Librazhdi i pasur me pyje, por në pamundësi për t’u kujdesur për to

Si po e ndihmon bashkinë vlerësimi i performancës për të ofruar zgjidhje

30

Fatbardha Nergjoni

Në një kohë kur ndryshimet klimatike, zjarret në pyje dhe presioni mbi burimet natyrore po shtohen, mënyra sesi bashkitë menaxhojnë territorin dhe mjedisin është kthyer në një çështje, që prek jo vetëm komunitetet lokale, por edhe interesin publik kombëtar. Për një bashki si Librazhdi, që administron sipërfaqe të mëdha pyjore dhe promovohet si destinacion i turizmit natyror, sfida bëhet edhe më e madhe.

Bedri Rrenga është nga ata të rinj që ka vendosur të qëndrojë në vendlindje në Dardhë të Librazhdit. Ai është i bindur se menaxhimi i pyjeve nuk mund të bëhet pa banorët. “Jemi më mirë tani që nuk ka firma që menaxhojnë privatisht dhe dëmtojnë pyjet, por sigurisht që kontrolli i territorit nuk është ai që duhet të ishte. Ne si banorë jemi shumë të gatshëm të kontribuojmë pasi mali është pasuria jonë e përbashkët që na ndihmon për kullota, për dru për ngrohje, për rritjen e bletëve por edhe për turizëm”, shprehet ai.

Ashtu si Bedriu, edhe banorët e tjerë në Dardhë mendojnë se shteti duhet të jetë më prezent, por jo duke përjashtuar banorët nga bashkëpunimi.

Territor i madh, kapacitete të vogla

Bashkia Librazhd administron mbi 37 mijë hektarë pyje dhe kullota, një sipërfaqe me rëndësi të veçantë ekologjike dhe ekonomike, jo vetëm për komunitetin lokal, por edhe për zhvillimin e turizmit natyror në nivel kombëtar. Megjithatë, vetëm rreth 20% e kësaj sipërfaqeje rezulton e pajisur me plane mbarështimi, dokumente të domosdoshme për menaxhimin e qëndrueshëm të fondit pyjor. Ky plan i hartuar nga bashkia Librazhd i ka dhënë peshë në vlerësimin e performancës duke bërë që kjo bashki të përfitojë fondin e vënë në dispozicion nga ministria e Financave, si pjesë e instrumentit financiar incentivues që shpërndan fonde shtesë për bashkitë, bazuar në vlerësimin e performancës së tyre. Ky vlerësim gjithashtu ka bërë që bashkia Librazhd të vazhdojë të hartojë plane për mbarështimin e pyjeve pavarësisht kufizimeve financiare.

Aleksandër Brazhda, inxhinier pyjesh pranë Drejtorisë së Pyjeve të bashkisë Librazhd nëpërmjet një përgjigje me shkrim thekson se pavarësisht specifikave të territorit dhe llojeve të bimësisë, puna vazhdon. “Për vitin 2026 bashkia Librazhd ka planifikuar të hartojë plan mbarështrimi edhe për ekonomi të tjera pyjore në mënyrë që të rritet sipërfaqja e inventarizuar. Planifikimi për plane mbarështrimi është bërë në vlera që përballohen nga buxheti i bashkisë pasi për disa ekonomi pyjore kostoja e tyre është shumë e lartë për hartimin e tyre”.

Kapacitetet njerëzore mbeten minimale krahasuar me territorin në administrim. Sipas të dhënave të Bashkisë Librazhd, menaxhimi dhe mbrojtja e pyjeve realizohet nga 3 punonjës të sektorit të pyjeve dhe kullotave, 6 punonjës të mbrojtjes së pyjeve dhe një inspektor mjedisi, ndërsa logjistika kufizohet në një automjet terreni malor dhe disa pajisje bazike. Vetë institucioni pranon se bazuar në sipërfaqen pyjore dhe kërkesat ligjore, numri i stafit duhet të ishte më i madh, por kufizimet financiare të një bashkie të vogël e bëjnë rritjen e numrit me buxhet të pavarur, të parealizueshëm.

Situatë e njëjtë është edhe në menaxhimin e zjarreve dhe prerjeve të paligjshme, ku Bashkia Librazhd deklaron investime parandaluese si hapja e korridoreve mbrojtëse dhe rezervuarëve ujore në kullota, por ku sfidat e terrenit malor dhe mungesa e kapaciteteve mbeten të mëdha.

Aktualisht kemi një mjet për territorin malor dhe 16 zjarrfikës” thotë Elona Koçi, Drejtuese e Drejtorisë së Funksioneve të Patransferueshme.

Në vitin 2024 sipas një përgjigjeje me shkrim nga Sektori i Mbrojtjes së Pyjeve dhe Kullotave, janë përfshirë nga zjarri 9,302 hektarë pyje duke sjellë dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore. “Ky numër zjarrfikësish dhe mjetesh është i pamjaftueshëm për të përballuar situata të jashtëzakonshme që mund të ndodhin edhe me ndryshimet klimaterike”, thotë Elona Koçi, që ka në varësi edhe strukturat e mbrojtes nga zjarri dhe inspektimit të pyjeve”.

Ajo thekson se raporti i performancës shërben për një analizë reale të situatës, sfidave dhe objektivave që synojnë të realizohen në vazhdim.

Bashkia Librazhd ka në strategjinë e saj mbrojtjen e pyjeve si një traditë e hershme e këtij territori të lidhur me pyjet dhe kullotat. “Ne jemi të predispozuar të mbrojmë pyjet dhe kullotat në bashkëpunim me komunitetin ndaj duam të bëjmë maksimumin që të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe të ruhen pasi nuk janë vetëm pasuri e Librazhdit, por e të gjithëve”, thotë Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd. Raportet e performacës sipas tij, orientojnë planet dhe ndërhyrjet dhe nxisin punonjësit të kryejnë detyrat funksionale duke arritur qëllimin final për sa më pak pasoja në pyje, mjedis më të mirë dhe turizëm të qëndrueshëm.

Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd

Ne jemi të predispozuar të mbrojmë pyjet dhe kullotat në bashkëpunim me komunitetin ndaj duam të bëjmë maksimumin që të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe të ruhen pasi nuk janë vetëm pasuri e Librazhdit, por e të gjithëve“- Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd

Çfarë roli ka monitorimi i performancës?

Raporti i performancës së bashkive merr vlerë pikërisht në raste si ky. Ai nuk shërben vetëm për të identifikuar arritjet dhe problematikat, por edhe për të evidentuar nevojat strukturore që kërkojnë ndërhyrje më të gjerë institucionale.

Në rastin e Librazhdit, raporti ndihmon për të bërë të dukshme një problem që shpesh mbetet i fshehur në statistikat administrative: bashkitë me territor të madh pyjor dhe kapacitete të kufizuara po përballen me një disproporcion të madh mes detyrave dhe burimeve në dispozicion.

Në aspektin e menaxhimit të pyjeve dhe zjarreve, monitorimi i performancës mund të shërbejë si një mekanizëm paralajmërues, duke evidentuar boshllëqet në kapacitete, instrument planifikimi, për orientimin e investimeve dhe prioriteteve, mjet llogaridhënieje, për të kuptuar nëse shërbimet publike funksionojnë realisht. Po ashtu mund të shërbejë edhe si një argument për financim shtesë, sidomos për bashkitë që administrojnë pasuri natyrore strategjike.

Një pasuri që nuk i përket vetëm Librazhdit

Debati për performancën e bashkive në menaxhimin e pyjeve nuk mund të reduktohet vetëm në eficiencën administrative lokale. Pyjet e Librazhdit janë pjesë e një ekosistemi më të gjerë, me ndikim në biodiversitet, klimë, burime ujore dhe zhvillimin e turizmit natyror. Dëmtimi i tyre nga zjarret apo menaxhimi i dobët nuk prek vetëm një bashki, por pasoja që ndihen shumë më gjerë.

Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh thotë se pyjet dhe kullotat janë të një rëndësie të veçantë për mjedisin dhe ekonominë e vendasve. “Banorët mund të jenë mbrojtësit më të mirë të një territori ndaj duhet bashkëpunuar shumë me komunitetin. Ata e kanë traditë ruajtjen e kullotave dhe të pyllit se i shërben vetë atyre për ekonominë familjare, por edhe i shërben turizmit lokal për prodhimet blektorale natyrale që kërkohen më shumë në kohët e sotme”. Mehmeti thekson se kalimi i pyjeve në menaxhimin e bashkive është pozitiv, por duhet të shoqërohej edhe me mbështetjen e bashkive për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

Ndërkohë eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali thotë se bashki specifike si rasti i Librazhdit duhet të kenë trajtim specifik.

Bashki si Librazhdi, Puka apo Tropoja, që administrojnë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe mbajnë një përgjegjësi me rëndësi kombëtare për biodiversitetin, klimën dhe zhvillimin rural, duhet të kenë trajtim të veçantë”– Agron Haxhimali

Ai pranon se sektori i pyjeve vuan më shumë sa i përket vlerësimit të performancës. “70 % e bashkive e kanë nivelin e performancës së përgjithshme në menaxhimin e pyjeve të dobët përsa i përket planeve, por edhe financave dhe përfitimeve ekonomike. Pyjet nuk janë vetëm aset lokal, por pasuri kombëtare dhe europiane, ndaj duan mbështetje serioze sistemike”, thekson Haxhimali.

Raporti i performancës duket se ka shërbyer si një instrument për të evidentuar situatën reale dhe për të nxitur një orientim dhe planifikim më të mirë në vazhdim nga vetë institucioni vendor. Edhe nëse nuk mund të sigurojë vetë të gjitha  fondet dhe infrastrukturën në mbrojtje të aseteve natyrore që administron, bashkia Librazhd është në rrugën e duhur për të identifikuar nevojat, planifikuar paraprakisht ndërhyrjet dhe orientuar kërkesat nga qeverisja qëndrore apo projekte të tjera ndërkombëtare.