Një lajm i publikuar më 16 gusht me titullin bombastik mbi një arrestim të pritshëm të kryeministrrit të vendit ka bërë xhiron online. Lajmi i rremë përmban edhe një fotomotazh që sugjeron ngjarjen e servirur në titull, ndërsa autorët janë kujdesur të shkruajnë me gabime drejtshkrimore për t’i shpëtuar algoritmeve që shënjestrojnë lajmet e rreme.
Nevila Gjata
Më 16 gusht të këtij muaji faqet kryesore të medias së shkruar dhe asaj elektronike i kushtuan vëmendje fushatës së kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në Vlorë, në një takim me të rinjtë ku fliste kryesisht për lidhjet e tij të vjetra me PS dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në anën tjetër në një takim me arsimtarët.
Një nga portalet online Portalikoha.com ndërkohë raportonte për një tjetër lajm.
Lajmi i publikuar në portalikoha.com shoqërohet edhe me një foto, në dukje të kryeministrit Edi Rama si i arrestuar.
Faktoje.al ka verifikuar foton dhe rezulton se ajo është e montuar.
Fotoja origjinale i referohet arrestimit të Emiliano Shullazit në vitin 2006.
Fotoja origjinale e arrestimit te Emiliano Shullazit
Fotoja origjinale është publikuar nga Agjencia fotografike, LSA.
Screenshot e fotos qe ka autorësinë e LSA)
Përmbajtja e lajmit të portalikoha.com i referohet denoncimeve të mëhershme të ish-kryeministrit Sali Berisha në muajin shkurt të këtij viti.
Screenshot i lajmit te publikuar nga portalikoha.com
Pëmes disa fjalimeve të mbajtura në Kuvend, por edhe në postimin e tij në Facebook, Berisha komentoi gjatë aksionin e antimafias italiane, ku u vu në pranga dhe Fabrizio Lisi, ky i fundit ish-gjeneral i Policisë së Guardia di Finanzia.
Berisha ka deklaruar se “ish-gjenerali Lisi ka pasur lidhje biznesi me sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë Ëngjëll Agaçi”.
Sipas tij hetimet do të shtriheshin edhe në Shqipëri deri tek kryeministri Edi Rama.
Përmbajtja e artikullit i referohet një prej denoncimeve të Sali Berishës.
Denoncimet e ish-kryeministrit për rastin në fjalë nuk janë vërtetuar deri më sot dhe as konfirmuar nga agjencitë ligjzbatuese italiane.
Titulli është dizinformues, me foto të montuar që nuk i referohet në përmbajtje asnjë informacioni të bazuar në fakte.
*Në foton kryesore, lajmi i publikuar nga portalikoha.com
*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin