Pretendimi: Politikania franceze Marine LePen është kushërirë e dinastisë politike amerikane Kennedy
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————
Së fundi po qarkullon në rrjet pretendimi i pazakontë se politikania e të djathtës ekstreme franceze Marine LePen ka lidhje gjaku me familjen Kennedy, nga e cila kanë dalë një numër politikanësh amerikanë, përfshi edhe ish-presidentin amerikan John F. Kennedy.
Asnjë provë, burim apo referencë nuk sillet për të mbështetur këtë pretendim.
Imazhi që shoqëron postimin është një version i modifikuar i një fotoje të LePen, të cilës i është mbivendosur logo e Forcës Hapësinore të ShBA, shërbimit hapësinor të forcave të armatosura amerikane.
Me anë të motorit të kërkimit pamor, Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti origjinën e imazhit që shoqëron postimin.
Duket se, siç ndodh shpesh, pretendimi i konspiracionistëve shqipfolës është kopjuar nga konspiracionistët e huaj. Më konkretisht, ky pretendim i pazakontë është marrë nga një përdorues Twitteri që e quan veten Valthor dhe poston teori të koklavitura konspirative.
Brenda 15 minutash, profili ka postuar pretendime se McDonalds është duke u hetuar për përdorimin e mishit të fëmijëve të vdekur në ushqimet e tyre, se Coca Cola është përfshirë në blerjen e fëmijëve në Ukrainë dhe se “Regjimi Nazist Adhurues të Satanit” operonte një “rrjet ndërkombëtar trafikimi fëmijësh, organesh dhe adrenokromi” në Ukrainë.
Në 19 qershor, pas rritjes së votave të “Grupit të bashkimit kombëtar” në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, ky profil postoi pretendimin se udhëheqësja e kësaj force Marie LePen është kushërirë me Kennedyt.
Sipas tij, LePen është pjesë e një familjeje të quajtur Kahlooni, që rrjedh nga ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln. Fëmijët e kësaj familjeje, në rend lindje, janë princeshë Diana, Marie Le Pen (motra e Marine LePen), Caroline Kennedy, John F. Kennedy Jr., Yann LePen (motra e Marine LePen), Patrick Kennedy dhe një “Shadia Kennedy” që nuk duket se është person publik.
Më tej, postimi pretendon se Marine LePen është kushërirë e Kennedy-ve dhe ka lindur në Benghazi ku u rrit me motrat e saj Marie dhe Yann, dhe Patrick Kennedy. Më pas, vajzat u dërguan në Francë për t’u rritur nga familja Le Pen.
Në realitetin ku jetojmë, Marine Le Pen ka lindur në Neuilly-sur-Seine, Francë, dhe ka dy motra. I ati i saj është politikani që themeloi forcën populiste, Jean-Marie Le Pen dhe e ëma Pierrette Le Pen.
Familja Kennedy ka një origjinë të njohur irlandeze dhe traditë politike në ShBA që nis me paardhësin e parë që u zgjodh në pozita publike në vitin 1884, 35 vite pas mbërritjes së familjes nga County Wexford, Irlandë në ShBA.