nga skenat e masakrës së një dite më parë në koloninë izraelite të Kfar Aza. Në videot që shërbimi i lajmeve i postoi në X më 10 tetor, Zedeck tha se ushtarët izraelitë i treguan asaj çfarë panë.

Në një klip, ajo tha se “të paktën rreth 40 foshnje”, të cilat kishin vdekur, sipas një komandanti, “u nxorrën jashtë në thasë kufomash”. Në një klip tjetër, ajo tha se foshnjave “u kishin prerë kokat, thanë” – por ajo kurrë nuk përmendi një numër.

Pretendimi për “40 foshnjave të prera koka” duket të jetë një kombinim i atyre dy detajeve të veçanta që Zedeck transmetoi gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta. Ajo nuk e bëri këtë pretendim vetë, siç pohon gabimisht videoja e mediave sociale.

Lajmi i rëndë u shpërnda menjëherë në të gjithë botën, madje edhe presidenti amerikan Joe Biden tha më 11 tetor, në deklaratën e tij në mbështetje të Izraelit: “Nuk mendoja kurrë se do të shihja, do të kisha foto të konfirmuara të terroristëve duke i prerë kokën fëmijëve.”

Megjithatë, më 12 tetor, Shtëpia e Bardhë i tërhoqi këto pretendime. Pyetur nga ëashington Post, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se “zyrtarët amerikanë dhe presidenti Biden nuk i kanë parë fotot apo kanë konfirmuar këto raportime në mënyrë të pavarur. Presidenti i bazoi komentet e tij mbi maskarat e pretenduara në pretendimet e zëdhënësit të [kryeministrit izraelit] Netanyahu dhe raportime mediatike nga Izraeli.” 

Në të vërtetë, Tal Heinrich, një zëdhënëse e Netanyahu, tha në 11 tetor, se bebe dhe fëmijë ishin gjetur “me koka të prera” në koloninë e Kfar Aza pas sulmeve të Hamas.

Megjithatë, qeveria izraelite nuk e ka konfirmuar pretendimin specifik se sulmuesit e Hamas prenë kokat e 40 fëmijëve gjatë sulmit të beftë të 7 tetorit, një zyrtar izraelit tha për CNN. “Ka patur raste të militantëve të Hamas që kanë kryer prerje kokash dhe masakra të tjera stil ISIS. Megjithatë, ne nuk mund të konfirmojmë nëse viktimat ishin burra apo gra, ushtarë apo civilë, të rritur apo fëmijë,” tha ai.

Ndërkohë, të Mërkurën, Hamas i mohoi këto pretendime. Izzat al-Risheq, një zyrtar i lartë dhe zëdhënës i grupit militant, tha se mediat ndërkombëtare kishin “shpërndarë gënjeshtra mbi popullin palestinez dhe rezistencën duke pretenduar se anëtarë të rezistencës palestineze u kanë prerë kokën fëmijëve dhe kanë sulmuar gra pa asnjë provë për të mbështetur kësi lloj pretendimesh dhe gënjeshtrash.”

Megjithatë, pretendimi i al-Risheq se Hamas nuk ka sulmuar gra është i rremë. Gra, fëmijë dhe të moshuar në kolonitë e Kfar Aza dhe Be’eri u vranë gjatë sulmit të befasishëm. Video të verifikuara nga CNN tregojnë gra që ishin në festivalin e shënjestruar nga Hamas në 7 tetor duke u rrëmbyer.

CNN ka verifikuar me qindra orë video të postuara online duke u përpjekur të verifikojë masakrat e pretenduara të Hamas. Megjithatë, skuadra e tyre nuk ka parë asgjë që do të konfirmonte pretendimet e fëmijëve me kokë të prerë. CNN vizitoi gjithashtu rrënojat e Kfar Aza dhe nuk pa prova të prerjes së kokave të fëmijëve.