Pretendimi: Këto pamje tregojnë skeletin e një centauri të gjetur në Greqi

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullojnë imazhe që pretendohet se tregojnë skeletin e një centauri të gjetur në Greqi.

Centaurët janë krijesa nga mitologjia greke të përshkruar si me trup njeriu nga mesi e lart dhe me trup kali nga mesi e poshtë. Teoria më e zakonshme mbi origjinën e këtij miti propozon se ideja e centaurëve erdhi nga reagimi i parë i një kulture jo kalëruese, si në botën minoane të Egjeut, ndaj nomadëve të hipur mbi kuaj. Kalorës të tillë do të dukeshin si gjysmë njeri, gjysmë kafshë.

Megjithatë, imazhet e mësipërme nuk tregojnë skelete centaurësh të gjetur në Greqi, por krijime moderne të artistit dhe profesorit të biologjisë Bill Willers.

Verifikimet e fotove të publikuara në programin e Google Lens, konfirmojnë se imazhi i poshtëm tregon “Centaurin e Volos”, i krijuar në 1980 nga kocka të vërteta njeriu dhe kockat e një kali të vogël. Kockat e njeriut ishin nga një skelet njeriu nga India i cili ishte specimen anatomie në Universitetin Wisconsin-Okosh ku Willers punonte. Kockat u njollosën me çaj për t’u dhënë ngjyrë uniforme dhe për t’i bërë të duken autentike.

Skeleti u ble në 1993 nga Universiteti i Tenessee, Knoxville dhe u vendos në një ekspozitë në bibliotekën John C. Hodges. “Gërmimet e Centaurëve në Volos” u vu në skenë si një ekspozitë autentike, që përshkruan një varrim të “centaurit” dhe një grup qeramikash. Ekspozita synonte t’u kujtonte studentëve që të mos besojnë gjithçka që shohin ose lexojnë.

Në 2008, Willers porositi tek furnizuesi i mostrave osteologjike Skulls Unlimited një skelet centauri të formuar nga kocka të vërteta njeriu dhe kocka zebre. Skulptura u pagëzua “Centauri i Tymfi” dhe ishte pjesë e ekspozitës “Kafshë të Egra Mitologjike” në Muzeun Ndërkombëtar të Kafshëve të Egra në Arizona në 2012.

“Ka një impuls të pavetëdijshëm për t’i veshur kockat me mish kur i shohim për herë të parë,” tha Willers në 2012 për USAToday. Pllakata që shoqëronte centaurin u ofronte vizitorëve edhe një histori të trilluar që synon të zgjasë pezullimin e mosbesimit sa më shumë. 

Në 2024, Centauri i Tymfi ishte pjesë e ekspozitës “Përbindëshat dhe sirenat: Zbulimi i mashtrimeve më të mëdha të historisë natyrore,” Muzeun Bruce në Greenwich, Connecticut.