Pretendimi: Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” është tërhequr zyrtarisht nga aplikimi për lejen e ndërtimit të resortit turistik që ishte parashikuar në Zvërnec pas protestave në Tiranë
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————–
Ndërsa protestat kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peisazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë hyjnë në ditën e 20-të, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se kompania “Zvërnec South Adriatic Development” është tërhequr zyrtarisht nga aplikimi për lejen e ndërtimit të resortit turistik që ishte parashikuar në Zvërnec pas protestave në Tiranë.

Megjithëse postimi i mësipërm i referohet MCN TV, nga një kërkim në faqen zyrtare të televizionit nuk rezulton i dokumentuar ndonjë lajm i tillë.
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, kompania zhvilluese është tërhequr vërtet nga leja e ndërtimit.
Mgjithatë, kjo ka ndodhur që në mars 2025, më shumë se një vit përpara nisjes së protestave qytetare në qershor 2026.
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZhT) konfirmoi se zhvilluesi kishte depozituar një aplikim për leje ndërtimi dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) kishte marrë një vendim, më 28 janar 2025, për miratimin me kusht të lejes për një projekt në Zvërnec.
Sipas AZhT, kjo vendimmarrje për leje ndërtimi nuk është zbardhur dhe për pasojë nuk është më në fuqi, sepse kompania është tërhequr nga aplikimi më 27 mars 2025.

“Në lidhje me këtë aplikim, KKTU me Vendimin Nr. 39 datë 28.01.2025 ka miratuar me kusht Lejen e Ndërtimit (…) vendimmarrje e cila nuk është zbardhur si dhe nuk është më në fuqi, pasi subjekti zhvillues ka depozituar deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës është tërhequr aplikimi i sipërcituar. Ju bëjmë me dije se subjekti është tërhequr nga aplikimi më datë 27.03.2025,” deklaroi AZhT për Faktoje.
Vlen të përmendet edhe se, sipas ligjit, leja e zhvillimit duhet të miratohet përpara dhënies së lejes së ndërtimit. Megjithatë, deri në botimin e këtij shkrimi kjo leje nuk është zbardhur dhe nuk gjendet e publikuar online.






