Aktori i njohur Mirush Kabashi gëzon shëndet të plotë, pavarësisht lajmeve të rreme të shpërndara në mediat online. Reagimet kanë qenë të ashpra nga miq dhe të afërm të aktorit për artikullin dizinformues, mirëpo përpos kësaj, disa prej mediave online vazhdojnë ta kenë të pasqyruar në faqet e tyre.
Në ditën e parë të vitit, kur është edhe më e vështirë që të verifikohen lajme të tilla, portalet raportuan mbi ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.
“Ndërron jetë në moshën 73 vjeçare, aktori i madh shqiptar, Mirush Kabashi”, raporton portali Fokusi.info.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Gjithashtu, ky lajm është publikuar edhe në portale të tjera, duke përdorur edhe tituj “prekës”: “Lamtumirë – Mirush Kabashi”. Të shumtë ishin lexuesit që komentuan duke shprehur ngushëllime apo hidhërimin për këtë lajm për aktorin e dashur.
Më 31 dhjetor në mbrëmje, aktori i njohur bëri një postim në rrjetet sociale ku uroi një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët.
Urimi i shpërndarë nga zoti Kabashi
Mirëpo, gjatë një verifikimi të thjeshtë në rrjete sociale të besueshme rezulton se artikulli në fjalë është i rremë. Të afërm dhe miq të aktorit e kanë përgënjeshtruar menjëherë lajmin e shpërndarë në mediat online.
I kontaktuar nga mediat në orët në vijim, aktori i njohur Mirush Kabashi u shpreh se gëzon shëndet të plotë, teksa shtoi se nuk ishte hera e parë që përsëritet një lajm i tillë.
“Unë jam gjallë, mos u shqetësoni, të paktën këtë shqetësim ia hiqni njerëzve, demantojeni një lajm i cili po përsëritet, që është i rremë, si duket ka efekte”- u shpreh ai.
Edhe në vitin 2021 në mediat online u raportua për ndarjen nga jeta të aktorit, por gjithçka u përngënjeshtrua nga zoti Kabashi.
Një reagim i ashpër për këtë lajm të rremë erdhi edhe nga aktori Çun Lajçi. Nëpërmjet një ironie therëse, ai shkroi ndër të tjera në Facebook: “Edhe nëse vdiqëm, kemi vdekë për vete, jo për juve. Por meqë je artist nderi e mjeshtër fjale, përbije edhe ket shkrim dashakeq, se shpirtzitë e kan për ca lek…”. Në nëntor 2020, vetë aktori Lajçi ishte subjekt i një lajmi të pavërtetë që lajmëronte ndarjen e tij nga jeta.
Postimi i aktorit Çun Lajçi në Facebook
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin