Pretendimi: Franca ka miratuar një ligj që do ta bënte kritikimin e vaksinave mRNA një vepër penale të dënueshme me burg.

Verdikti: Mungon konteksti


Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se në Francë është miratuar një ligj sipas së cilit “kritikimi i vaksinave të mRNA do të konsiderohet një vepër penale, e dënueshme deri në 1 vit burg ose një gjobë prej 15,000 dollarë.”

Duket se lajmi i referohet një projektligji të miratuar nga Asambleja Kombëtare franceze më 14 shkurt 2024. 

Ky ligj adreson të ashtuquajturën “zhvendosje sektare” (‘dérive sectaire’) dhe pasojat që ajo ka në shëndetin e njerëzve. Taskforca franceze për mbikëqyrjen dhe luftimin e zhvendosjes sektare (Miviludes) e përkufizon zhvendosjen sektare si:

“Një abuzim i lirisë së mendimit, opinionit ose fesë që cenon rendin publik, ligjet ose rregulloret, të drejtat themelore, sigurinë ose integritetin e individëve. Karakterizohet nga zbatimi, nga një grup i organizuar ose një individ i izoluar, pavarësisht nga natyra ose veprimtaria e tij, i presioneve ose teknikave që synojnë krijimin, mbajtjen ose shfrytëzimin e një gjendje të nënshtrimit psikologjik ose fizik të një personi, duke i privuar ata nga një pjesë e vullnetit të tyre të lirë, me pasoja të dëmshme për atë person, rrethin e tyre ose për shoqërinë.”

Pra, ky ligj i referohet veprimit të të minuarit të vullnetit të lirë, për shembull me anë të manipulimit dhe kontrollit psikologjik, në një mënyrë që dëmton individët dhe shoqërinë.

Një shembull konkret është ai i Youtuberit dhe të vetë-quajturit natyropat Thierry Casasnovas, i cili është nën hetim që në Mars 2023 për praktikim të paligjshëm të mjekësisë, mashtrim dhe nënshtrim psikologjik. Në videot e tij, Casasnovas flet kundër vaksinimit, dhe pretendon se ngrënia e perimeve të gjalla mund të shërojë kancerin dhe diabetin. 

Ligji i mësipërm mori shkas pjesërisht nga gjetja e Miviludes se zhvendosja sektare ishte rritur me kalimin e viteve, duke arritur një rritje me 36% nga 2020 në 2021. Një e treta e rasteve të raportuara tek taskforca kishin të bënin me sjellje që rrezikonin në mënyrë direkte shëndetin e njerëzve. Për shembull, disa individë dhe grupe këshillonin pacientët me kancer të ndërprisnin trajtimin e tyre mjekësor dhe të nisnin një trajtim alternativ ‘pseudo-terapeutik’, i cili nuk ishte provuar të ishte efektiv.

Për të adresuar këto çështje, kapitulli III i projektligjit synon “mbrojtjen e shëndetit” duke shënjestruar veprimet dhe deklaratat që inkurajojnë pacientët të shmangin ose të ndërpresin trajtimet e tyre mjekësore.

Projektligji i referohej në mënyrë specifike “trajtimeve mjekësore terapeutike ose profilaktike”. Masat profilaktike, si vaksinat, synojnë të parandalojnë ose zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje. Rrjedhimisht, disa njerëz e interpretuan projektligjin sikur ndalonte kritikimin e vaksinave mRNA.

Megjithatë, kjo keqinterpreton përmbajtjen e projektligjit. Ky projektligj nuk përmend specifikisht vaksinat mRNA. Për më tepër, projektligji përcakton saktësisht se çfarë lloj sjelljesh do të konsideroheshin të paligjshme sipas ligjit të ri. Kapitulli III, neni 4, paragrafi 2, thotë:

“Avokimi (nxitja) ndaj çdo personi që vuan nga një patologji, nëpërmjet presioneve ose manipulimeve të përsëritura për të braktisur ose për të mos ndjekur një trajtim mjekësor terapeutik ose profilaktik, dënohet me një vit burgim dhe gjobë prej 30 mijë euro, kur kjo braktisje ose abstenim paraqitet si e dobishme për shëndetin e personit të shënjestruar ndërkohë që, në gjendjen e njohurive mjekësore, ka shumë të ngjarë të çojë në pasoja veçanërisht të rënda për shëndetin e tyre fizik ose mendor, duke pasur parasysh patologjinë nga e cila vuajnë.”

Kjo do të thotë se kritikimi i sigurisë ose efektivitetit të vaksinave mRNA nuk do të ishte i paligjshëm në vetvete. Përkundrazi, do të ishte e paligjshme të ushtrosh presion të përsëritur mbi njerëzit, ose të përdorësh taktika të tjera manipulimi, për t’i nxitur njerëzit të mos vaksinohen.

Do të thotë gjithashtu se, nëse kritikimi është i bazuar në fakte mjekësore, ai nuk do të përfshihej në fushëveprimin e ligji. Për shembull, shpalosja e rreziqeve të miokarditit nga vaksinat mRNA nuk është i paligjshëm, për sa kohë që faktet mjekësore paraqiten saktësisht.

Paragrafi 5 i të njejtit nen thotë:

“Kur provokimi shoqërohet me informacion të qartë dhe të plotë mbi pasojat shëndetësore dhe kushtet në të cilat është bërë ky provokim nuk cenojnë vullnetin e lirë dhe të informuar të personit, veprat e përcaktuara në këtë nen nuk mund të kenë ndodhur.”

Kjo do të thotë se botimi i opinioneve negative mbi vaksinat mRNA, për sa kohë që bëhet në mënyrë të drejtë duke informuar gjithashtu njerëzit për rreziqet e mos vaksinimit dhe pa cenuar lirinë e tyre të vendimmarrjes, nuk do të ishte e paligjshme.

Më tej, paragrafi 7 i të njëjtit nen siguron mbrojtje për bilbilfryrësit. Ligji francez e përkufizon bilbilfryrësin si një individ që zbulon një kërcënim serioz kundër interesit publik, në mirëbesim dhe pa konflikt interesi. Kështu, ky ligj nuk do të shënjestrojë dikë që zbulon neglizhencë ose keqbërje nga një prodhues vaksine ose agjenci e shëndetit publik që do të përbënte një kërcënim serioz për publikun.