Një video e ricikluar mbi sulmin me bojë ndaj kryeministrit Edi Rama bëri që shumë portale të bien pre e lajmit të rremë. “Faktoje” verifikoi se video i përket vitit 2019 dhe jo seancës plenare të mbajtur më 2 shkurt. Asokohe Rama u sulmua me bojë nga deputeti Edi Paloka.
————————————————————————————————————-
Tensionet e paralajmëruara në seancën e djeshme parlamentare ku kërkohej një interpelancë me kryeministrin Rama, kanë shërbyer si nxitje për publikimin në disa portale të lajmit të rremë për një sulm ndaj kryeministrit shqiptar. Artikulli me titull “Tensione në seancë, Edi Rama sulmohet me ‘serum’ nga opozita”, i portalit “Lajmi.net”, është ndarë menjëherë nga portalet në Kosovë, Maqedoni dhe mediat e tjera shqipfolëse në rajon.
“Në Shqipëri është duke u mbajtur seanca e Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë seancë Edi Rama u sulmua me ‘serum’ nga deputetët e opozitës. Seanca parlamentare e së enjtes nisi me debate, teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Ata kërkonin mocion me debat me Kryeministrin për çështjen ‘McGonigal’, por kjo kërkesë u rrëzua”- thuhet ndër të tjera në lajmin e publikuar duke e shoqëruar edhe me videon e sulmit.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portalet
I njëjti titull dhe tekst u publikua nga portale të tjera si “Dukagjini.com”, “Gazeta Papirus.com”, “Klan Macedonia”, “Kosova News.net”, “Bota Sot”, “Veriu.Info”, “Shenja.Tv”, “Periskopi.com”, “Insajderi.org”, “Epoka e Re”.
Për këdo që ndjek zhvillimet e ditës është e lehtë të kuptohet se bëhet fjalë për një lajm të pavërtetë pasi kryeministri Rama ishte present gjatë seancës së datës 2 shkurt, gjë që ngjalli edhe tensionimin e opozitës që kërkoi interpelancë me të për çështjen ‘McGonigal’, ish-drejtorit të FBI, të vendosur nën akuzë nga SHBA.
Gjithashtu, disa elementë të tjerë nga verifikimi i videos zbulojnë se bëhet fjalë për një ngjarje të vjetër. Në krah të Ramës, në momentin e sulmit, ndodhet Erion Braçe, i cili prej shtatorit të vitit 2021 nuk është më në postin e zv/kryeministrit. Nëse do të bëjmë një verifikim të thjeshtë të fotos me “TinEye” rezulton se imazhi qarkullon në rrjet që prej shkuritt të vitit 2019. Është evidente se video i përket sulmit me një shiringë me bojë ndaj kryeministrit Rama nga deputeti Edi Paloja në seancën plenare të mbajtur më 14 shkurt të vitit 2019.
Autorët e lajmit të pavërtetë kanë përdorur një ngjarje të vërtetë të 4 viteve më parë, duke e risjellë në sfondin e ngjarjeve aktuale në parlament për të krijuar një lajm të rremë bombastik.
Shënim:
Data 6 shkurt 2023 portali https://lajmi.net e ka korrigjuar lajmi pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Data 6 shkurt 2023 portali https://www.periskopi.com/ e ka korrigjuar lajmin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.