Pretendimi: Lija e majmunit po spërkatet nga qielli nëpërmjet vazhdave të avionëve
Verdikti: E paprovuar
———————————————————
Më 14 gusht 2024, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) e deklaroi epideminë e lisë së majmunit në Afrikë një emergjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar. Lija e majmunit është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi MPV.
Kjo ka frymëzuar edhe më tej pretendimet e konspiracionistëve në rrjet. Së fundmi, Alfred Cako ka postuar një video që tregon vazhdat që lënë avionët në qiell, shoqëruar me përshkrimin: “Lija e majmunit po vjen nga qielli, me sa duket.” Video është parë mbi 8400 herë dhe ka marrë qindra reagime nga ndjekësit e Cakos në rrjetin social Facebook.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime të Cakos lidhur me linë e majmunit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) dhe Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lija e majmunit transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit të afërt. Transmetimi është kryesisht nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë, me lezionet e një personi të infektuar, me lëngjet trupore ose me spërklat të sistemit të frymëmarrjes gjatë ndërveprimit afatgjatë ballë për ballë. Spërklat e sistemit të frymëmarrjes mund të luajnë një rol në transmetim. Megjithatë, lija e majmunit nuk përhapet përmes ajrit në distanca të gjata.
Njerëzit gjithashtu mund të marrin virusin nga objekte të kontaminuara si veshjet, përmes lëndimeve nga gjilpërat në sistemin e kujdesit shëndetësor ose në mjedise komunitare si sallonet e tatuazheve. Gjatë shtatzënisë ose lindjes, virusi mund të kalojë nga nëna tek fëmija.
Transmetimi nga kafsha e infektuar te njeriu ndodh nga kafshimet ose gërvishtjet, ose gjatë aktiviteteve si gjuetia, rrjepja, gatimi, ngrënia ose prekja e kufomave të kafshëve të infektuara.
Si rrjedhim, edhe nëse insinuata e Cakos se vazhdat që lënë avionët në qiell përmbajnë virusin e lisë së majmunit do të ishte e vërtetë, kjo spërkatje do të ishte e parrezikshme dhe e kotë. Kjo sepse lija e majmunit nuk transmetohet nga ajri.
Si zakonisht, Cako nuk ofron asnjë provë që mbështet pretendimin se vazhdat e kondensimit në qiell përmbajnë ndonjë substancë të dyshimtë, që lidhet me linë e majmunit.
Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet vazhdave që lëshojnë avionët.
Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”
Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.
Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle.