.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLouis Vuitton nuk prodhoi çantën me flamurin shqiptar

Louis Vuitton nuk prodhoi çantën me flamurin shqiptar

Frymëzuar nga postimi në Facebook i kryeministrit Edi Rama, një numër mediash kanë raportuar se marka e famshme Louis Vuitton kishte hedhur së fundmi në treg një çantë me motive të flamurit shqiptar. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se çanta në fjalë është prezantuar që në 2018, me rastin e botërorit, por jo nga shtëpia e njohur e modës, por nga një markë tjetër që ka ripërdorur çanta klasike LV.

————————————————

Një postim në faqen e Facebook të kryeministrit Rama, që pretendon se një çantë me motive të flamurit shqiptar është “çanta e re e shtëpisë së madhe të modës Louis Vuitton”, ka frymëzuar një sërë artikujsh në disa media që përsërisin pretendimin e Ramës si fakt.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Megjithatë, një kërkim pak më i thelluar mbi këtë dizajn, zbulon se ai ekziston prej së paku 4 vitesh. 

Në fakt, ajo ishte pjesë e një koleksioni të limituar të vitit 2018 nga marka JAY AHR e stilistit Jonathan Riss, që përfshin thuajse 130 flamuj nga gjithë bota. Çantat e këtij koleksioni janë çanta vintazh Louis Vuitton, të ripërdorura nga Jay Ahr. Siç e përshkruan stilisti Riss, çanta blihet, çmontohet, trajtohet dhe riparohet, dhe secila pjesë i dërgohet qëndistarëve të ndryshëm. Pas qëndisjes, çanta qepet sërish në formën origjinale me peun origjinal. Ky proces ndoshta justifikon dhe çmimin prej afër $10,000.

Kështu, çanta në fjalë nuk është e re, ajo ka ekzistuar që në vitin 2018. Për më tepër, ajo nuk është hedhur në treg dhe nuk mban autorësinë e shtëpisë së modës Louis Vuitton, por është një ripunim i firmës JAY AHR mbi një çantë klasike LV. 

“Faktoje” iu drejtua edhe markës së famshme Louis Vuitton, dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img