Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, pjesë e Korpusit Spitalor Universitar të Traumës nisi zyrtarisht funksionimin të martën e 20 qershorit. Megjithatë, ky afat ishte në tejkalim të premtimeve të bëra më herët nga qeveria, e cila në tetor 2022 angazhohej se puna në Shërbimin e Sëmundjeve të Brendshme Nr.1 dhe Nr.2, me kapacitet prej rreth 60 shtretërish, do të niste që në shkurt të këtij viti.
Në tetor të vitit 2022, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu dhe kryeministri Edi Rama inspektuan punimet për ndërtimin e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, pjesë e Korpusit Spitalor Universitar të Traumës.
“Afati është në maj sipas kontratës, por ne duam që ta përfundojmë në muajin shkurt (2023), sepse jemi bërë gati edhe me mobilimin spitalor të kësaj strukture të re”, deklaroi ministrja Manastirliu.
Postimi në Facebook i ministres Manastirliu
Por, në fund të muajit mars, ministrja e Shëndetësisë bëri një tjetër premtim, ku theksoi se ishte drejt finalizimit spitali i Sëmundjeve të Brendshme te Trauma, por nuk dha një afat.
Më 30 maj, Manastriliu njoftoi sërish ‘hapjen sw shpejti’ tw Spitalit tw Ri të Sëmundjeve të Brendshme në Spitalin Universitar të Traumës.
“Javën tjetër besoj do të hapim këtë spital, që do të shërbejë për sëmundjet interne, por edhe do të rrisë kapacitetet e trajtimit të pacientëve në Spitalin e Traumës”, tha Manastirliu.
Më 2 qershor, kryeministri Edi Rama njoftoi se spitali i ri do hapte dyert pas pak ditësh, duke shtuar se ky investim rrit standardin e kujdesit shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Por deri më 19 qeshor, sipas një verifkimi në terren nga Faktoje, spitali nuk i kishte hapur dyert, edhe pse punimet dukeshin krejtësisht të përfunduara.
Spitali i Sëmundjeve të Brendshme te Trauma, 19 qershor 2023
“Sot bënë inaugurimin, por nuk ka njeri aty brenda. Për momentin nuk ofrohet asnjë shërbim”, i tha Faktojes një punonjëse e spitalit të Traumës në datën 19 qershor.
Spitali i Sëmundjeve të Brendshme te Trauma, 19 qershor 2023
Edhe në një përgjigje zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, pas kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje, konfirmohej se deri në mesin e muajit qershor spitali nuk kishte nisur funksionimin.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë
“Kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e godinës tre katëshe të Sëmundjeve të Brendshme dhe ndërtimit të Urës Lidhëse me Korpusin Qendror në Spitalin Universitar të Traumës. Vlera e këtij investimi është 338,677,629 lekë me TVSH.
Shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme Nr.1 dhe Nr.2 si dhe Konsultat pranë këtij spitali do të vijojnë funksionimin, menjëherë pas përfundimit të procesit të transferimit të shërbimeve”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Pak orë pas verifikimit të Faktoje më 19 qershor, ministrja Manastirliu dhe kryeminstri Rama njoftonin se të nesërmen e asaj dite, më 20 qershor spitali i ri niste punën.
Screenshot, postimi i kryeministrit Rama
Ne shkuam sërish në terren më 22 qershor dhe nga verifikimi rezultoi se ky spital kishte nisur më në fund punën, edhe pse pati shkelje të disa afateve.
Spitali i Sëmundjeve të Brendshme te Trauma, 22 qershor 2023
Referuar informacioneve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme Nr.1 dhe Nr.2 ka një kapacitet prej rreth 60 shtretërish.
Spitali i ri është i dedikuar për shërbimet e kardiologjisë, pneumologjisë, neurologjisë, endokrinologjisë, hematologjisë, nefrologjisë, reumatologjisë dhe psikiatrisë. Për herë të parë do të përfshihet edhe një strukturë ambulatore me kapacitete të shtuara, duke lehtësuar edhe korpusin qëndror nga fluksi ditor.
Ky spital do të shërbejë për trajtimin e sëmundjeve të brendshme, duke shmangur kështu dërgimin e pacientëve drejt klinikave të QSUT, për të marrë kujdesin mjekësor që nevojitet për këto patologji.