Pretendimi: Papë Françesku ka shkruar këtë letër ku lavdëron spitalet pasi doli nga spitali
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Pas daljes së Papë Franceskut nga një spital në Romë ku qëndroi shtruar për 40 ditë, një letër që i atribuohet atij nisi të qarkullonte në rrjete sociale.
Mesazhi që pretendohet se është shkruar nga Papa Françesku që fillon fjalinë: “Muret e spitaleve kanë dëgjuar lutje më të sinqerta se shumë kisha”. Pjesa tjetër e tekstit është një lavdërim për spitalet, sepse, sipas tij, ato janë vendet “ku qeniet njerëzore heqin maskat dhe tregojnë veten për atë që janë, në thelbin e tyre të vërtetë”.
Mesazhi vijon duke thënë se, duke qenë se “kjo jetë do të kalojë shpejt”, është më mirë të mos bëni një sërë veprimesh si debati, ankimi i tepërt dhe hidhërimi. Teksti përfundon me këtë fjali: “Duani më shumë, falni më shumë, përqafoni më shumë, jetoni më intensivisht… dhe pjesën tjetër lëreni në duart e Krijuesit!”
Papa u kthye në Vatikan më 23 mars 2025 pasi ishte shtruar në spital për gati dyzet ditë në Policlinico Gemelli në Romë për shkak të pneumonisë.
Ai nuk duket se ka shkruar ndonjëherë një mesazh të tillë, siç mund të verifikohet duke u konsultuar me faqen zyrtare të Selisë së Shenjtë, e cila përmban të gjitha fjalimet e Papës.
Në fakt, pjesë të këtij mesazhi (në spanjisht dhe anglisht) kanë qarkulluar në internet prej vitesh dhe jo gjithmonë i janë atribuar Papa Françeskut. Fjalia e parë e tekstit – “Muret e spitaleve kanë dëgjuar lutje më të sinqerta se shumë kisha” – qarkullonte në rrjete sociale përpara se Jorge Mario Bergoglio të zgjidhej papë në 2013.
Në vitin 2015, pas përhapjes së një mesazhi tjetër të rremë që i atribuohej Papës, Selia e Shenjtë shpjegoi se “këto lloj tekstesh që qarkullojnë në internet, që i atribuohen Papa Françeskut, në përgjithësi nuk tregojnë datën ose rastin kur ai i shqiptoi ato fjalë. Përndryshe, do të ishte e lehtë për këdo që të shkonte në faqen zyrtare të Selisë së Shenjtë dhe të verifikonte nëse ishin vërtet fjalë të Papës”.
Njoftimi zyrtar përfundonte me këtë ftesë: “Nëse shihni një lajm apo tekst që i referohet Papa Françeskut dhe që ju duket i çuditshëm, shkoni në burimet e Vatikanit për të parë nëse shfaqet edhe atje. Nëse fjalët që i atribuohen Papës nuk shfaqen në mediat zyrtare të Vatikanit, veçanërisht në faqen zyrtare të Selisë së Shenjtë, ka shumë të ngjarë të jenë të rreme.”
Gazeta katolike Avvenire e përshkroi mesazhin që po qarkullon në rrjete sociale si një tekst që “mund të kujtojë shprehjet bergogliane” dhe i cili, në fakt, për t’u dukur më i besueshëm, përdor disa shprehje të thëna vërtet nga Papa të përziera me fjali të përgjithshme motivuese.