Mjekë të rremë vijojnë të përdoren nga portalet për të bërë të besueshme këshilla mjekësore që rekomandojnë blerjen e produkteve çudibërëse. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore ku gjithçka ishte e sajuar me qëllim shitjen e produkti
Një artikull i publikuar në 29 maj në një platform të ndërtuar në formatin e një portali informativ, sugjeron një preparat që trajton problemet me hemorroidet.
“Nga hemoroidet te kanceri i zorrëve – vetëm një hap! Si të njihni një kërcënim në kohë? Intervistë me proktologjin kryesor të Shqipërisë”-shkruan “Digi24”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Portali përdor emra dhe intervista me mjekë, për ta bërë sa më të besueshëm artikullin për lexuesit. Një prej emrave të mjekëve të përdorur është ai i Çelikor Bajramit. Gjatë një kërkimi të bërë në listën e mjekëve, nuk rezulton të ketë një profesionist shëndeti me këtë emër në vendin vonë. Ndërsa, imazhi i përdorur për të ilustruar mjekun e rremë, nga verifikimet në motorrët e kërkimit online rezulton se i përket një specialisti onkolog Italian, Umberto Veronesi.
Veronesi, një onkolog i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka shërbyer edhe si ministër i shëndetësisë në Itali, ka vdekur në Milano që në nëntor të vitit 2016. Foto e marrë nga portali është shkrepur në vitin 2007.
Emri i mjekut tjetër të përdorur është ai i Drityll Pocoli. Mirëpo, as ky doktor nuk rezulton në listën e mjekëve, çka tregon qartë që portali ka përdorur një profesionist shëndeti të rremë. Foto e përdorur për të ilustruar mjekun qarkullon në internet së paku që prej vitit 2019. Imazhi i përket mjekut traumatolog rus, Dmitry Konev.
Ndërkohë, vetitë kuruese të preparatit që reklamohet në këtë artikull nuk mbështeten në studime të mirëfillta shkencore apo nga institucionet zyrtare të kontrollit të barnave në Shqipëri dhe vende të tjera evropiane.
Skema të tilla, ku portalet ofronin preparate për të trajtuar sëmundje të ndryshme, duke përdorur intervista me mjekë të rremë janë verifikuar edhe më parë nga Faktoje.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin