.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëLajmi për deklaratën e ambasadores Yuri Kim mbi arrestimin e Berishës dhe Metës, është i rremë

Lajmi për deklaratën e ambasadores Yuri Kim mbi arrestimin e Berishës dhe Metës, është i rremë

Një lajm i publikuar nga portalet në lidhje me një deklaratë e cila pretendohet se është bërë nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, nuk është i vërtetë. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se kjo deklaratë nuk është bërë nga zyrtarja amerikane, por ai “shitet” nga media online duke dizinformuar lexuesit, thjesht për të tërhequr klikime për një çështje sensitive në Shqipëri.

Më 14 gusht, portali eazy24news.com ka publikuar një artikull në lidhje me një deklaratë që pretendohet se është bërë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim në lidhje me dy arrestime të “bujshme”.

“Be.fason Yuri Kim, Berisha dhe Meta do arr.estohen në të njëjten ditë”, është ky titulli i artikullit të shpërndarë nga kjo media online.

Screenshot nga artikulli I portalit

Nisur nga interesi publik për çështjen, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit të portalit. Janë disa elementë që të bëjnë të dyshosh mbi vërtetësinë e këtij lajmi. Së pari, titulli me terma sensacionale si “befason”, si një formë për të tërhequr lexuesit. Gjithashtu vihet re që në titull ka gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi të panevojshme. Veç këtyre, artikullit i mungon emri i autorit, duke shtuar më tej dyshimet.

Titulli i lajmit nuk është shkruar në mënyrë korrekte, me gabime drejtshkrimore dhe duke përdorur pika të shumta mes fjalëve.

Ky element nxit dyshimet mbi vërtetësinë e lajmit dhe seriozitetin e portalit që e ka publikuar. Nëse do të shohim në brendësi të artikullit vihet re që nuk ka asnjë deklaratë të ambasadores amerikane për këtë çështje. Ligjërata e shkrimit nuk tregon në mënyrë të qartë se kush e ka shkruar atë dhe lajmi kalon sa në vetë të parë, në vetë të tretë.

Por, mes rreshtave, ku gabimet drejtshkrimore janë të shumta, theksohet: “Shkruan Sokol Pepushaj Afrimi i ditës së pr angave për ‘Pe shqit’ e mëdhenj, ka ngr i tu r të “vd e ku r i t” nga “va rri”. Sali Berisha, Edi Paloka e Edi Rama, Ylli Manjani, Flamur Noka, Baton Haxhitë, Lorenc Vangjelët, An.di Bushatët e Alfred Pezët me pa.gesa shu m ëf i sh të Pr esidentit Amerikan në mediet me su bstancë kr i mi n”.

Gjatë një kërkim të thjeshtë që Faktoje bëri në Google, rezulton se lajmi është publikuar edhe në disa portale të tjera apo kanale në Youtube si: Timesdainik.com, Lajme.knews898.com, Pamfleti.net, Paparazzi.

Fillimisht lajmi i pabazuar në asnjë fakt apo deklaratë është publikuar më 6 prill 2022 në kanalin e Youtube të Pamfleti.net, ku shihet që ka marrë mijëra klikime dhe mjaft komente.

Ndërkohë, më 14 gusht 2022 është ricikluar nga portali eazy24news.com, një mënyrë kjo për të tërhequr sa më shumë klikime.

Gjatë një kërkimi të bërë edhe në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe në llogaritë zytare të zonjës Kim në Instagram dhe Twitter, ku shihet që nuk ka një deklaratë të tillë nga shefja e diplomacisë së SHBA-ve, Yuri Kim.

Përdorimi i titujve të tillë si “karrem” për të tërhequr vëmendjen dhe kuriozitetin e lexuesit nuk është aspak etik për një media dhe për më tepër, kur bëhet fjalë për një “fake news”.

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img