BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKrimbat në trupin e njeriut nuk shkaktojnë rritjen e amoniakut në gjak  

Krimbat në trupin e njeriut nuk shkaktojnë rritjen e amoniakut në gjak  

Pretendimi: Amoniaku në gjak, era e keqe e gojës, dhimbja e kokës dhe puçrrat janë shkaktuar nga krimbat parazitarë në trupin tonë.

Rate: E pavërtetë

Shumë sëmundje në trupin tonë nuk shkaktohen nga parazitët, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një informacion që dezinformon lexuesit.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se shumë sëmundje te njeriu vijnë si pasojë e prezencës së parazitëve. Video e shpërndarë në Facebook, ku dëgjohet një burrë që flet në anglisht ngre disa pretendime të tipit se amoniaku në gjak, era e keqe e gojës, dhimbja e kokës dhe puçrrat janë të gjitha të shkaktuara nga krimbat parazitarë.

Shumë sëmundje në trupin e njeriut i shkakton prezenca e parazitëve, të cilët kush më shumë e kush më pak i kemi të gjithë nëpër trup”- shoqëron videon postimi në shqip.  

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, që shfaqen gjithashtu shpesh online në formatin e marketingut të mjekimeve alternative. 

Nga një kërkim nëpërmjet motorrit të kërkimit Google Reverse Image rezulton se video origjinale është publikuar që në 4 korrik 2023 dhe vjen nga një ngjarje e quajtur “Kongresi i Shkencave Globale 1997”, i cili u zhvillua në Florida. Ajo tregon një burrë të quajtur Wayne Rowland duke folur për parazitët.

Në veçanti, ai pretendon se amoniaku në gjak, era e keqe e gojës, dhimbja e kokës dhe puçrrat janë të gjitha të shkaktuara nga krimbat parazitarë.

Këto pretendime të tij janë verifikuar edhe nga kolegët e “Full Fact”, të cilët nuk gjetën asnjë kontakt për zotërinë që shfaqet në video.

Sëmundjet nga krimbat

Krimbat parazitarë mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit, por nuk kanë disa nga efektet që pretendohet në këtë video dhe simptomat e tjera më shpesh kanë pasur shkaqe të tjera.

Disa nga krimbat parazitarë më të zakonshëm janë krimbat e zorrëve, veçanërisht te fëmijët. Krimbat e shiritit gjithashtu mund të shkaktojnë shqetësime në bark, si dhe sëmundje më serioze nëse format më të reja të parazitit përhapen në organe të tjera, të njohura si infeksion i kistës së larvave.

Shistozomiaza, e shkaktuar nga një parazit që nuk gjendet në Amerikën e Veriut ose Evropë, mund të shkaktojë një sërë simptomash të lehta deri të rënda në varësi të kohëzgjatjes së infeksionit. Shumë krimba të tjerë mund të infektojnë njerëzit, megjithatë, infeksionet e krimbave nuk janë shkaku kryesor i simptomave për të cilat flet zoti Rowland.

Amoniaku

Gjatë fjalimit, zoti Rowland ndër të tjera i thotë audiencës: “Pra, thjesht shkoni te një mjek, bëni një test gjaku dhe shikoni se në çfarë niveli amoniaku është në gjakun tuaj. Nëse keni amoniak në gjakun tuaj, kjo quhet urina e krimbit.”

Amoniaku është një produkt i mbeturinave, i formuar nga zbërthimi i proteinave që normalisht përpunohet nga mëlçia në ure. Kjo ure shkarkohet nga trupi nëpërmjet veshkave dhe në urinë. Problemet në çdo moment të këtij procesi, duke përfshirë sëmundjet e veshkave ose më të zakonshmet e mëlçisë, mund të çojnë në një grumbullim të amoniakut në gjak.

Ky grumbullim është toksik për trurin dhe mund të shkaktojë simptoma si konfuzion, përgjumje dhe koma. Kjo është një urgjencë mjekësore dhe mund të jetë vdekjeprurëse dhe ata që përjetojnë këto simptoma duhet të marrin trajtim urgjent.

Teksa disa studiues kanë publikuar disa teori mbi potencialin që disa parazitë kanë të prodhojnë sasi të dëmshme amoniaku, është e gabuar të sugjerohet se amoniaku i rritur domosdoshmërisht do të thotë që keni urinë krimbi në gjakun tuaj.

Dhimbja e kokës dhe era e keqe e gojës

Në klip, zoti Rowland gjithashtu thotë se: “Në momentin që ju keni marrë halitozë, ju jeni të ngarkuar, sepse kjo është urina dhe jashtëqitja e krimbave”.

Halitosis është termi mjekësor për erën e keqe të gojës. Mund të shkaktohet nga një sërë arsyesh, nga pirja e duhanit dhe higjiena e dobët e gojës deri te sëmundjet e veshkave dhe të mëlçisë. NHS këshillon që njerëzit zakonisht mund ta trajtojnë atë duke përmirësuar higjienën e tyre orale, duke përfshirë pastrimin e rregullt me furçë dhe pastrimin e dhëmbëve.

Ka pasur lidhje midis infeksioneve të parazitëve dhe erës së keqe të gojës, me një studim te fëmijët që zbuloi se dhënia e ilaçeve kundër parazitëve përmirësonte halitozën. Por kjo nuk do të thotë që nëse keni erë të keqe, jeni të “ngarkuar” me parazitë.

Puçrrat

Z. Rowland thotë gjithashtu: “Të gjithë fëmijët që kanë puçrra të vogla në anën e pasme të krahëve, ose puçrra të vogla në skajet e faqeve të tyre kanë pesë lloje të gjallesave në to.”

Puçrrat janë shenja ose njolla të vogla në lëkurë, të cilat zakonisht ndodhin kur poret bllokohen, veçanërisht si rezultat i akneve. Aknet kanë një sërë shkaqesh, duke përfshirë çështjet hormonale, medikamentet apo produktet kozmetike dhe mund të trajtohen me kremra apo ilaçe.

Një tjetër shkak i zakonshëm i puçrrave në lëkurë, përfshirë në krahë, është keratosis pilaris, një gjendje e padëmshme që mund të ndodhë kur folikulat e flokëve bllokohen me një grumbullim të keratinës, një substancë që trupi përdor për të krijuar lëkurë, flokë dhe thonjtë.

Krimbat e zorrëve, një parazit i zakonshëm tek fëmijët, mund të shkaktojnë acarim të lëkurës rreth anusit dhe organeve gjenitale, por puçrrat nuk njihen si simptoma të këtij infeksioni nga NHS.

Informacione të tilla të gabuara shëndetësore mund të sjellin konfuzion rreth shkaqeve dhe trajtimeve të sëmundjeve, të krijojnë mosbesim te profesionistët e shëndetit dhe të shpërqendrojnë personat që preken nga këto probleme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img