.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLajmi i pabazuar frymëzuar nga Alfred Cako për miliona viktima nga lija e majmunit

Lajmi i pabazuar frymëzuar nga Alfred Cako për miliona viktima nga lija e majmunit

Portalet online kanë publikuar një postim të konspiracionistit, Alfred Cako, ku ky i fundt ngre alarmin për linë e majmunit. Pa asnjë fakt dhe evidencë shkencore Cako flet për miliona viktima nga kjo sëmundje, ndërsa postimi është sjellë nga portalet si një zbulim i radhës i konspiracionistit, duke krijuar panik te qytetarët.

——————————————————————————————————–

“Alfred Cako vazhdon me zbulimet e tij: ‘do ta hedhin prapë, s’do na lejojnë të prekemi me njëri-tjetrin”, është ky titulli i artikullit të publikuar nga portali “Korça Blog” më 26 gusht.

Artikulli i referohet një postimi të bërë nga konspiracionisti Alfred Cako në profilin e tij në Instagram.

Postimi i Alfred Cakos në Instagram, 26 gusht

Që në titull ky shkrim ngjall panik te lexuesit, duke e “shitur” këtë deklaratë si një zbulim të radhës, edhe pse nuk është i bazuar në fakte shkencore. Artikulli flet për një tjetër “flamë” që përmendet nga Cako, por nuk specifikon për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Në shkrim nuk ka një screenshot të postimit të bërë nga konspiracionisti, por vetëm thuhet që është postuar në Facebook. Në fakt, postimi nga Cako është bërë në Instagram dhe i referohet lisë së majmunit.

Nëse do t’i referohemi edhe postimit të bërë nga Alfred Cako shihet që ka pasaktësi, pasi sipas të dhënave zyrtare numri i viktimave nga Covid-19 në mbarë botën është 6.4 milionë dhe jo 550 mijë siç thekson konspiracionisti.

“A s’ju pata thënë para disa muajsh që asgjë nuk ka mbaruar?! Disa u tallën. Nëse nga flama e parë ikën me ekzagjerime e zëmë 550 mijë, me këtë tjetrën do arrijnë tek 3 miliardë të prekur, 250 milionë te cofur deri në fund të 2023 dhe shumë të verbuar”, është ky alarmi që ngre konspiracionisti Cako, duke krijuar shqetësim te qytetarët.

Disa portale të tjera që e kanë publikuar këtë deklaratë të pabazuar në fakte shkencore janë: SOT, OnlineNews54.com, Priza.al, Adrianet.al, Shqiperiaime.com.

Por, çfarë thonë ekspertët për linë e majmunit?

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lija e majmunit nuk është një sëmundje e re. Ajo u zbulua për herë të parë te një majmun në vitin 1958, ndërsa infeksioni i parë të njerëzit u zbulua në vitin 1970 te një fëmijë i vogël në Republikën e Kongos.

Sipas të dhënave të fundit që Reuters ka publikuar, më shumë se 90 vende ku lija e majmunëve nuk është endemike kanë raportuar shpërthime të sëmundjes virale

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur linë e majmunit një emergjencë shëndetësore globale, pasi rastet e konfirmuara kaluan 46,300.

Mirëpo, ekspertët e Shëndetit Publik theksojnë fort se nuk ka vend për panik

“Për njerëzit, niveli i vdekshmërisë është në rreth 10-17%. Zakonisht është një sëmundje e butë dhe vetëm individët me mangësi imunitare do të kenë probleme”, thotë Jorge Osorio, drejtori i Institutit të Shëndetit Global në Universitetin Wisconsin-Madison.

Në vendin tonë, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik nuk ka asnjë rast të konfirmuar me linë e majmunit.

“Nuk ka vend për panik, për shqetësim dhe alarm. Risku për Shqipërinë klasifikohet i ulët si nga OBSH-ja edhe nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP. Fatmirësisht deri tani nuk kemi asnjë rast të dyshur. Shumica e rasteve janë në kontinentit europian dhe klinika ka qenë e lehtë dhe mesatare”, sqaroi eksperti i ISHP, Artan Simaku në fund të muajit korrik.

Gjithashtu ekspertët theksojnë fort se nuk ka vend për t’u shqetësuar.

“Është një sëmundje me transmetueshmëri shumë të ulët, kërkon një kontakt shumë të ngushtë për ta transmetuar. Transmetueshmëria është me kontakt shumë të ngushtë personal nga njeriu tek njeriu ose nëpërmjet sipërfaqeve që një njëri i prekur i ka prekur dhe i prek dikush tjetër, por duhet të ketë çarje në lëkurë që të transmetohet. Sidomos tani që jemi në verë, që jemi në kontakt me mikrobet mund të kemi skuqje të lëkurës, por nuk duhet ngatërruar me linë e majmunit, lija e majmunit është një gjë shumë e rrallë”, shprehet epidemiologu Ilir Alimehmeti.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img