.

.

BallinaFaktometerE vërtetëLleshaj: “Antimafie” u injorua nga Sistemi i Drejtësisë, pasuria e krimit nuk u prek

Lleshaj: “Antimafie” u injorua nga Sistemi i Drejtësisë, pasuria e krimit nuk u prek

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian muajin e kaluar, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se ligji “Antimafia”, prej më shumë se 10 vitesh në fuqi është injoruar nga Sistemi i Drejtësisë. Pasuritë e të dënuarve dhe të krimit të organizuar sipas argumentit të Lleshajt, nuk janë prekur. “Faktoje” verifikoi deklaratën e Ministrit përmes të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme dhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare.


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj më 9 mars, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian duke argumentuar mbi nevojën e ngritjes së Operacionit Forca e Ligjit, deklaroi se ligji “Antimafia”, i cili kishte të njëjtin funksion është “injoruar” nga Sistemi i Drejtësisë.

Përpjekja për të luftuar pastrimin e parave të personave të lidhur me krimin dhe terrorizmin nga Shqipëria nisi “seriozisht” më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2009, Qeveria miratoi ligjin “Antimafie” me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë. Ligji “Antimafie” përmbante dispozita të qarta referuar parandalimit dhe sekuestrimit të pasurive.

Edhe pas plotësimit me shtesa në ligj, “Antimafia” rezulton i pasuksesshëm!

Prokuroria e Përgjithshme, në raportin vjetor të vitit 2018, ndër arsyet kryesore të mos-funksionimit të ligjit “Antimafie” rendit mungesë n e koordinimit institucional dhe pamjaftueshmërinë e kapaciteteve reaguese.

Dështimin e zbatimit të ligjit “Antimafia” e tregon edhe mosshitja e pronave të sekuestruara. Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara në një reagim për Report TV më 18 shkurt., deklaroi se në 10 vitet që ligji “Antimafie” ka qenë  në  fuqi,të gjitha ankandet e hapura kanë dështuar.

Në duar të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara aktualisht ndodhen pasuri me një vlerë të konsiderueshme totale prej 29.4 milionë eurosh, por shteti dështon t’i shesë pasuritë e paluajtshme apo makinat që u janë sekuestruar me vendim gjykate personave të lidhur me krimin“, thuhej në reagimin për Report TV.

Prokuroria e Përgjithshme, në raportet vjetore rendit një sërë arsyesh të cilat kanë çuar në dështimin e ligjit “Antimafie”.

  • Bashkëpunimi ndërinstitucional jo në nivelin e duhur.
  • Pamjaftueshmëri të kapaciteteve për kryerjen e verifikimeve dhe hetimeve.
  • Hetimet pasurore nuk janë të plota, nuk përfshin të gjithë rrethin e personave.
  • Gjatë hetimeve nuk analizohet periudha e veprimtarisë kriminale koha e krijimit të pasurive dhe burimet nga janë krijuar pasuritë.
  • Shumica e hetimeve kanë ardhur pas vendimeve të autoriteteve të huaja të drejtësisë
  • Janë regjistruar çështje te hetimit pasuror pa përmbushur kriterin bazë që parashikon Kodi i Procedurës Penale.
  • Policia dhe prokuroria kanë kryes verifikime dhe hetime pasurore pa u koordinuar.

Dështimin e ligjit “Antimafie” e konfirmoi edhe raporti i datës 21 shkurt i Task Forcës Financiare, MONEYVAL të Këshillit të Europës, sipas të  cilit Shqipëria ka bërë hapa pas në parandalimin e pastrimit të parave. MONEYVAL e riktheu Shqipërinë në “listën gri” bashkë  me një sërë rekomandimesh. Mungesa e mekanizmave parandalues, efektivitetit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional renditen si arsyet kryesore të përkeqësimit të situatës. Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti. Shqipëria vlerësohet për aspektet teknike, kornizën ligjore për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave, por ajo duket se ka dështuar në efektivitetin e masave që duhet të zbatojë, duke u përfshirë në vendet me mangësi në  kë të  drejtim.

Deklaratën e ministrit të Brendshëm lleshaj, në raport me të dhënat e prokurisë së Përgjithshme dhe MONEYVAL do e kategorizojmë si “Të Vërtetë”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img