Uesli Didani
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika serioze në administrimin financiar dhe menaxhimin e pasurive publike në Bashkinë Sarandë për vitin 2024, duke ngritur shqetësime të forta mbi transparencën, kontrollin institucional dhe mënyrën e administrimit të aseteve publike.
Sipas raportit të KLSH, një nga problematikat më shqetësuese lidhet me ekzistencën e aktiveve të trashëguara të pa inventarizuara që prej vitit 1999.
Në bilancin financiar të Bashkisë Sarandë figuron një vlerë prej 1,761,146 lekësh në kategorinë “Ndërtesa dhe Konstruksione”, pa një identifikim të qartë mbi natyrën reale të këtyre aseteve.
Audituesit theksojnë se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në saktësinë e pasqyrave financiare dhe në besueshmërinë e informacionit kontabël të institucionit.
Një tjetër çështje e rëndë e evidentuar nga auditimi lidhet me regjistrimin në kontabilitet të një vlere prej 29,568,137 lekësh me përshkrimin “rikonstruksion”, pa dokumentacion të detajuar dhe pa analizë konkrete mbi punimet apo projektet që përfaqëson kjo shumë.
Sipas KLSH, mungesa e analizës së këtyre fondeve e bën të pamundur verifikimin e përdorimit real të parave publike.
Në raport evidentohet gjithashtu se mbi 5,133 hektarë pyje dhe kullota të transferuara në pronësi të bashkisë nuk janë pasqyruar në bilancin financiar të vitit 2024.
Auditimi thekson se për shumë prona mungojnë certifikatat e pronësisë, nuk është kryer inventarizimi fizik dhe nuk ekziston një regjistër i plotë i aseteve, duke krijuar një situatë që sipas ekspertëve rrit ndjeshëm rrezikun për humbje të pasurisë publike, konflikte pronësie apo abuzime administrative.
Për të kuptuar më qartë rëndësinë e këtyre gjetjeve, iu drejtuam një eksperti të pavarur të financave publike, i cili pranoi të komentonte raportin me kushtin që identiteti i tij të mos bëhej publik.
Sipas tij, problematikat e evidentuara nga KLSH nuk mund të konsiderohen thjesht mangësi teknike apo burokratike.
“Nga këndvështrimi i financave publike, këto janë probleme serioze që tregojnë dobësi të thella në sistemin e kontrollit të brendshëm dhe në administrimin e aseteve publike. Kur një bashki nuk ka inventar të saktë të pasurive, nuk di me saktësi çfarë zotëron dhe nuk justifikon qartë përdorimin e fondeve publike, krijohet një problem i madh transparence dhe llogaridhënieje”, u shpreh eksperti.
Ai theksoi se fakti që asete publike figurojnë të paidentifikuara prej më shumë se dy dekadash tregon mungesë të vazhdueshme kontrolli institucional ndër vite.
“Në standardet normale të administrimit publik, çdo aset duhet të jetë i inventarizuar, i regjistruar dhe i verifikueshëm fizikisht. Nëse kjo mungon për 20 apo 25 vite, atëherë kemi të bëjmë me një dobësi serioze administrative”, deklaroi ai.
Lidhur me fondin prej rreth 29.5 milionë lekësh të regjistruar si “rikonstruksion” pa analizë të detajuar, eksperti tha se kjo dobëson gjurmueshmërinë financiare të investimeve publike.
“Çdo shpenzim publik duhet të ketë dokumentacion të plotë teknik dhe financiar. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku janë investuar fondet, çfarë punimesh janë kryer dhe cili ka qenë rezultati konkret i investimit”, theksoi ai.
Eksperti ngriti shqetësim edhe për mos pasqyrimin në bilanc të mbi 5 mijë hektarëve prona publike.
“Kjo është një çështje shumë sensitive, sepse prona publike duhet të jetë e mbrojtur juridikisht dhe financiarisht. Nëse prona nuk është e regjistruar dhe e inventarizuar, ekziston rreziku i humbjes së kontrollit mbi të apo i konflikteve të ardhshme”, deklaroi ai.
Sipas specialistit të financave publike, raporti i KLSH nuk provon automatikisht ekzistencën e korrupsionit, por tregon qartë mungesë të mekanizmave efektivë të kontrollit financiar dhe nevojën për reforma të menjëhershme administrative.
Faktoje iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Sarandë më datë 2 maj 2026 me një kërkesë për informacion, duke kërkuar sqarime mbi masat konkrete të marra pas rekomandimeve të KLSH dhe mbi gjendjen aktuale të administrimit të pasurive publike.
Në kërkesën dërguar bashkisë u kërkua informacion nëse është ngritur dhe është gjithashtu funksional një regjistër i plotë analitik për të gjitha asetet e Bashkisë Sarandë, në përputhje me standardet ligjore në fuqi.
Gjithashtu u kërkua të dihej se çfarë hapash konkrete janë ndërmarrë për pajisjen me certifikata pronësie të pasurive të paluajtshme dhe sa prej tyre janë regjistruar realisht deri më sot.
Gjithashtu nëse është kryer inventarizimi fizik i aseteve pas rekomandimeve të KLSH dhe nëse bashkia disponon një raport të përditësuar mbi gjendjen reale të tyre. Një tjetër pyetje kishte të bënte me pasqyrimin në bilanc të sipërfaqeve prej mbi 5,133 hektarësh të transferuara në pronësi të bashkisë dhe progresin konkret të realizuar në këtë drejtim.
Në kërkesën për informacion u kërkua gjithashtu të sqarohej statusi aktual i 13 certifikatave të pronësisë të përfituara gjatë vitit 2024 dhe nëse ato janë regjistruar në sistemin kontabël të bashkisë. Po ashtu, kërkuam informacion nëse Bashkia Sarandë disponon një plan veprimi të detajuar për zbatimin e rekomandimeve të KLSH dhe nëse ky plan është i aksesueshëm për publikun.
Një tjetër pyetje kishte të bënte me përqindjen e rekomandimeve të KLSH që konsiderohen të zbatuara deri më sot dhe cilat prej tyre mbeten ende problematike.
Gjithashtu u kërkua informacion nëse janë marrë masa administrative apo disiplinore ndaj personave përgjegjës për shkeljet e evidentuara në auditim.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga dërgimi i kërkesës zyrtare, Bashkia Sarandë nuk ka kthyer asnjë përgjigje për pyetjet e adresuara.






