Në rrjete sociale, pretendimi se gjashtë luftanije kineze po shkojnë drejt Mesdheut po përdoret si ogur i një Lufte të Tretë Botërore. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se luftanijet kineze kanë vizituar shtetet e Lindjes së Mesme, Oman dhe Kuwait.

———————————————————

Ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamas ka marrë mijëra jetë njerëzish, rrjetet sociale duken të ngazëllyer nga perspektiva e një Lufte të Tretë Botërore të mundshme. Ngjarja më e fundit që pretendohet se paralajmëron një luftë gjithëpërfshirëse ndërkombëtare ka të bëjë me gjashtë luftanije kineze.

Faqja pro-Erdogan në Facebook, The Reis, në postimin e saj në 21 tetor në Facebook pretendon se “edhe Kina ka zbarkuar në fushë, 6 luftanije të marinës kineze po shkojnë drejt Mesdheut” dhe paralajmëron se “kjo luftë do të jetë e pamëshirshme, e çmendur.”

Në fakt, sipas faqes zyrtare së Ministrisë kineze të Mbrojtjes, taskforca detare e 44t ishte në Oman për një vizitë dashamirësie, gjatë së cilës ajo kreu një stërvitje të përbashkët me Marinën Mbretërore të Omanit, në ujërat pranë kryeqytetit, Muscat.

19 tetor, e njejta faqe lajmëroi se luftanijet e taskforcës kishin mbërritur një ditë më parë në portin Shuwaikh, në Kuwait. Kjo vizitë dashamirëse do të zgjasë 5 ditë. 

Sipas gazetës së Hong Kong, South China Morning Post, kjo taskforcë ka qenë duke kryer operacione rutinë në zonën e Lindjes së Mesme që në muajin Maj. Ajo ka qenë e përfshirë në misione shoqëruese për transportin e anijeve kineze të mallrave që kur mbërriti në Gjirin e Adenit gjashtë muaj më parë. Kjo zonë vijon të jetë e patrulluar nga anijat ushtarake të vendeve të ndryshme pas sulmeve pirateske dhe rrëmbimit të anijeve në brigjet e Somalisë. 

Njohësit e gjeografisë bazë do të kujtojnë se Omani dhe Kuwaiti lagen nga Deti i Arabisë, jo nga deti Mesdhe, pra anijet kineze nuk janë nisur drejt Mesdheut, siç pretendohet nga postimi në Facebook.