.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLondra nuk ndaloi ekspozimin e pikturës që ngjason me Putin

Londra nuk ndaloi ekspozimin e pikturës që ngjason me Putin

Galeria Kombëtare në Londër nuk do të heqë nga ekspozimi një pikturë të mesjetës për shkak se personazhi i saj ngjason me presidentin rus, Vladimir Putin. Verifikimet tregojnë se lajmi që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse është i pasaktë.

Prej një jave në rrjete të ndryshme sociale, po qarkullon pretendimi se Galeria Kombëtare në Londër ka vendosur të ndalojë ekspozimin e “Portreti i Arnolfinit” –  një pikturë me vaj nga artisti Jan van Eyck e vitit 1434 – për shkak të ankesave të vizitorëve se subjekti i ngjan presidentit rus Vladimir Putin.

Piktura përshkruan një burrë me tipare të mprehta të fytyrës, që mban një kapele të madhe të zezë në kokë, dorë për dore me një grua me fustan të gjatë jeshil.

Këtë imazh, përdorues të ndryshëm në Facebook e kanë shpërndarë me shënime. Një prej tyre shkruan: ‘Absurde! Një galeri në Londër dëshiron të heqë foton e Van Eyck, për shkak të ankesave masive për ngjashmrinë e personazhit me Putin. Për më tepër imazhi është i vitit 1434.’

I njëjti lajm publikohet edhe nga përdorues të tjerë, me të njëjtin pretendim se institucioni britanik e ka vendosur tashmë largimin e pikturës nga ekspozimi për publikun. 

Të dyja postimet kanë marrë dhjetra reagime dhe komente mbi këtë vendim absurd.  

Kolegët tanë të AP kanë kontaktuar me një zëdhënëse të Galerisë Kombëtare në Londër e cila ka hedhur poshtë pretendimet e shpërndara masivisht në rrjete sociale.

“Nuk ka plane për ta hequr këtë pikturë nga ekspozita,” shkroi në një email për AP Esmee Wright, zëdhënëse e muzeut.

“Portreti Arnolfini” ndodhet në Galerinë Kombëtare në Londër. Titulli i plotë i pikturës është “Portreti i Giovanni(?) Arnolfini dhe gruas së tij”, sipas saj, duke shtuar se vepra e artit është ende e ekspozuar në muze.

Edhe në faqen zyrtare të Galerisë në Londër nuk ka asnjë njoftim që të lajmërojë publikun se piktura do të hiqet nga muzeu.  

Po sipas AP, pretendimi u publikua fillimisht më 30 mars në një faqe interneti të medias ruse dhe u përhap në media të tjera ruse pa ndonjë konfirmim nga galeria.

Sipas faqes së internetit të Galerisë Kombëtare, “Portreti Arnolfini” ishte një nga veprat më të famshme të Van Eyck dhe u shfaq për herë të parë në muze në 1843.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img