Ky portretizim i kryeministrit të ri hungarez i ekzagjeruar

13

Pretendimi: Kryeministri i sapozgjedhur i Hungarisë, Peter Magyar, është një i droguar dhe abuzues serial grash që manipuloi kauzën Fidesz dhe më pas u bë një kukull e globalistëve dhe u përfshi në skema kriminale të tregtisë së brendshme për t’u pasuruar personalisht kur martesa e tij mori fund.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Një postim që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, bën një profil skandalizues të kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar. Ky portretizim synon të vendosë në dyshim vlerat e demokracive perëndimore që u entuziasmuan për fitoren e tij historike në zgjedhjet e 12 prillit. 

Postimi i mësipërm konsiston në një numër faktesh të ndërthurura me spekulime, ekzagjerime, dhe të pavërteta.

Është e vërtetë se Magyar u shqua fillimisht në politikë kur, në shkurt 2024, botoi një regjistrim të fshehtë që i kishte bërë gruas së tij Judit Varga, ish-ministre e drejtësisë e qeverisë Orban. Regjistrimi tregoi se presidentja e Hungarisë, Katalin Novák, i kishte dhënë një falje presidenciale në prill 2023 Endre Kónya, zëvendësdrejtor i një shtëpie shtetërore për fëmijë pranë Budapestit. Konya i kishte detyruar fëmijët të mbulonin abuzimin seksual nga eprori i tij, János Vásárhelyi, drejtori i shtëpisë së fëmijës.

Është gjithashtu e vërtetë se Magyar dhe Varga u divorcuan në vitin 2023, pas 14 vitesh martesë. 

Por pretendimi se “gjatë procedurave të divorcit, raportet e policisë zbuluan se Magyar e rrihte rregullisht gruan dhe përdorte drogë dhe alkool”, mbetet i pabazuar në prova.

Akuzat ndaj Magyar janë bërë publike nga ish-bashkëshortja e tij ministre në kontekstin e një përplasjeje politike, por dhe beteje për kujdestarinë e fëmijëve pas divorcit. Në mars 2024, ditën që Magyar botoi një tjetër audiopërgjim të një bisede mes tij dhe ish-gruas së tij Judit Varga, kjo e fundit publikoi dy postime në Facebook duke akuzuar Magyar se kishte abuzuar verbalisht dhe fizikisht gjatë gjithë martesës së tyre. Ajo gjithashtu tha se deklaratat që kishte bërë në regjistrimin e publikuar ishin detyruar gjatë një bashkëveprimi me Magyarin në të cilin ajo ndihej e kërcënuar.

Më vonë atë mbrëmje, në një intervistë, Varga dha më shumë detaje rreth akuzave të saj, duke përfshirë faktin se në raste të ndryshme Magyar e kishte mbyllur në një dhomë pa pëlqimin e saj, e kishte shtyrë pas një dere ndërsa ishte shtatzënë dhe kishte ecur nëpër banesën e tyre të përbashkët duke mbajtur një thikë. Një herë ai kishte bërë sikur kishte kryer vetëvrasje, por kur mbërriti ambulanca, ai u largua me makinë me pizhame dhe Varga u detyrua t’i linte mjekët të shkonin.

Sipas një raporti policor nga dhjetori 2020, bërë publik nga revista pro-qeveritare Mandiner, Magyar u soll në mënyrë agresive, kërcënuese dhe frikësuese ndaj gruas së tij dhe oficerëve të policisë, kur ajo u përpoq t’i merrte fëmijët me ndihmën e oficerëve të policisë që ishin truproja për shkak të punës së Vargas. Ata patën një debat të ashpër në shtëpinë e tyre dhe Magyar u përpoq ta pengonte atë të shkonte në një shtëpi të dytë ku ishin të pranishëm fëmijët, duke pretenduar se policia po përpiqej t’i rrëmbente fëmijët. Ai u përpoq të regjistronte ngjarjet në telefonin e tij, por u ndalua nga policia. Në fund, Magyar shkoi në shtëpi dhe Varga i çoi fëmijët te gjyshërit e tyre.

Pas divorcit me Varga, një tjetër ish-partnere, Evelin Vogel, e akuzoi Magyar për sjellje agresive në 2024. 

Në 2025, media hungareze Index botoi pretendime se, në 2023, Magyar mund të ketë bërë hile në tregtinë e stoqeve. Media raportoi se të premten, më 21 korrik 2023, pasi tregu i stoqeve ishte mbyllur, Opus Global Nyrt. njoftoi një program riblerjeje të aksioneve, i cili e rriti ndjeshëm çmimin e aksioneve. Po atë ditë, në orën 15:00, domethënë para se të mbyllej bursa dhe para njoftimit të riblerjes, Peter Magyar shiti të gjitha aksionet e tij të tjera dhe bleu aksione të Opus me vlerë dhjetëra milionë forinta. Është e rëndësishme të theksohet se në atë kohë, Magyar ishte anëtar i bordit mbikëqyrës të MBH, një bankë e lidhur me Lorinc Meszaros, dhe Opus është gjithashtu një nga kompanitë e Meszaros. Megjithatë, nuk ka një hetim zyrtar në këtë drejtim deri më tani.

Në shkurt 2026, u shfaq papritur një faqe interneti që mbante emrin e Márk Radnai, zëvendëskryetarit të partisë së Magyar, Tisza. Faqja, të cilën Radnai mohon ta ketë krijuar, paraqiste një imazh bardh e zi të një dhome gjumi dhe fjalët “së shpejti” duke nxitur spekulime rreth publikimit të afërt të një regjistrimi kompromentues.

Më 12 shkurt, një ditë pasi faqja e internetit u lançua, Magyar publikoi një videomesazh ku e përshkroi veten si shënjestër të një operacioni të fshehtë që përfshinte ish-të dashurën e tij.

Magyar veproi shpejt për t’i dalë së keqes para, duke akuzuar partinë në pushtet Fidesz se po përgatitej të publikonte një video të regjistruar fshehurazi dhe potencialisht të manipuluar të tij në një ambient intim me një ish-partnere.

Sipas Magyar, ai ishte ftuar në një festë nga ish-partnerja e tij Evelin Vogel në një apartament me qira. Edhe pse të dy nuk ishin më bashkë, ata përfunduan duke kryer marrëdhënie seksuale me pëlqimin e tyre. Ai tha se kur mbërriti, disa persona ishin tashmë të pranishëm dhe në një tavolinë kishte “alkool dhe diçka që dukej si drogë.” Megjithatë, ai këmbënguli se nuk kishte konsumuar asnjërën. Ai i bëri thirrje Fidesz të publikonte regjistrimin e plotë, të pamontuar, për të vërtetuar se nuk kishte ndodhur asnjë veprim i paligjshëm. Megjithatë, vetë regjistrimi nuk është shfaqur ende.

Më 23 mars 2026, Magyar njoftoi se kishte kaluar një test droge të kryer nga një laborator austriak. Ai tha se analiza e flokëve lejon zbulimin e përdorimit të drogës gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe shtoi se do t’i publikonte rezultatet e testeve pasi t’i merrte ato.