Pretendimi: Lija e majmunit është efekt anësor i vaksinës kundër Covid-19

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Më 14 gusht 2024, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) e deklaroi epideminë e lisë së majmunit në Afrikë një emergjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar. Lija e majmunit është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi MPV.

Kjo frymëzoi konspiracionistët në rrjete sociale të shpërndajnë pretendimin se lija e majmunëve është në fakt efekt anësor i vaksinës anti-Covid.

Artikulli i portalit Mast.al i referohet një deklarate të doktorit dhe ish-deputetit gjerman Wolfgang Wodarg, i cili në një intervistë të 2022 ka pretenduar se “lija e majmunëve është një tjetër mashtrim dhe në fakt është herpes i shkaktuar nga vaksina Covid.”

Megjithatë, mikrobiologia dhe imunologia Kari Moore Debbink tha për DW se “lija e majmunit dhe herpes zoster i përkasin grupeve të ndryshme të viruseve, kështu me anë të testimit mund të dallohen lehtësisht dy viruse të ndryshme. Ndërsa të dy viruset mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme duke përfshirë puçra, temperaturë, ënjtje të nyjeve limfatike dhe pafuqi, ka gjithashtu karakteristika të dallueshme të puçrave të shkaktuar nga secili virus – gjë që bën të mundur dallimin e tyre me sy dhe nga simptomat.”

Debbink shpjegoi më tej se “vaksinat mRNA anti-Covid u përdorën globalisht, ndërsa rastet e lisë së majmunit zakonisht gjenden në vende specifike në Afrikë, me disa të raste të pakta jashtë atyre rajoneve. Prandaj, nuk ka asnjë lidhje gjeografike midis përdorimit të vaksinës COVID mRNA dhe rasteve të lisë së majmunit.”

William Schaffner, profesor i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt në Nashville, SHBA, bie dakord: “Këta janë dy viruse krejtësisht të ndryshëm dhe natyrisht, vaksina kundër Covid nuk ka të bëjë fare me linë e majmunit”.

Lija e majmunit u zbulua për herë të parë tek majmunët në 1958. Njeriu i parë me këtë sëmundje u diagnostikua në 1970 në Republikën Demokratike të Kongos, mbi 30 vite përpara se vaksina anti-Covid të shpikej dhe shpërndahej globalisht në 2021.