DANIELA ZISI
Në Bashkinë Devoll, të paktën 800 të moshuar jetojnë krejt të vetmuar, pasi fëmijët apo të afërm të tjerë i kanë në emigracion. Me izolimin nga pandemia të moshuarit, sidomos ata nëpër fshatra e provuan në kurriz braktisjen, por edhe varfërinë në formën më të ashpër. Ndonëse bashkia deklaron se ka ndihmuar këtë komunitet me ushqime e medikamente, shumë prej tyre thonë për “Faktoje” se askush nuk i ndihmoi. Ka prej tyre që ushqimet për mbijetesë i sigurojnë vetë nga puna në bujqësi, nga e cila nuk kanë hequr dorë edhe pse i kanë kaluar të 80-at .
Në faqen zyrtare të Bashkisë Devoll, në ditët e para të kufizimit të aktiviteteve dhe lëvizjeve, për shkak të pandemisë njoftohej ndihma për të moshuarit.
Bashkia e Devollit ka evidentuar gjatë vitit 2020 rreth 800 të moshuar dhe çifte bashkëshortësh, që jetojnë të vetmuar, për shkak të emigracionit ose migrimit të fëmijëve të tyre. Në këtë shifër nuk përfshihen të moshuarit, fëmijët e të cilëve janë emigrantë sezonalë, kryesisht në Greqi. Por nga marrëveshja e kohëve të fundit me qeverinë greke, sipas burimeve zyrtare, në bashkinë e Devollit kanë aplikuar për punësim sezonal 1145 persona.
Është pasdite dhe në qendër të Menkulasit një grup të moshuarish po ndajnë me njëri-tjetrin të rejat e ditës. Më të rinjtë kthehen nga fushat, duke mbyllur një ditë të mundimshme nën diellin përvëlues të korrikut.
Fshati Menkulas
Një ndërtesë dykatëshe e degraduar, na tërheq vëmendjen dhe një prej të moshuarve na tregon se është muzeu i Dritëro Agollit, shkrimtarit që në Menkulas ka vendlindjen.
“Këtu kanë qenë dikur zyrat e kooperativës, më pas u bë ambulancë dhe në fillim të viteve 2000’ ndërtesën e kthyen në muze. Ambulancën na e hoqën nga qendra e fshatit dhe e zëvendësuan me një kioskë në periferi, ndërsa muzeun e Dritëroit, të cilit ia vodhën ç’kishte brenda, nuk po e mbarojnë akoma,”- tregon i moshuari.
Duke hyrë në fshat, takojm nënë Xhevrijen, 85-vjeçaren e cila ka 9 fëmijë, një pjesë në emigracion e të martuar, ndërsa bashkëshorti i ka vdekur. Ajo na fton të hyjmë brenda shtëpisë përdhese, ndërtuar shtatë apo tetë dekada më parë dhe ku tani jeton e vetmuar.
Xhevrije Dangëlli
“Marr shumë pak pension! Çfarë të bëj unë me 7 mijë e 100 lek, të ushqehem, të blej ilaçet, apo të paguaj ujin dhe dritat? Sikur të ma rritnin pak pensionin nuk do t’u bija në qafë fëmijëve.”- thotë 85-vjeçarja.
“Ja, sot m’u prish çezma dhe harxhova 2 mijë lek për ta rregulluar, se nuk mund të rri pa ujë. Me ato që më mbeten nga pensioni do shtyj muajin, se fëmijët kanë familjet e tyre dhe nuk u shtrij dot dorën.”- pohon nënë Xhevrija, e cila edhe kohën e izolimit nga pandemia e Covid-19 e ka përballuar e vetme.
“Edhe kur nuk na linin të dilnim nga shtëpia, unë dilja për të blerë ushqime në dyqanin e fshatit. Ilaçet m’i blinte nipi në Bilisht, kurse pensionin, postieri ma solli në shtëpi për katër muaj me radhë.”-thotë ajo.
“U gëzova, që kryetari i bashkisë erdhi vetë të më shikonte dhe të më sillte ushqime. Pak më sollën” – thotë e moshuara për pakon e ndihmës që përmbante 2 kg miell,1 litër vaj, 1 kg oriz, 2 pako makarona dhe reçel.
Të dhënat zyrtare të Bashkisë Devoll tregojnë se në Menkulas figurojnë rreth 35 të moshuar, që jetojnë të vetmuar, por numri i tyre është edhe më i lartë po të shtosh edhe ata të punëtorëve sezonalë.
Lemë pas Menkulasin dhe vazhdojmë rrugën drejt Mirasit, fshatit më të madh të Bashkisë Devoll, me rreth 2400 banorë, ku mbi 100 familje rezultojnë të kenë ikur prej vitesh në emigracion. Në të dyja anët e rrugës shtrihen hapësirat ngjyrë floriri, ku sapo është korrur gruri, ndërsa gjelbërimi harliset kodrave të buta, pas së cilave shtrihen fshatrat e Njësisë Administrative, me të njëjtin emër. Edhe pse emigracioni dhe lëvizjet migratore drejt qendrave urbane kanë boshatisur zonat rurale, fushës së Devollit nuk të zë syri asnjë pëllëmbë tokë djerrë.
75-vjeçarja Marie Hoxha sapo është kthyer nga fusha, ku ka punuar gjithë pasditen. Pas punëve të bujqësisë, i duhet të merret me shtëpinë dhe të kujdeset për bashkëshortin e sëmurë.
Marie Hoxha
“Kemi mbetur vetëm,”- tregon Maria – “dy djemtë i kam në emigracion dhe vajzën të martuar. Fëmijët kanë jetën e tyre dhe nuk duam t’u bëhemi barrë, edhe pse për dy pleq si ne, të ngrysemi dhe gdhihemi vetëm, është e vështirë”.
Të ardhurat e çiftit nga pensionet nuk janë më shumë se 25 mijë lekë.
“Si nuk na erdhi njeri nga bashkia, të na pyeste, kishim apo s’kishim bukë, kishim apo s’kishim ilaçe, ishim gjallë apo kishim vdekur.” – thotë e revoltuar Maria.
“Ndihmat i ndanë, si deshën. I pashë makinat, që shpërndanin ushqime në fshat, por ne nuk e kishim emrin në listë.”- vijon 75-vjeçarja.
Si Maria, në Miras janë mbi 100 të moshuar, që kanë mbetur të vetmuar si pasojë e emigrimit të fëmijëve.
Vaide Çuçuli, 74 vjeç, priti katër muaj bashkinë t’i sillte ndihma, por nuk mori gjë. Nëna e katër vajzave, të cilat janë të martuara, jeton vetëm me bashkëshortin prej më shumë se një dekade.
Vaide Çuçuli
“Edhe bashkia, nuk na zgjati një dorë kur ishim të izoluar dhe nuk na solli asnjë kile miell, e shtymë me atë pak pension që marrim, me të cilin duhet të paguajmë edhe taksën e tokës, veç të tjerave. Bashkia taksat na i merr, por ndihma nuk kujtohet të sjellë, për ne që jemi në gjendje të vështirë ekonomike dhe të pamundur.”- thotë 74-vjeçarja.
Muajt e izolimit ishin të vështirë edhe për banorët e Vërnikut, fshatit të banuar nga pakicat maqedonase, ku sot gjejmë vetëm të moshuar.
Fshati Vërnik
Për fshatin, që ndodhet 5 km larg Bilishtit dhe fare afër kufirit me Greqinë, duket sikur koha ka mbetur në vend. Shumica e shtëpive janë të vjetra dhe në pak prej tyre është vënë dorë. Shtigjet, që dikur përdoreshin nga shqiptarët për të arritur në mënyrë klandestine në Greqi, sot shfrytëzohen nga refugjatët e vendeve në konflikt, për të hyrë në territorin shqiptar. Emigracioni e ka tkurrur fshatin me dikur 400 shtëpi, në dhjetëfish më pak banorë. Ata që kanë mbetur dhe që nuk bëhen më shumë se 40, janë të gjithë të moshuar.
Veselina Bleta
“Një plak për çdo shtëpi jemi,” -thotë 72-vjeçarja Veselina Bleta, e cila, pas vdekjes së bashkëshortit ka mbetur e vetme. Dy djemtë me familjet janë në emigracion. Ikën që në fillim të viteve 90’ në Greqi dhe Belgjikë dhe kthehen në fshat kur kanë mundësi.
“Kam 15 vjet qëkur më vdiq bashkëshorti, që jetoj fare vetëm.” – tregon e moshuara duke u përlotur. 10 mijë lekët që merr nga pensioni janë të pamjaftueshme dhe i dalin vetëm për të blerë ilaçet dhe paguar faturën e dritave. Gjatë pandemisë, ushqimi kryesor për Veselinën ishin zahiretë e dimrit, ndërsa priti më kot ndihma ushqimore nga bashkia.
“Kisha shumë nevojë për ushqime, por nuk më sollën gjë! Pse të mos më sillnin, kur unë jam pensioniste që jetoj vetëm? Na thanë që bashkia ndau ndihma në 3 apo 4 familje, por unë vetë nuk i pashë kur erdhën. Të gjithëve duhet të na jepnin ushqime, se ne këtu të gjithë njëlloj jemi dhe s’kemi të ardhura të tjera veç pensionit të kooperativës!”- thotë e indinjuar 72-vjeçarja.
Millka Filo
85-vjeçaren Millka Filo e gjetëm në oborr duke u kujdesur për lulet.
“Të gjitha punët i bëj vetë,”- tregon e moshuara – “se burri s’mbahet mend kur më ka vdekur, ndërsa djalin e kam në Greqi.”
Shtëpia ku jeton është e vjetër dhe e degraduar, ndërsa varfëria peshon po aq sa vetmia në këtë moshë të shkuar.
“Djali nuk ka mundësi të më ndihmojë dhe e shtyj vetëm me 9 mijë lekët e pensionit!” – thotë 85-vjeçarja.
“Bukën e bëj vetë dhe perimet i siguroj nga kopshti, por ushqime të tjera nuk kam me çfarë t’i blej. Dy pakot me ushqime që më solli bashkia mbaruan brenda muajit dhe tani nuk po kujtohen më!” – tregon ajo.
“Për ushqime do bëj si do bëj, por kur të sëmurem, kush do kujdeset për mua?”- pyet 85-vjeçarja e cila deri tani thotë se gëzon shëndet të plotë dhe nuk ka nevojë për medikamente.
Për të moshuarit me probleme shëndetësore izolimi në periudhën e pandemisë ishte edhe më i vështirë. Pavarësisht frikës dhe pamundësisë për të dalë nga shtëpia, ata thanë se nuk ishin ndihmuar nga bashkia.
Bashkëshortët Spiro dhe Velika Themelko
“Mbetëm katër muaj në shtëpi dhe nuk dolëm as tek dera se jemi të sëmurë dhe kishim frikë!” – thotë Spiro Themelko, i cili jeton vetëm me bashkëshorten.
“Vetëm pensionin na e sollën në shtëpi. Qeveria thoshte mos dalin pensionistët nga shtëpia, por po të mos më gjendeshin fqinjët mua, si do t’i blija ushqimet? Të dyja vajzat i kam të martuara dhe ato e kishin të pamundur të na vizitonin dhe kujdeseshin për ne. Sa për ndihma, as farmak nuk na solli bashkia!”- thotë 83-vjeçari i revoltuar.
“Të harruar kemi qenë gjithmonë. Ja, shikoje si ka mbetur fshati, si mos më keq. S’del dot në rrugë se thyen kokën nga kalldrëmi i prishur, ujërat e zeza derdhen mes fshatit dhe pimë ende ujë nga puset.”- tregon ai.
Përveç varfërisë dhe kujdesit të munguar, të moshuarit u përballën edhe me pasojat psikologjike të izolimit të gjatë.
Dana Simço, 73 vjec, e cila ka humbur bashkëshortin një vit më parë thotë:
“Nuk dua as ushqime dhe asgjë tjetër, dua ta kem shtëpinë plot me njerëz! Ishin muaj shumë të vështirë. Mbeta fillikat dhe kisha mall të takoja të afërmit. Vajzat më vinin deri tek dera për të më sjellë ushqime dhe ilaçe dhe nuk i takoja dot.”
Psikologia klinike Çiljeta Simaku e konsideron përhapjen e koronavirusit të rrezikshme për të moshuarit, në disa aspekte.
“Të moshuarit, gjatë pandemisë, ishin më të rrezikuarit nga varfëria dhe përjashtimi social, i cili pati ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen e tyre shëndetësore, përfshirë shëndetin mendor.”- thotë Simaku.
Për këtë dhe arsye të tjera, kjo kategori ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje në këtë situatë krize dhe masat e marra nga autoritetet për të përballuar pandeminë, duhet të marrin parasysh këtë nevojë të veçantë.”- sugjeron ajo.
Përveç ndihmës mjekësore, për patologjitë e përgjithshme, të moshuarit, ndoshta më shumë se çdo grupmoshë tjetër ndjejnë nevojën për mbështetje emocionale. Nga ana tjetër, meqenëse pjesa më e madhe e shërbimeve filloi të ofrohej online, kjo kategori e kishte të pamundur t’i merrte ato.
Depresioni dhe çrregullimet e ankthit ishin kryesisht kategoritë e sëmundjeve mendore që prekën moshën e tretë, sipas të dhënave që jep psikologia Simaku.
“Kanë qenë të shumtë të moshuarit që kanë kërkuar ndihmë të specializuar. Këto problematika i kemi zgjidhur duke vendosur numrat personalë në shërbim të tyre dhe duke i trajtuar sipas simptomave specifike.”- thotë ajo.
Psikologia ka edhe një mesazh për të moshuarit, të cilët duhet të përpiqen të kuptojnë se të gjithëve u duhet të bashkëjetojmë me këtë situatë:
“Të respektohen rregullat sipas protokolleve, të cilat janë të bazuara në shkencë dhe përtej kësaj, të sforcohemi për të krijuar një rutinë dhe një përditshmëri e cila të rezultojë pozitive, pasi do na garantojë mbrojtje sa të jetë e mundur nga infektimi.”
A duhen konsideruar të moshuarit e vetmuar, kategori në nevojë?
“Me fondin prej 1 milion lek të buxhetit të bashkisë, ndihmat nga buxheti i shtetit dhe donacionet, u siguruan 1890 pako ushqimore, të cilat janë shpërndarë për familjet në nevojë, mes tyre edhe të moshuar apo çift të moshuarish, që jetojnë të vetëm” – thotë kryebashkiaku i Devollit, Eduart Duro.
“Veç ndihmave në ushqime, ne kemi ofruar blerjen e ushqimeve për 363 familje, po ashtu edhe blerjen e medikamenteve, për 391 persona.”– shton Duro, i cili sqaron se kategoria e të moshuarve që jetojnë vetëm nuk përfshihet në kategorinë e shtresave në nevojë.
Ndryshe nga zonat urbane, ku për të moshuarit e vetmuar kujdesen edhe persona të punësuar, ata që jetojnë në zonat rurale, nuk e kanë këtë mundësi.
Në Qarkun e Korçës, ka vetëm një shtëpi kujdesi për të moshuarit, një strukturë, jo publike dhe me kapacitet prej 27 vendesh.
“Në mungesë të kapaciteteve të këtij azili, kërkesat e të moshuarve adresohen dhe trajtohen në institucionet e tjera të vendit” -thotë drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror, Marjana Jorgji.
Gjatë vitit të kaluar, janë vendosur në shtëpitë e të moshuarve, gjashtë persona nga Qarku i Korçës, ndërsa në vitin 2018, iu është miratuar kërkesa për azil, pesë të moshuarve të vetmuar.