.

.

BallinaFaktometerPa kategoriKush po e fsheh të vërtetën për venddepozitimin e plehrave të Shijakut?

Kush po e fsheh të vërtetën për venddepozitimin e plehrave të Shijakut?

Kriza e mbetjeve në bashkinë e Shijakut po rëndohet nga dita në ditë, edhe pse kryebashkiaku u përpoq të qetësonte opinionin me një deklaratë ku konfirmonte se deri në 18 gusht mbetjet e territorit shkonin në Sharrë. Por landfilli i Sharrës e mohon këtë. Ndërkohë bashkia Shijak nuk ka kthyer përgjigje zyrtare se ku po i depoziton mbetjet, pas kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje që në 11 gusht, pasi verifikimi në terren dëshmonte për një situatë kaotike me plehrat nëpër rrugë.


Tri ditë pasi Faktoje publikoi shkrimin lidhur me krizën e mbetjeve të Shijakut, kryebashkiaku Elton Arbana deklaroi:

“Në Bashkinë Shijak deri në datë 18 gusht ne kemi bërë të gjithë transportimin e mbetjeve të Bashkisë Shijak në landfillin e Sharrës.”

Sipas Arbanës, transportimi i mbetjeve ishte ndërprerë me datë 18 gusht dhe po negociohej për një marrëveshje të re, që do të sillte edhe normalizimin e situatës.

Situata e mbetjeve, nga ajo që ka verifikuar Faktoje, ka qenë problematike që para 18 gushtit dhe ka ardhur duke u përkeqësuar me kalimin e ditëve.

Thuajse dy javë para se çështja e mbetjeve në Shijak të publikohej në media, në 11 gusht, Faktoje i kishte dërguar një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë Shijak ku ndër të tjera pyeste se ku depozitoheshin ato. Deri më sot ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga institucioni.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak

Po në 11 gusht, Faktoje i kishtë dërguar një kërkesë edhe Landfillit të Sharrës, ku pyeste prej sa kohësh depozitohen mbetjet e Bashkisë Shijak aty, nisur nga një deklaratë e kryebashkiakut Arbana dhënë në muajin qershor. Ndryshe nga çfarë pohonte kryebashkiaku i Shijakut, përgjigja zyrtare nga landfilli i Sharrës mohonte që mbetjet e Bashkisë Shijak të depozitoheshin në këtë landfill.

Përgjigjja e Landfillit të Sharrës

Situata në terren në dy verifikimet e kryera nga Faktoje në datat 9 dhe 22 gusht dëshmon për një përeqësim të situatës, me plehrat që kanë mbushur disa rrugë të qytetit.

Foto të datës 9 Gusht që tregon situatën e rënduar në  Bashkinë Shijak.

Foto të datës 22 Gusht ku situata e rënduar në Bashkinë Shijak vazhdon.

Screenshot nga News 24 ku gazetarja tregon situatën e rënduar me plehrat.

“Nuk dalim dot jashtë nga era e rëndë. Mirë vapa, po na qelbën dhe me këto plehra që kanë dy javë që nuk i mbledhin”- i tha Faktoje një qytetare rreth të 40-ave që banon në zonën e Pjezës, të dielën e 22 gushtit.

“Plehra ngado, kazanë të tejmbushur, erë e rëndë. Nuk dimë ça të bëjmë vetëm t’i djegim, por ka dhe plehra që nuk digjen.”- tregon një tjetër banor pensionist.

Ajo që mbetet për t’u qartësuar është se ku po depozitohen plehrat e Shijakut, për sa kohë që kryebashkiaku konfirmon landfillin e Sharrës, ndërsa ky i fundit mohon të ketë pranuar apo përpunuar mbetje nga kjo bashki.

Kriza e mbetjeve, ashtu si në gjithë bashkitë e qarkut të Durrësit, ka nisur realisht, me mbylljen e landfillit të Porto Romanos në janar 2020. Edhe pse në strategjitë rajonale dhe atë kombëtare sugjeroheshin zgjidhje për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve, bashkitë u detyruan të pranojnë se nuk kanë asnjë zgjidhje dhe fondet nuk u mjaftojnë as për të mbuluar pagat e punonjësve të sektorit. Në këto kushte bashkia e Durrësit dhe ajo e Shijakut kanë mbetur në dorën e qeverisë, e cila duhet të përballojë faturat e përpunimit të mbetjeve për periudha nga 5-10 vjet, një kosto që sipas ekspertëve përkthehet në më pak fonde për kopshte apo shkolla.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img