.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëManastirliu: Skema e bonusit 100-mijë lekë për mjekët që shkojnë në rrethe funksionoi

Manastirliu: Skema e bonusit 100-mijë lekë për mjekët që shkojnë në rrethe funksionoi

ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI 

Në vitin 2015 Ministria e Shëndetësisë ngriti skemën e bonusit për mjekët të cilët do të pranonin të shërbenin në spitalet e rretheve ku kishte mungesa specialistësh. Ata që do të shkonin do të merrnin 100-mijë lekë bonus në muaj përveç rrogës së tyre. Por a ka funksionuar ky si projekt? A është marrë bonusi?

Ne kemi ndërtuar disa incentiva që mjekët jo vetëm të punojnë në qendrat tona universitare por edhe në rajone ku ka vakum të specialistëve. Masa e bonusit është 100-mijë lekë. Kanë shkuar, por kërkesa është më e lartë, ka ende nevojë për të plotësuar nevojat dhe mungesat. Kjo skemë ka funksionuar por jo aq sa ne prisnim”, tha ministrja e Shëndetësisë Manastirliu në një intervistë televizive.

Vendimi i  vitit 2015 i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikoi një tavan prej 200 mjekësh që mund të përfitonin nga ky bonus. Por “Faktoje” ka provuar se vetëm nëntë mjekë në rang kombëtar kanë pranuar të shërbejnë në spitalet e rretheve.

Mjekët specialistë janë të shpërndarë në Tepelenë, Mat, Tropojë, Korçë, Lezhë, Përmet, Shkodër dhe Dibër, në shtatë specialitete.

 

“Faktoje” kontaktoi me secilin prej mjekëve, të cilët konfirmuan që e merrnin bonusin prej 100-mijë lekësh në muaj. Pesë prej tyre vinin nga spitalet publike të Tiranës apo Durrësit, ndërkohë që katër  prej tyre nga spitalet private apo nga jashtë shtetit.

Pjesa e vërtetë e kësaj historie është se këta nëntë mjekë e marrin bonusin prej 100-mijë lekësh në muaj përveç rrogës.

Por pjesa jo e vërtetë është se duke marrë parasysh tavanin prej 200 mjekësh të përcaktuar nga VKM-ja dhe numrin real të mjekëve që pranuan të shkonin në spitalet e rretheve që është vetëm nëntë, rezulton se kjo skemë nuk ka funksionuar siç ishte parashikuar në vendimin e qeverisë.

Duke u nisur nga këto të dhëna, “Faktoje” e shpall këtë deklaratë si GJYSMË TË VËRTETË.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img