Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ku shihen një grumbull makinash në flakë, nuk i përkasin zhvillimeve aktuale që po ndodhin në Francë, pas vrasjes së një 17-vjeçari nga policia. Faktoje verifikoi se video është e muajit prill të këtij viti, në një parking makinash në Australi.
Që prej fundit të muajit qershor, Franca është në flakë, mes zemërimit për vrasjen e një 17-vjeçari nga një polic në Nanterre. Shumë automjete u dogjën dhe qindra biznese u shkatërruan nga protestuesit. Mirëpo, përpos dëmeve materiale, kjo ngjarje nxiti edhe përhapjen e informacioneve të rreme në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
“Thonë se makinat franceze kallen shumë shpejt, a është e vërtetë?”- shkruan një profil shqiptar në rrjetet sociale.
Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
“Francë-Protestuesit dogjën sallonet ku ndodheshin automjetet e reja. Situata ndiqet me kujdes nga Turqia….”- theksohet në një tjetër postim ironik në Facebook.
Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Publikimet janë shoqëruar me një video, që pretendohet se i përket pamjeve nga zhvillimet në Francë.
Për të kuptuar më shumë rreth pamjeve të shpërndara, ne vendosëm të bëjmë një verifikim të tyre. Fillimisht bëmë një kërkim në motorin e kërkimit Google image, ku rezulton se në fakt pamjet i përkasin 28 prillit të këtij viti.
Videoja në fjalë është regjistruar në një park makinash në Liqenin Bibra, një periferi e Perthit, kryeqytetit të Australisë Perëndimore. Siç raportuan mediat në atë kohë, më shumë se 100 automjete ishin dëmtuar si pasojë e zjarrit që shpërtheu në vend.
“The Guardian” raportonte asokohe se Pickles është një nga kompanitë më të mëdha në Australi për rimarketimin e automjeteve. Ndryshe nga çfarë pretendohet në rrjetet sociale, pamjet e makinave në flakë nuk i përkasin ngjarjeve të fundit në Francë, por prillit të këtij viti nga një park makinash në Australi.
Video të tilla përdoruren për të dezinformuar në lidhje me protestat aktuale në Francë. Pamjet janë verifikuar edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve në Itali.