BallinaPertejGjirokastër, shumica e romëve refuzon vaksinimin, pavarësisht lëvizjeve të shpeshta drejt Greqisë

Gjirokastër, shumica e romëve refuzon vaksinimin, pavarësisht lëvizjeve të shpeshta drejt Greqisë

RAIMOND KOLA

Më pak se 200 romë rezultojnë të vaksinuar nga rreth 1300 banorë të këtij komuniteti të vendosur në lagjen Zinxhira të Gjirokastrës, bashkia që ka arritur vaksinimin e 70% të popullatës së përgjithshme. Shërbimi epidemiologjik është i shqetësuar për refuzimin në masë të këtij komuniteti ndaj vaksinës, ndërkohë që anëtarë të tij lëvizin rregullisht drejt Greqisë për t’u furnizuar me veshje të përdorura për t’i shitur në tregun vendas. Numri i romëve të vaksinuar në shtetin fqinj është shumë i ulët dhe autoriteti shëndetësor i druhet përhapjes së virusit Covid-19 dhe varianteve të reja të tij.


Tregu i rrobave dhe pajisjeve të përdorura në Gjirokastër, që njihet ndryshe si  “tregu i romëve”  është i tejmbushur me klientë,  ndonëse temperaturat e verës janë tepër të larta. Tapete, veshje, orendi, pajisje elektrike dhe elektronike të përdorura përhapen në një sipërfaqe zalli të bardhë prej disa qindra metrash katrorë ku blerësit janë të shumtë në të gjitha orët e ditës. Një pjesë e romëve që shërbejnë kanë rreth një javë që kanë ardhur nga Greqia ku kanë marrë edhe mallin që shesin dhe një pjesë tjetër janë banorë të lagjes “Zinxhira” në Gjirokastër. Rreth 150 familje nga kjo lagje me gjithsej 1300 banorë, merren me tregtinë e rrobave të përdorura dhe hekurishteve. Në këtë treg nuk mungojnë edhe tregtarë ditorë romë nga Korça të cilt shesin mallin ose ua japin me shumicë familjeve që shesin në këtë treg.

Tregu i Romve, Gjirokastër

“Ja u hap kufiri me grekun dhe tani kemi sjellë rroba, vijnë shumë njerëz për t`i blerë”, thotë Mario një djalë me një kapele kashte në kokë. Ai ndihet i kënaqur që më në fund lëvizja në kufi është lehtësuar dhe tani ka mundësi të vijë e të shesë nga Janina veshje të përdorura.

“I blejmë andej, i shesim këndej, shkojmë prapë të blejmë me lekët që nxjerrim, këtë punë bëjmë, duam të jetojmë”- thotë Mario. Ai pranon se nuk e ka bërë vaksinën anti- COVID 19 dhe as nuk është infektuar më parë nga koronavirusi, me aq sa di ai.

Nëna e Marios që shet aty pranë thotë se e gjithë familja prej 11 anëtarësh nuk ka besim se vaksina i mbron nga virusi.

“Duan të na marrin lekët pse ta bëjmë”- thotë gruaja rreth të shtatëdhjetave, e cila herë pas here ka një kollë të thatë. Kur e pyet për kollën, thotë se e ka nga duhani që e pi prej vitesh.  Ndërkohë, i biri, Mario thotë se për të kaluar drejt Greqisë ku furnizohet me veshje të përdorura, i nënshtrohet testit, një detyrim për ata që kalojnë kufirin.

“Besoj do e mbyll edhe datën e vaksinës në Greqi, thotë ai se nuk shtyhet kështu duke paguar lekë për testin, sa herë të kalosh kufirin. Në Gjirokastër testi PCR për COVID 19 kushton 6.000 lekë të reja, një shifër e lartë për familjët rome, të cilat herë pas here tentojnë të kalojnë “tinëz” procedurat kufitare vetëm duke bërë testin e shpejtë në anën greke.

Tregu rom Gjirokastër

Ndërsa Esmaja një grua që shet tapete aty pranë thotë se e ka bërë vaksinën dhe nuk ka pasur ndonjë problem.

“Erdhën ata infermierët në lagje dhe e bëmë.  Ka që duan ta bëjnë, ka që s`duan , secili ka mendjen e tij.”-thotë ajo.

“Ku pranojnë ta bëjnë ata vaksinën. Kanë ardhur dy tre herë ata të epidemiologjisë, por nuk pranojnë edhe ne s’e kemi bërë, thjesht nga neglizhenca” – thotë Toni, fqinji i shitësve që nuk është nga komuniteti rom.

Që nga viti 1991, tregtia e rrobave të përdorura, është burimi kryesor i të ardhurave familjare për romët në Gjirokastër. Herë pas here tregu i tyre ka lëvizur dhe tani ka gjetur “qetësi” në periferi të qytetit, në zonën pak të banuar të Grehotit. Studiuesit paralajmëronin vite më parë se të ardhurat nga shitja e mallrave të përdorura ishin në rënie dhe nëse nuk zhvilloheshin alternativa të qëndrueshme, mirëqenia ekonomike e romëve do rrezikohej.

Por rritja e varfërisë në shtresat e tjera të popullsië në Gjiroakstër, por edhe më gjerë ka bërë që këto dy-tre vitet e fundit, tregu i romëve të jetë i mbipopulluar nga blerësit e të gjitha moshave, por sidomos nga të moshuarit që sigurojnë në këtë treg artikuj të domosdoshëm kundrejt shumave modeste.

Esmaja, tregëtare rome

Vaksinimi romëve sfida e epidemiologëve në Gjirokastër

Shërbimi epidemiologjik në Gjirokastër është çdo ditë në terren për të nxitur vaksinimin, krahas aktivitetit në qendrat e ngritura ku kryhen vaksinat. Drejtori i këtij shërbimi, Arenc Brahimi thotë se popullata i është përgjigjur pozitivisht këtij procesi, që nga të  rinjtë e deri tek të moshuarit, kategoria më e rrezikuar.

“Janë mbi 27 mijë persona që janë vaksinuar që nga fillimi i procesit si në qytet edhe në fshat, të cilët përbëjnë mbi 70% të popullsisë.”- thotë zoti Brahimi.

Vështirësitë, po hasen me komunitetin rom pasi shumë anëtarë të tij komuniteti lëvizin shpesh jashtë kufirit dhe potencalisht mund të shërbejnë si përhapës të virusit, ndaj të cilit refuzojnë të mbrohen prmes vaksinës.

“Në këtë komunitet janë kryes mbi 170 vaksina dhe po vijon fushata. Shërbimi i epidemiologjisë ka shkuar në lagjen e tyre në periferi të qytetit, ku një pjesë e romëve kanë pranuar të vaksionohen. Pjesa tjetër kanë qenë në aktivitete pune apo lëvizin drejt Greqisë. Hezitojnë shumë, sidomos grupmoshat e reja, por edhe ne nuk do t’i ndalim përpjekjet”- thotë zoti Brahimi.

Sipas Shërbimit Epidemiologjik në Gjirokastër, gjatë procesit të vaksinimit nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për efekte anësore të vaksinës, tek familjet rome, vetëm një pjesë e të cilave figurojnë të regjistruara me kartela në shërbimin shëndetësor. Për një pjesë tjetër, që lëviz shpesh mes Shqipërisë dhe Greqisë këto kartela nuk ekzistojnë, pasi ata rrallë i drejtohen mjekut të familjes për trajtim shëndetësor.

Fushata për vaksinimin e romëve

Vaksinimi i romëve në lagjen “Zinxhira” ku jeton një pjesë e madhe e tyre.

Shërbimet e epidemiologjisë konfirmojnë se janë duke monitoruar edhe rastet kur romët i kanë kryer të dy dozat e vaksinës në Greqi dhe janë të pajisur me çertifikatën përkatëse, por ky numër është shumë i ulët. Gjatë kësaj periudhe si në komunitetin rom edhe në zona të ndryshme në qytet nuk janë evidentuar raste infektimesh me variantin “DELTA”.

“Rastet e kostatuara, ose kanë qenë studentë të ardhur nga jashtë vendit ose emigrantë.”- konfirmon zoti Brahimi.

Por fundjavat e ngarkuara turistike gjatë gushtit, sidomos në Qendrën Historike e rrisin rrezikun e infektimit sidomos tek të rinjtë që janë më të shkujdesur ndaj rrezikut të infektimit, siç vërejnë epidemiologët.

Arenc Brahimi/Shefi i Shërbimit të epidemiologjisë Gjirokastër

Romët gjithmonë me sfida komplekse

Komuniteti rom në bashkinë e Gjirokastrës, sipas të dhënave zyrtare llogaritet në  200  familje, ose 900 persona kundrejt 37,610 banorëve që ka në total qyteti i Gjirokastrës. Ai është i përqëndruar në të ashtuquajturën “Lagjja “Zinxhira”. Në këto shifra, sipas studimeve vendore të mbështetura nga donatorët nuk janë përfshirë familjet rome që aktualisht ndodhen jashtë vendit për arsye emigrimi, si dhe familjet që kanë migruar brenda vendit për arsye pune ose janë shpërngulur nga Gjirokastra për të jetuar në një qytet tjetër të Shqipërisë. Gjithashtu nga të dhënat rezultonë se rreth 80 familje të tjera që aktualisht ndodhen në emigrim për arsye të ndryshme ekonomike – sociale, janë të lokalizuar në zonën e Janinës. Përveç romëve që janë të përqendruar pranë lagjes Zinxhira, rreth 50-60 familje të tjera migratore vijnë kryesisht nga Pogradeci, Korça, Elbasani dhe vendosen në periudha të ndryshme pranë Urës së Lumit. Ata jetojnë në çadra të ngritura buzë lumit, në një zonë ku mungon gjithçka. Ky grup merret kryesisht me shitje rrobash të përdoruara dhe mbledhje hekurishtesh.

“Po të krahasojmë infrastrukturën në lagjet brenda për brenda qytetit të Gjirokastrës, furnizimin konstant me ujë të pijshëm, shërbimin e besueshëm të furnizimit me energji elektrike, kushtet e rrugëve, dhe telekomunikacionet, ato janë shumë më të këqija në komunitetin Rom. Si rezultat, shumica e romëve jetojnë në kushte ekstremisht të varfëra, me një infrastrukturë që mungon plotësisht apo me kufizime për t’u aksesuar. Meqë romët tentojnë të vendosen në lagjet periferike, ata shpesh nuk janë të lidhur me shërbimet publike, me rrjetin elektrik, dhe kanë mungesë të alternativave të transportit. Duke jetuar në këto lloj kushtesh, përkrah mungesës së përgjithshme të kujdesit shëndetësor të përballueshëm, në mënyrë tipike, ata jetojnë 10-15 vjet më pak se popullsia jo rome”-  thuhet në Strategjinë e Zhvillimit të Qarkut Gjirokastër.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img