Një javë nga nisja e shkollës, nxënësit nuk kanë arritur që të pajisen me libra të rinj. Prindërit shprehin shqetësimin se librat e dhënë falas janë të papërdorshëm, ndërsa libraritë sqarojnë se nuk dihet se kur mund të vijnë tekstet e reja. Nga ana tjetër, ekspertët e arsimit thonë se mungesa e librave është një dështim për nisjen në kohë të procesit mësimor.
——————————————————————————————-
Një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2022-2023, Faktoje raportoi se librat e shpërndarë falas për nxënësit janë të papërdorshëm. Ky shqetësim u ngrit nga prindërit, por edhe nga përfaqësues të Partisë së Lirisë.
“Ky është një tekst i gjuhës shqipe është i shkatërruar. Teksti është i plotësuar me laps ose stilolaps dhe shumica e faqeve janë jo vetëm me shënime, por dhe me vlerësime nga mësuesit…Para se ministrja të dalë e të thotë arsimi falas unë u them: Ku e kanë arsimimin falas, kur librat janë në një dëmtim të plotë. Si mundet një fëmijë në klasën e 3 të mësojë me një libër me shkarravina dhe prindërit detyrohen t’i blejnë?!” deklaroi përfaqësuesja e PL, Miranda Rira më 9 shtator.
Shqetësimi i prindërve dhe nxënësve për tekstet është i madh, pasi ata po përballen me mungesa të tyre nëpër librari.
“Ka një javë që ka nisur shkolla dhe nuk po gjej 4 libra për fëmijën, Gjuhën Shqipe, Historinë, Qytetarinë dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Çdo ditë kam pyetur nëpër librari, por më thonë që ende nuk kanë ardhur, pritet të vijnë këto ditë. Shpresojmë të vijnë sa më parë, pasi Gjuha Shqipe është një libër shumë i nevojshëm për nxënësit dhe teksti i vjetër është i plotësuar dhe nuk mund të përdoret”, tregon Enkelejda, nëna e një nxënëseje në klasën e katërt.
Faktoje pyeti në disa nga libraritë në Tiranë, ku na u bë e ditur që ka mungesë të librave tek të gjitha klasat.
“Mungesë të teksteve ka në të gjitha klasat. Mungojnë 2-3 apo 4 libra, varet nga klasa. Problem janë klasat e katërta dhe ato të gjashta. Vijnë pyesin prindërit çdo ditë, sepse as ne vetë nuk e dimë kur do na vijnë. Mungesa ka, pasi nuk janë bërë porositë e sakta nga shkollat dhe shtëpitë botuese aktualisht po ribotojnë. Ndoshta nga e mërkura e javës tjetër mund të vijnë, nuk dimë gjë saktësisht”, tregon pronarja e një prej librarive në Tiranë.
Tekstet shkollore në një librari në Tiranë
Në lidhje me këtë problematikë, Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” i tha Faktoje se shqetësimet e prindërve kanë qenë të shumta.
“Sa i përket librave të përdorur, shumë prindër janë ankuar dhe normalisht kjo është një praktikë, e cila nuk ndodh kështu në vendet e tjera. Në Itali përshembull, deri në klasën e pestë fëmijëve u jepen libra të rinj dhe jo libra, të cilat janë të shkarravitur apo të përdorura. Dhe për shkak të kësaj problematike, prindërit kanë vendosur që të blejnë libra të rinj për fëmijët e tyre.
Kjo kërkesë e lartë ndoshta për libra ka bërë edhe që të mos ketë në treg libra për t’u shitur. Por sigurisht kjo është një përgjegjësi që bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe autoritetet arsimore në vend, të cilët duhet që të parashikonin furnizimin e librarive dhe tenderat që ata bëjnë shpesh’herë për librat shkollorë. T’i kishin marrë njëherë këto masa”, bëri të ditur Xhemollari.
Më tej ai shton se fakti që nxënësit nuk kanë arritur të marrin tekstet, mund të konsiderohet edhe si një dështim për nisjen në kohë të procesit mësimor.
“Problematikë tjetër në këtë drejtim është fakti që nëse një nxënës shkon pa libra, është si të shkojë në shkollë pa mësues. Pjesë e rëndësishme e procesit mësimor është edhe çështja e punës së pavarur edhe e punës në shtëpi, e cila është e orientuar dhe mbështetur mbi tekstet shkollore. Kjo mund të konsiderohet edhe si mos-nisje e mësimit në kohë, nëse nxënësit nuk janë të pajisur me libra shkollorë”, argumenton Xhemollari.
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti rendit disa nga problemet që kanë tekstet e përdorura që u shpërndahen nxënësve.
“Tekstet shkollore, të cilat dorëzohen e më pas jepen falas në përdorim, është një problem i kahershëm që nuk po gjen zgjidhje. Këto tekste kanë një sërë problemesh, që i bëjnë të papërdorshme për nxënësit. Mes tyre do të reshtonim faktin se jo të gjtihë fëmijët i mirëmbajnë këto tekste, pasi në fund të fundit janë fëmijë dhe kujdesi humbet me kalimin e muajve në shkollë, transportimi i tyre, lënia në vende jo të përshtatshme me lagështirë etj.
Po ashtu një pjesë e teksteve, si leximi, gjuha e huaj apo edhe matematika kërkohet që nxënësi të plotësojë brenda tekstit me laps apo edhe me stilolaps. Mësuesi në këtë rast nga ana e tij, mund të bëjë shënime të ndryshme për arritjen e nxënësve etj. Pra tekstet e përdorura janë thjesht një demagogji për të thënë se fëmijët shqiptarë i marrin falas, por ato nuk janë funksionale.
Nga ana tjetër për çdo fillim viti mungojnë tekste të gjuhëve të huaja apo edhe tekste të tjera, çka bën që fëmijët, por edhe mësuesit të kenë vështirësi për të mbushur këto boshllëqe që krijohen nga vonesat me furnizim tesktesh shkollore që shikohet si një mungesë e theksuar veçanërisht në shkollat me numër të ulët nxënësish, ku interesi i botuesit është më i pakët”, thekson eksperti i arsimit.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar se cila do të jetë zgjidhja për nxënësit që ende nuk janë pajisur me tekste të reja. Jemi në pritje të të një përgjigjeje nga ky institucion, duke zbatur afatin e ligjit për të drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar DPAP, 16 shtator 2022
Në muajin qershor të këtij viti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nëpërmjet një postimi në Facebook bëri të ditur se ishin rishikuar dhe përmirësuar gabimet në disa prej teksteve shkollore.
“Pas shqetësimeve të ngritura vitin e kaluar në lidhje me disa pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet shkollore, nisëm një proces të gjatë e të thelluar për përmirësimin e tyre.
Tashmë, të gjitha këto botime të reja më cilësore, disa shembuj të të cilave i gjeni në foto, janë gati dhe vitin e ardhshëm shkollor do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve.
Falënderoj ASCAP dhe Rrjetet Profesionale të Mësuesve për angazhimin dhe kontributin e dhënë në këtë proces të rëndësishëm”, shkroi Kushi në Facebook më 10 qershor.
Screenshot nga postimi i ministres Kushi
Mirëpo, duke qenë se nxënësit kanë marrë tekste të përdorura, me shumë gjasa këto përmirësime nuk janë reflektuar as këtë vit shkollor.