EDIT NIKOLLI
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në një intervistë televizive më 5 nëntor, deklaroi se pavarësisht numrit të infektuarve nga Covid-19 mes mësuesve dhe nxënësve, mësimi vazhdon dhe nuk ka asnjë shkollë të mbyllur deri më tani. Por nga përgjigjja që Ministria Arsimit i ka dërguar Faktojes pak ditë para kësaj interviste të titullares, konfirmohet e kundërta.
Me 5 nëntor gjatë një interviste televizive, Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi:
“Pavarësisht rasteve të mësuesve të infektuar, apo të nxënësve të karantinuar si dhe drejtuesve të shkollave, mësimi po vazhdon dhe nuk kemi asnjë shkollë të mbyllur”.
“Faktoje” i kishte dërguar më herët Ministrisë së Arsimit një kërkesë për informacion ku ndër të tjera e pyeste se sa shkolla janë mbyllur si pasojë e përhapjes së pandemisë.
Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit
Në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Arsimit më datë 29 tetor konfirmohet se të paktën një shkollë (në Kavajë) dhe një kopsht në Pogradec janë mbyllur tërësisht, për shkak të pandemisë.
“Në Kavajë shkolla “Blerimaj” me 44 nxënës dhe 9 mësues është mbyllur që nga data 22 tetor, dhe mësimi vijon të zhvillohet online.
Në Tiranë në shkollën “Fan Noli”, një grup i një klase me 17 nxënës, është mbyllur dhe vazhdon mësimin online.
Në Kukës shkolla 9-vjeçare “Mersin Bresa” e përbërë nga 41 nxënës dhe 6 mësues është mbyllur në 20 tetor. Në datën 23 tetor mësimi është zhvilluar normalisht,
Në Përmet në shkollën 9 vjeçare “Stefan Zhaka”, vartëse e SHMB “1 Maji” një klasë kolektive (I-IV-V) zhvillon mësimet onlinë për shkak se 11 nxënësve u është marrë tamponi dhe janë karantinuar nga data 26 nëntor.
Në Korçë është mbyllur vetëm ditën e mërkure me 28 tetor, shkolla “Sotir Gurra” pasi u bë dezinfektimi i saj.
Në Pogradec Kopshti “Persefoni Treni” është mbyllur nga data 28 tetor deri me 10 nëntor, për arsye se nga tamponët e kryer nga 16 edukatorë, 8 rezultuan pozitivë me covid-19.”- thuhet në përgjigjen e MASR.
Në të njëjtën kërkesë, Faktoje kërkoi informacion të detajuar për numrin e stafit mësimor dhe nxënësve të prekur nga Covid-19 në shkallë vendi. Por sipas përgjigjes së dërguar nga MASR, ky informacion nuk disponohet.
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit
Por sipas deklaratës së ministres Kushi, MASR informohet në kohë reale për numrin e mësuesve të prekur nga pandemia.
“Ne çdo ditë marrim informacion në kohë reale për gjithçka që ndodh nëpër shkollat tona, në fund të çdo dite e dimë shumë mirë cilët janë mësuesit që mungojnë nga pandemia, cilët janë ata që karantinohen për shkak të kontakteve që kanë rezultuar pozitive nga Covid-19, dhe cilët nga arsyet personale”-u shpreh ajo.
Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar në rrugë zyrtare, vendosëm që deklaratën e ministres së Arsimit Evis Kushi, ta kategorizojmë “Të pavërtetë”.