Heqja e barrikadave nga serbët e Kosovës, pas konflikit të lindur më 10 dhjetor, u pasua nga një sërë raportimesh edhe në mediat në Shqipëri që aludonin për një marrëveshje të fshehtë mes Kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit serb Vuçiç. Spekulimet morën pikënisjen nga një deklaratë e kryetarit të PD në Kosovës Memli Krasniqi. Nga verifikimi i kryer del se vetë Krasniqi ka folur për negociata dhe jo marrëveshje, aq më pak për emra konkretë, por titujt e disa portaleve dhe mediave e kanë ’shitur‘ ndryshe.
Barbara Halla
Më datë 29 dhjetor 2022, qytetarët serbë të Kosovës filluan të hiqnin barrikadat që për më shumë se dy javë penguan qarkullimin e mjeteve dhe personave në veri të vendit, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Barrikadat dhe protestat nisën me datë 10 të muajit dhjetor, si pasojë e arrestimit të Dejan Pantiç, një polic serbo-kosovar që kishte sulmuar një polic tjetër kosovar. Në javët në vazhdim situata në veri të Kosovës vazhdoi të përshkallëzohej, ndërsa qytetarët serbë u përplasën me policinë e gazetarët, ndërsa Serbia shtoi prezencën ushtarake në kufi me Kosovën. Si pasojë, situata i detyroi forcat e KFOR po ashtu të shtonin prezencën në pikat kufitare, ndërsa Serbia i kërkoi NATO-s leje që të sillte forcat Serbe në territorin e Kosovës për herë të parë që nga mbarimi i luftës së Kosovës.
Burim: Radio Evropa e Lirë
Në dy javët që pasuan, Kurti dhe Vuçiç patën diskutime të shumta me EULEX, NATO-n, si dhe ambasadorët e QUINT (grup që përfshin ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara). Megjithëse detajet e këtyre diskutimeve mbetën në hije, ato patën rezultatin e dëshiruar. Vuçiç u takua me serbët e Kosovës dhe të nesërmen, barrikadat filluan të hiqeshin. Megjithatë detajet e paqarta patën edhe rezultate të padëshiruara në Kosovë, ku opozita e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se kishte arritur marrëveshje sekrete me Serbinë për të zgjidhur situatën në veri.
Kjo akuzë erdhi nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili gjatë një konference për shtyp, po me datë 29 dhjetor tha:
“Ka negociata të fshehta, kjo është evidente tashmë. Nuk ka ndodh rastësisht që të vendoset për heqjen e barrikadave.” Shumica e mediave shqiptare kryesore e përhapën deklaratën e Krasniqit si fakt, dhe jo si spekulim. “Krasniqi: Kurti, marrëveshje të fshehtë me Vuçiçin për largimin e barrikadave,” shkruan Euronews.
Burim: Euronews
Tituj të ngjashëm u publikuan edhe në media e portale të tjera, “Kurti e Vuçiç kishin marrëveshje të fshehtë për heqjen e barrikadave, thotë Krasniqi,” shkruan Albanian Post. Ndërkohë Gazeta Shqip publikoi artikullin me titullin, “Krasniqi rreth largimit të barrikadave: Kurti kishte marrëveshje të fshehtë me Vuçiqin.”
Gjithashtu, portali news308media.com publikoi një artikull ku pretendohej se Kurti vetë kishte konfirmuar ekzistencën e një marrëveshjeje midis tij dhe Vuçiç.
Burim: news308media.com
Kryeministri Kurti mohon akuzat për një marrëveshje sekrete me Serbinë
Pak ditë pas këtyre deklaratave, Kurti ka mohuar kategorikisht se mund tw ketë një marrëveshje të fshehtë me Serbinë. Për mediat kosovare, ai ka dhënë deklaratën e mëposhtme:
“Nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in, ka pasur takime me EULEX-in dhe ka pasur takime me ambasadorët e Kuintit, veçanërisht me atë të SHBA-së. Meqenëse kemi thënë vazhdimisht se durimi i qytetarëve dhe autoriteteve është duke u mbaruar, ne po i japim edhe pak kohë dhe pak hapësirë KFOR-it, por nuk mund të jetë i pafund. Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur, kemi filluar të vërehet angazhimi i tyre i shtuar për heqjen e atyre barrikadave, ndaj kemi thënë të dielën se është çështje ditësh se kur do të hiqen ato barrikada.”
Sipas Kurtit, e vetmja garanci që i është dhënë Serbisë, është që nuk ka lista arresti për ata serb të Kosovës që protestuan apo morrën pjesë në ngritjen e barrikadave. Edhe ambasadorët e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar lëshuan një deklaratë të përbashkët mbi marrëveshjet e arritura midis Serbisë dhe Kosovës për heqjen e barrikadave.
“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet,” shkruhet në deklaratë.
Përtej një farë mungese transparence për diskutimet midis dy kryetarëve përgjatë javëve të fundit, ideja e një marrëveshjeje sekrete qarkullon që nga vjeshta e 2022, kur filluan të qarkullonin fjalët për një propozim të hartuar nga Franca dhe Gjermania për të ristruktuaruar dialogun mes dy vendeve. Megjithëse Euractiv, një media europiane e bazuar në Bruksel, publikoi një draft të propozimit në nëntor 2022, dihet ende shumë pak për të, dhe sa të gatshme janë Kosova dhe Serbia për ta nënshkruar. Por ekzistenca e tij ka rritur dyshimin dhe spekulimet, duke përfshirë edhe situatën e barrikadave.
Megjithatë, përtej spekulimeve, nuk ka asnjë provë që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të kenë arritur marrëveshje mes tyre.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktor Viola Keta dhe Aimona Vogli