Situata e medias në Shqipëri dhe rekomandime për përmirësimin e lirisë së fjalës ishte në fokusin e konferencës së organizuar nga Faktoje me mbështetjen e ambasadës Holandeze. Përfaqësues të grupeve të interesit si gazetarë, organizata të shoqërisë civile, por edhe anwtarë parlamenti u angazhuan në një diskutim gjithpërfshirës lidhur me çështjet kryesore problematike dhe mënyrat e adresimit të tyre.
Jona Plumbi
Liria e shprehjes dhe situata mediatike në vend ishin deviza e konferencës vjetore të organizuar nga Faktoje me mbështetjen e Ambasadës holandeze, bazuar mbi gjetjet e raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Nën drejtimin e znj. Flutura Kusari, juriste për mediat dhe aktiviste e shoqërisë civile, diskutimi u përqëndrua kah zgjidhjeve të mundshme. Të pranishëm ishin përfaqësues të grupeve të interesit si gazetarë, organizata të shoqërisë civile, ligjvënës, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të trupit diplomatik holandez dhe atij të BE-së në Tiranë.
Ambasadori holandez, z. Reinout Vos përmendi rëndësinë e raporteve vjetore të Komisoinit Europian për progresin e vendit duke vendosur theksin tek hapësirat që ekzistojnë për përmirësim në median shqiptare krahasimisht me ato në rajon.
Rekomandimet e dala nga ky progres-raport u theksuan që në nisje nga drejtuesi i seksionit të politikës në delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri z. Andre Rizzo. Ai theksoi se Komisioni Europian nuk pa asnjë përparim sa i përket rregullimit të problemit të ndërthurjes së interesave të medias me ato të politikës dhe biznesit.
Me fokus tek sugjerimi i zgjidhjeve dhe përmirësimit të hapsirës mediatike në vend, çështjet që u ngritën nga pjesëmarrësit pasqyruan problemet kryesore të listuara edhe në raportin e KE-së për vitin 2023.
Gazetarja Esiona Konomi, duke u fokusuar tek transparenca dhe marrëdhëniet e punës me Kuvendin, përmendi shumë nga pengesat e përditshme me të cilat përballen gazetarët në punën e tyre. Në emër edhe të një komiteti të ngritur nga gazetarët që raportojnë çështjet politike, me mbështetjen e OSBE-së, Konomi i dha zë problemeve nga më baziket tek ato më të rëndësishmet.
“Faqet online janë jo funksionale. Faqja e vjetër e Kuvendit punon ende më mirë se e reja, ndërkohë që në faqen e re ka probleme serioze të dokumentacionit që ofrohet.” – theksoi gazetarja Konomi.
Njoftimi apo edhe aksesi i limituar i gazetarëve në mbledhje dhe aktivitete të Kuvendit të Shqipërisë janë një tjetër shqetësim për gazetarët e politikës.
“Kalimi i disa mbledhjeve online së fundmi është problem serioz pasi transmetimi që ofron Kuvendi nuk më jep mundësi të shoh prezencën apo mënyrën e votimit të antarëve.” – theksoi gazetarja Konomi.
Mimoza Koçiu, Koordinatore e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA), gazetare me eksperiencë shumëvjeçare në tregun mediatik foli për problemin kryesor të kushteve të punës në media.
“Për kushtet e punës së gazetarëve, edhe pse raport-progresi i KE-së nuk e ka trajtuar thellë, problem i rëndësishëm është kontrata e punës së gazetarëve.” – theksoi Koçiu.
Si koordinatore e APJA-s Koçiu e njeh mungesën e dimensionit sindikal të shoqatave që nuk ofrojnë ekspertizë për t’i ndihmuar gazetarët në komunikim me punëdhënësin, ashtu siç theksoi edhe detyrimin që shteti ka për të kontrolluar trajtimin e punëmarrësve në vend.
“Është inspektoriati i punës i cili mund të kërkojë informacion për kontratat apo edhe inspektoriati tatimor që kontrollon si bëhet pagesa e punonjësve në media. Pra, me pak vëmendje nga shteti kuptohet ku qëndron problemi.” – argumentoi Koçiu.
Në kuadër të rekomandimeve dhe zgjidhjes së problemeve Koçiu theksoi nevojën për asistencë ligjore falas për gazetarë që largohen nga puna.
Sa i përket problemit të theksuar edhe nga përfaqësuesi i BE-së në Tiranë mbi pronësinë e mediave, drejtuesja BIRN në Shqipëri, Kristina Voko solli gjetjet e studimit të fundit, publikuar pikërisht lidhur me këtë çështje.
“Kur flasim për transparencën ne kemi mbetur ende tek pyetja: A e dimë kush janë pronarët e mediave të regjistruar në QKB? Ndërkohë Bashkimi Europian ka parashikime specifike të identifikimit të lidhjeve dhe parashikimeve ligjore për mospërfshirjen në pronësinë e medias të personave të zgjedhur apo funksionarëve të lartë. Ne nuk kemi parashikime të tilla duke i lejuar deputetëve të zotërojnë media.” – theksoi Voko.
Për deputetin socialist Petro Koçi, ish nënkryetar i komisionit të medias, fakti që biznesi mediatik ka akses tek financat publike është ‘strumbullar’ i problemeve të lirisë së shprehjes dhe për këtë Shqipërinë mund ta ndihmojnë partnerët europianë.
“Çështja e pronësisë së mediave është pikënisja për të gjitha shqetësimet e shtruara në këtë tryezë, në raporte si ai i KE-së apo ndjesi të brendshme të gazetarëve. Mendoj që këtu BE-ja mund të bëjë presion për të detyruar norma që rrisin transparencën për pronësinë e medias dhe marrëdhëniet e tyre me biznesin dhe administratën.” – argumentoi Koçi.
Blerjana Bino nga SciDev solli rastin e konsultimit publik të udhërrëfyesit të qeverisë për negociimin me BE-në si shembull i mungesës së transparencës dhe nevojës për konsultime të gjera me organizata të shoqërisë civile.
“Qeveria po punon për udhërrëfyesin për kapitullin 24 të procesit të negociimit me BE-në, që ka të bëjë me zgjedhjet, por përfshin edhe lirinë e shprehjes dhe medias në mbulimin e zgjedhjeve. Ky udhërrëfyes u la vetëm 1 muaj në platformën online të konsultimit publik. Ne kemi çuar rekomandime të detajuara me shkrim që në raportin e konsultimit publik thuhet se disa janë pranuar, por drafti i ri i udhërrëfyesit nuk është ende i disponueshëm edhe pse kemi kërkuar të njihemi me të.”
Edhe për deputeten demokrate Jorida Tabaku, njëkohësisht kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, udhërrëfyesi që qeveria prezanton sot në BE është i panjohur.
“Nga analiza e progre- raportit nga viti 2021 deri në 2023 nga një faqe ankesë, sot kemi 15 faqe ankesa. Dhe jam përpjekur me kolegë në Bruksel dhe në parlament për të kuptuar si mund të zgjidhet ky problem dhe sot sinqerisht as unë nuk e di udhërrëfyesin e qeverisë shqiptare për të zgjidhur problemin e mediave, pasi një grup i madh problemesh janë në dorë të vullnetit politik që mungon prej 10 vitesh dhe nuk pres që të shfaqet sot”.
Sa i përket shqetësimit të përmendur edhe në raportin e KE-së për kalimin e drejtimit të Radio Televizionit Shqiptar në duart e një ish funksionari të Partisë Socialiste, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Flutura Açka njoftoi se presin një informacion të zgjeruar mbi situatën.
“Për çështjen e emërimit të drejtorit të RTSH ne si komision i medias kemi kërkuar një relacion të hollësishëm nga bordi i televizionit shqiptar prej dy muajsh dhe e presim.” – tha Açka.
Drejtuesja e drejtorisë së përgjithshme pranë komisonerit për të Drejtën e Informimit, znj. Elona Hoxha solli në vëmendje ndryshimet e fundit ligjore për aksesin në informacion të gazetarëve të cilat pritet të ndihmojnë procesin e transparencës.
“Nga propozimet e zyrës së Komisionerit lidhur me problematikat që ne kemi konstatuar, ka kaluar një rregullim shumë i rëndësishëm që do shohim si do ndikojë në proces që ka të bëjë me sanksionimin e çdo punonjësi të administratës publike tashmë në rast të refuzimit të një kërkese për informacion dhe jo vetëm sanksionimi i koordinatorit për të drejtën e informimit pranë isntitucionit në fjalë”. – shpjegoi znj. Hoxha.
Në vijim të aktivitetit pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime lidhur me problemet e sipërpërmendura dhe rëndësisë që ka presioni i shoqërisë civile dhe partnerve ndërkombëtarë ndaj politikës që ajo të ndërmarrë nisma që sjellin përmirësimin e tregut mediatik në vend.