Pretendime të shpërndara në mediat sociale në vendin tonë flasin për rreziqe të mamografisë, duke supozuar madje se ka shtete që e kanë ndaluar këtë ekzaminim. Faktoje sjell të dhëna dhe intervistë me mjekë specialistë, të cilët argumentojnë se mamografia është pjesë e armatës së ekzaminimeve që janë të nevojshme për të bërë vlerësimin e patologjive të gjirit.
Në kulmin e “tetorit rozë”, muajit të sensibilizimit për kontrollin e kancerit të gjirit, disa postime të shpërndara në mediat sociale në vendin tonë pretendojnë për rreziqe të mamografisë, një ekzaminim ky i rëndësishëm për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje.
“Mamografia është krimi më i madh i organizuar kundër grave…50-60% e rezultateve ‘pozitive’ janë të pasakta…Zvicra është vendi i parë në botë që ndalon ekzaminimet e mamografisë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Në lidhje me këto pretendime të ngritura, të cilat nuk janë të bazuara në burime të besueshme informacioni, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim.
Gjatë një kërkimi online rezulton se në vitin 2014, Bordi Mjekësor Zviceran rekomandoi që Zvicra të ndalonte prezantimin e programeve të reja të ekzaminimit mamografik dhe të hiqte dorë nga programet ekzistuese. Mirëpo, Bordi Mjekësor Zviceran është një iniciativë e pavarur e vlerësimit të teknologjisë shëndetësore dhe rekomandimet e tij “nuk janë ligjërisht të detyrueshme”. Pra, ky bord ka rekomanduar largimin nga kryerja sistematike e mamografisë duke ua lënë në dorë grave që të vendosin nëse duan ta bëjnë apo jo këtë ekzaminim, sipas programit të përcaktuar nga autoritetet shëndetësore.
Nga ana tjetër, në lidhje me këto sugjerime, një grup mjekësh zviceranë kanë deklaruar asokohe se Bordi Mjekësor Zviceran nuk ka mjaftueshëm prova për të shfuqizuar programet e mamografisë. Megjithatë, në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me ndalimin e mamografisë, por është kërkuar ndryshimi i programeve për kryerjen e këtij ekzaminimi në mënyrë periodike.
Ne lidhje me rëndësinë që ka mamografia, apo risqet e saj, Faktoje bisedoi me mjekun onkolog, Prof.Asc.Helidon Nina. Profesori sqaron se para kryerjes së këtij ekzaminimi, pacientët duhet të konsultohen me mjekun specialist.
“Mamografia, në asnjë artikull që qarkullon nuk është thënë ndonjëherë që është e dëmshme. Por kuptohet se mamografia ka një logjikë në kërkimin e saj. Nëse flasim për ‘screening’, apo vlerësimin të situatës, sipas OBSH-së fillon nga mosha 50 veç e sipër. Kuptohet, gjithmonë është përpara një vizitë me mjekun specialist dhe pastaj bëhen ekzaminimet, sepse gjithmonë është parimi, jo të shkojmë nga makina (pajsjet) te mjeku, por shkohet nga mjeku te aparaturat, për të dhënë idenë se çfarë kërkohet. Kjo më shumë është për moshat e reja. Moshat mbi 50 vjeç e sipër janë edhe piku i problematikës me këto patologji”, thekson profesor Helidon Nina.
Ai shton se për moshat 50-70 vjeç këto procedura vlerësuese të situatës janë të organizuara. Por, kjo ende nuk bëhet në Shqipëri.
“Shqipëria zhvillon fushatat e sensibilizimit, por të themi ‘screening’ tipik, siç bëhet jashtë, duke i marrë në telefon qytetarët për t’u kërkuar të paraqiten, ne nuk e kemi. Pra, në këto vende, njëherë në 2 vjet thirren gratë për mamografinë. Sepse 50-70 vjeç është piku më i madh i patologjive të gjirit që prek këtë grupmoshë. Edhe tek ne, mbi 70% e patologjive janë në këtë hapësirë moshore. Prandaj është ky edhe momenti që kërkohet ky ekzaminim”, argumenton mjeku onkolog.
Por, çfarë ofrohet në Shqipëri për gratë?
“Gjatë muajit të “tetorit rozë” zhvillohet fushatë sensibilizuese dhe ofrohen falas mamografitë në spitalet universitare, QSUT, maternitetet, dy poliklinika në Tiranë.
Ka spitale rajonale që i kanë mamografitë. Dhe ISHP vetë me dy mamografi të lëvizshme shkojnë në qytete ku nuk ofrohet ky shërbim.
Një mamografi mund të fillohet 39-40 vjeç, e rekomandojmë në këtë moshë. Kuptohet nga kjo 40-50 sa do jetë shpeshtësia për t’u kërkuar varet nga kualiteti që ka ky gji. Për moshën nën 40 vjeç, mamografia kërkohet shumë e rrallë. Ka edhe raste që mund të kërkohet nëse ka histori familjare për kancer gjiri, mund të kërkohet dhe në një projeksion.
Një projeksion që mund të fillohet edhe mosha 35 vjeç, por është shumë e reduktuar. Ajo që ne zëvendësojmë mamografinë nën 40 vjeç dhe na jep informacion të plotësuar dhe ndihmon shumë, është rezonanca magnetike”, bën të ditur ai.
Por, a ka rreziqe mamografia? Mjeku onkolog sqaron:
“Po të ishte mamografia e dëmshme, do të ishte OBSH e para që do merrte një masë për ndalimin. Nëse ne flasim për kancerin e gjirit, flitet një nga faktorët riskues janë gjendjet e trajtimit me radioterapi para moshës 30 vjeç. Nëse është bërë një radioterapi me qëllime të ndryshme, presupozohet që ky dozim për këtë në një X kohë mund ta japë si problem. Pas një kohe të caktuar mund të ketë qenë ky rrezatim që mund të iniciojë diçka. Prandaj bëhet kontrollet periodike te mjekët që nëse zhvillohet diçka të jesh aty, të ndërhysh dhe të mos e lejosh të zhvillohet.
“Mamografia është pjesë e armatës së ekzaminimeve që janë të nevojshme për të bërë vlerësimin e gjirit”
– Prof.Asc.Helidon Nina
Mjeku onkolog pranë Shërbimit të Onkologjisë Paliative në Tiranë, Henrik Zotaj thotë se asnjë vend nuk e ka ndaluar kryerjen e mamografisë, por po kalojnë në një pajisje tre dimensionale të mamografise dixhitale me tomosintezë.
“Mamografia si pajisje për ekzaminimin e gjirit nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin. Mamografia ju ekspozon ndaj rrezatimit X me dozë të ulët. Duhet theksuar që pasojat dhe rreziqet që vijnë nga kjo sasi rrezatimi janë të papërfillshme dhe nuk sjellin asnjë pasojë për shëndetin e grave dhe vajzave. Ndërkohë që për shumicën e njerëzve përfitimet nga ekzaminimet me mamografi janë shumë të rëndësishme për shëndetin e tyre. Europa dhe më gjerë, jo vetem nuk e ka ndaluar mamografite tradicionale dy dimensionale por, po kalon me shpejtësi në një pajisje tre dimensionale të mamografisë dixhitale me tomosintezë. Kjo është një pajisje që siguron imazhe dy dhe tre dimensionale me dozë të ulët rrezatimi, që kap imazhe në ato zona dhe regjione ku mamografia tradicionale dydimensionale nuk e arrin”, argumenton mjeku onkolog.
“Mamografia ju ekspozon ndaj rrezatimit X me dozë të ulët. Duhet theksuar që pasojat dhe rreziqet që vijnë nga kjo sasi rrezatimi janë të papërfillshme dhe nuk sjellin asnjë pasojë për shëndetin e grave dhe vajzave
– Dr. Henrik Zotaj