.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëLajme të rreme vënë në dyshim efikasitetin e vaksinave të Covid-19

Lajme të rreme vënë në dyshim efikasitetin e vaksinave të Covid-19

Pak ditë më parë portali “Gazetaz” publikoi një lajm ku pretendohej se avokati Altin Goxhaj kishte deklaruar se personat e vaksinuar kundër Covid-19 po humbin jetën. Pas komunikimit me zotin Goxhaj dhe verifikimit të artikullit, Faktoje konstatoi se ky lajm ishte i pavërtetë. Ndërkohë, OBSH dhe ekspertët argumentojnë se vaksinat na mbrojnë nga infeksioni.

—————————————————————————-

Një lajm i pabazuar në fakte, ku hidhen akuza ndaj mjekëve dhe vihet në dyshim efikasiteti i vaksinave po qarkullon online, publikuar nga portali “Gazetaz”.

“Deklɑɾɑtë shokʋese e ɑvokɑtít Altín Goxhɑj: Të vɑksínʋɑɾít po vdesín, kɑnë …” Ky është tituli i një lajmi të publikuar në datën 15 korrik në portalin Gazetaz.

Screenshot nga portali Gazetaz

Faktoje bëri një verifikim në lidhje me këtë lajm, pasi ky artikull prek dhe ndikon tek një pjesë të madhe të qytetarëve, në një kohë kur jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota, po përballet me rritjen e shifrave të të infektuarve me COVID-19.

Që në titull ky lajm krijon panik te lexuesit, pasi bëhet fjalë për një çështje mjaft delikate, siç është vaksinimi kundër koronavirusit. Më tej, nëse do të futemi në brendësi të artikullit shihet që lajmi nuk ka asnjë reference, as me burime e për me tepër nga ana e një autoriteti apo eksperti shendetësor.

Në shkrim pretendohet se nje figurë publike si Altin Goxhaj, i cili aktualisht ka shpallur dhe kandidaturën për drejtimin e institucionit të Avokatit të Popullit, e ka bërë këtë deklaratë gjatë një program televiziv, por nuk bëhet e ditur se në cilin emision dhe në çfarë periudhë kohore është bërë deklarata.

Screenshot nga lajmi i publikuar në portalin ‘Gazetaz’

Ne bëmë një kërkim të thjeshtë në “Google”, ku rezulton se ky artikull është publikuar më herët edhe në disa portale të tjera, saktësisht në datën 3 prill 2022.

Në portalin “Noa.al”, i njëjti lajmi është publikuar më 3 prill me këtë titull: ‘Deklaratë e fortë e avokatit Altin Goxhaj: Të vaksinuarit po vdesin, kanë imunitet më të dobët”.

Një tjetër portal që e ka publikuar lajmin po në këtë datë është edhe “Jeta osh qef”.

Po në 3 prill të këtij viti, lajmi është publikuar nga portali “TokenOto” me titullin: “Deklarata shokuese e avokatit Altin Goxhaj: Të vaksinuarit po vdesin, mjekët po bëjnë krime kundër njerëzimit…”

Aj që vihet re në të gjitha këto portale është fakti që lajmi është marrë “copy-paste”, pa bërë asnjë ndryshim dhe pa iu referuar një burimi të sigurt që tregon vërtetësinë e artikullit.

Lajmi i “Gazetaz” është kopjuar nga këto portale dhe është risjellë si aktual duke abuzuar me ndjeshmërinë e qytetarëve si pasojë e rritjes së numrit të infektimeve.

Faktoje kontaktoi zotin Altin Goxhaj, ku e pyetëm nëse ishte bërë nga ai deklarata e publikuar nga “portali Gazetaz”. Goxhaj bëri të ditur se lajmi nuk është i vërtetë, por shpreh edhe rezervat e tij mbi vaksinat e Covid-19.

“Është fakenews. Nuk ka as referencë datë, vendi, burimi”, thekson ndër të tjera Goxhaj për Faktoje.

Ekspertët: Vaksinat na mbrojnë sigurta

Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe ekspertë të njohur kanë apeluar herëpas’here për vaksinim kundër Covid-19, duke argumentuar me fakte shkencore se ato janë të sigurta.

“Miliarda njerëz janë vaksinuar në mënyrë të sigurt kundër COVID-19. Të gjitha vaksinat e miratuara për COVID-19 janë testuar me kujdes dhe vazhdojnë të monitorohen”, thekson OBSH.

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho deklaroi më 16 korrik se vaksinat mbrojnë dhe kjo tashmë është e provuar.

“Në periudhën pas vaksinimit, kemi situata si ato të prillit të vitit të kaluar dhe të tanishmet. Kemi raste edhe 6-fish më i lartë, ka pasur edhe 300 mijë raste të ditë në Gjermani, në muajin mars ose prill nëse nuk gabohem. Tanimë kemi 120-150 mijë raste në ditë dhe numri i vdekjeve nuk kalon 100. Pra, tregon shumë qartë, vetëm shembulli i Gjermanisë efektin që ka vaksina. Nuk ka dyshim për asnjë person me mend dhe për asnjë person, i cili i beson shkencës se vaksina mbron”, tha Dasho, i ftuar në “Syri TV”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img