Ukraina kërkon armatim dhe i ka shtrirë dorën Ballkanit Perëndimor, me propozimin për ngritjen e një linje rajonale prodhimi. Shqipëria, dikur vend lider për prodhimin e armëve, sot trashëgon një industri fantazmë, që për ta ringjallur kërkon para’. Ekspertët e shohin të realizueshëm këtë projekt, nëse kompani dhe vende aleate të NATO-s kontribuojnë. Zgjidhja duket të jetë edhe strategjike, me fuqizimin e industrisë në gjithë rajonin, ku sot për sot Serbia udhëheq jo vetëm për prodhimin e armatimit të lehtë dhe të rëndë, por edhe për eksportin ku 52% të volumit e zë ai drejt SHBA.

Eno Luarasi

Raportimi se Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, kërkoi ngritjen e një linje të përbashkët të prodhimit të armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte  kryelajmi i Samitit mes Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës që u mbajt në shkurt të këtij viti në Tiranë.

Presideti i Ukrainës Zhelenski duk folur në samitin për Ukrainën (Shkurt 2024) foto AP

Aktualisht, Ukraina po vuan mungesën e municioneve. Madje trupat ushtarake që ishin ngarkuar për të mbrojtur Avdiivka, si shkak të dështimit të tyre, veç mungesës së personelit shikonin edhe mungesën e armatimeve nga perëndimi.

Idenë e presidentit ukrainas, kryeministri Rama e mirëpriti, megjithatë pranoi se Shqipëria, dikur një vend me industri në prodhimin e armëve, sot nuk i ka kushtet për ta rikthyer me ‘forcat e veta’.

“Sa i takon industrisë ushtarake dhe prodhimit të armëve, ne, si Serbia apo Bosnja apo Kroacia, nuk kemi një prodhim, një industri prodhuese të mjeteve ushtarake. Duam ta kemi, së pari, për veten tonë dhe kemi punuar dhe po punojmë që të gjejmë marrëveshjen e duhur, të gjejmë partnerët e duhur, të ringjallim infrastrukturën tonë të vjetër dhe për të bërë më shumë investime për ne. Së dyti, propozimi nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Presidenti Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi dhe sigurisht të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria, kështu që ky është një proces.”-tha kryeministri Rama.

Çfarë kërkon Ukraina?

Krahas tankeve, avionëve dhe mjeteve të tjera ushtarake që Ukraina i merr nga perëndimi, ajo kërkon edhe predha 155 mm që janë municionet standarde të NATO-s, për sa i përket topave Howitzer. Aktualisht, Ukraina ka nevojë për rreth 200 mijë predha të tilla në muaj.

Gjatë dy viteve të luftës në Ukrainë, SHBA ka dërguar rreth 2 milionë predha të tilla, por gjatë fazës më të nxehtë të kundërofensivës ukrainase, Kievi harxhonte 7000-7500 predha në ditë, përballë rusëve që qëllonin vetëm 5 mijë. Në fund të vitit, raportet ndryshuan. Ukraina qëllonte vetëm 2 mijë në ditë, ndërsa Rusia 10 mijë, pasi Rusia shtoi prodhimin dhe filloi të merrte furnizime nga Koreja e Veriut. Pikërisht këto municione në shumë raste për rusët rezultuan fatale, pasi ishin me defekt.

Bashkimi Europian, aktualisht, është prapa për sa i përket prodhimit të këtyre predhave dhe dërgimin e tyre në Ukrainë. Aktualisht, BE-ja pret që brenda vitit 2024 të arrijë të prodhojë deri në 1,4 milionë predha të tilla.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Bosnja arrijnë të prodhojnë këto lloj municionesh, por ende nuk dihet se sa është kapaciteti i tyre dhe mbi të gjitha cilësia e këtyre municioneve.

Si mund të ‘rikthehet’ industria e armatimit në Shqipëri?

Aktualisht, industria ushtarake Shqiptare është tërësisht e mbyllur dhe jo funksionale, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se në bashkëpunim me NSPA, që është Agjencia e mbështetjes dhe prokurorimeve të NATO-s, është hartuar një raport për vlerësimin e situatës ku ndodhet ky sektor, me qëllim për të afruar investitorë.

Edhe ekspertët konfirmojnë se teknologjia e mbetur nga uzinat në fjalë është shumë e vjetër dhe jashtë funksionit. Për ish-komandantin e Forcave Speciale Kolonel Dritan Demiraj, mundësia për ta ringjallur këtë industri janë investimet e vendeve aleate të NATO-s.

Hapësirat janë dhe me investime amerikane mund të fillojë çdo gjë, nëse ka dëshirë dhe mbështetje perëndimore. Këtu ku punoj dhe jetoj kam mësuar se me disa milionë dollarë investim mund të fillojnë linjat për prodhimin e armëve dhe të municioneve, por për momentin nuk ka asgjë konkrete”.

Interesi për investime në këtë fushë nuk ka munguar, siç tregon ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Major Jeronim Bazo. Ai kujton se në fillim të viteve 2000, erdhën në Shqipëri përfaqësues nga kompani të rëndësishme në fushën e prodhimit të armëve, mes të cilëve Rheinmetall, që njihet për prodhimin e armatimeve të rënda si tanke, mjete të blinduara etj.

Erdhën edhe kompani nga Britania e Madhe, Italia dhe Turqia, por gjithçka mbeti thjesht në kuadër të fazës së eksplorimit, duke mos u bërë asgjë konkrete. Duhet ndarë mendja se çfarë duam të bëjmë. Duam një industri për të rritur ekonominë e vendit, apo do mbështesim një strategji për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse”.

Një tjetër problem që duhet zgjidhur për të garantuar ringjalljen në Shqipëri të kësaj industrie, mbetet mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Ata që punonin në uzinat e dikurshme, tashmë janë në moshë pensioni, ndërkohë që kostot do të ishin shumë të mëdha për kompanitë e huaja për të investuar në këtë sektor në vendin tonë.

Retrospektivë

Gjatë viteve të komunizmit, vendi ndërtoi një nga ushtritë më të fuqishme dhe më të mëdha të rajonit dhe mbase më gjerë. Një meritë i takonte edhe ndërtimit të një industrie ushtarake, e cila kryesisht ishte e fokusuar në prodhimin e municioneve, armëve automatike, lëndëve plasëse dhe predhave.

Maja e industrisë ushtarake shqiptare në atë kohë ishin tri uzinat mekanike, ajo e Poliçanit, Gramshit dhe e Mjekësit në Elbasan.

Kombinati Mekanik Poliçan, u themelua në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.

Pas marrjes së licencës nga Kina, për prodhimin e automatikut Model-56, Shqipëria nis prodhimin e automatikëve të saj, të bazuar në modelin kinez, por këtë herë me emrin ASH-78, (Automatiku Shqiptar).

Poliçani prodhoi me mijëra të tillë, deri në fundin e viteve ’90, madje duke shtuar edhe disa modele, si ASH78-2, ASH78-3, si dhe ASH82.

Në vitin 1984, Poliçani prodhoi dhe një automatik të shkurtër P-84 me fishekë 9 mm. Uzina vijoi të funksiononte me reparte të reduktuara, duke lidhur kontrata të vogla me Turqinë, për prodhimin e municioneve për armët e lehta.

Uzina mekanike në Gramsh nisi në vitin 1962, ndërsa prodhimi me licencë kineze filloi po në atë vit me pushkën “10 Korriku”, në nder të formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës ishte e specializuar në prodhimin e eksplozivëve dhe propelante që prej vitit 1962. Në vitin 1982, filloi prodhimin e eksplozivëve të fuqishëm me licencën e “BOFORS

Ndërsa në vitin 1966, në Kuçovë përfundoi dhe hyri në funksion Uzina e Riparimit të Avionëve.

Ku janë vendet e rajonit me industrinë e armëve?

Serbia ka industrinë më të madhe të armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për eksportin e tyre dhe ekuipazheve të tjera ushtarake në vitin 2021, në Serbi ishin të licencuara rreth 371 kompani me një vlerë totale prej 1.23 miliardë dollarë. Në krahasim me vitin 2020, numri i lejeve të lëshuara u rrit me 20%.

Destinacionet kryesore të eksporteve të industrisë serbe ishin Shtetet e Bashkuara, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Izraeli, Qipro, Maqedonia e Veriut, Turqia, Polonia, Mali Zi, dhe Rumania. Në vlerë monetare, destinacioni kryesor i eksporteve ka qenë SHBA-ja me 634.19 MLN Dollarë, që zë 52% të këtyre eksporteve.

Në 2020-n, Serbia prodhoi edhe tankun e saj më të mirë M-84AS1, një version i përmirësuar i T-84, i prodhuar në Ish-Jugosllavi në vitin 1984 dhe derivat i T-72 rus.

Ndërkohë Nora B-52 dhe Aleksandër MGS-25 janë disa nga sistemet moderne të artilerisë vetëlëvizëse që kanë kalibrin 155 mm.

Kompani të municioneve si p.sh. Sloboda mund të prodhojnë municione të kalibrit të mesëm, 20, 30, 37, 40 dhe 57 mm e deri te kalibrat e rëndë nga 76 mm deri në 155 mm.

Edhe Bosnjë-Hercegovina trashëgoi një industri nga Ish-Jugosllavia. Në të kaluarën, rreth 51% e prodhimit të armëve që prodhoheshin në Jugosllavi vinin pikërisht nga Bosnjë-Hercegovina. Unis Grup është kompania më e madhe e armëve aktualisht në Bosnjë dhe prodhon nga municionet e lehta 5.56 mm dhe 12,7 mm e deri tek ato të rënda 155 mm.

Maqedonia e Veriut trashëgoi edhe ajo një uzinë nga Ish-Jugosllavia, e cila daton në 1981 dhe është e vetmja në këtë vend. Kompania arrin të prodhojë fishekë të kalibrit 9, 5.56, 7,62 dhe 12,7 mm. Ndërkohë mendohet se prodhimi maksimal i saj në vit arrin në 120 milionë fishekë të kalibrave të vegjël.