Durrësi, qyteti i dytë për numrin e banorëve pas Tiranës ende nuk ka një bibliotekë dinjitoze, edhe pse janë premtuar dy të tilla. Biblioteka e vjetër që u çel në 1945 është një ndërtesë që rrezikon jo vetëm fondin e librave, por edhe sigurinë e lexuesve apo personelit për shkak të amortizimit ndër vite. Një përgjigje zyrytare konfirmon se asnjë operator ekonomik nuk ka paraqitur interes për projektet e ndërtimit të bibliotekave.
Ervina Kotti Garo
Dashamirësit e librit në Durrës prej dekadash janë në pritje të premtimit të përsëritur të kryebashkiakëve ndër vite, për një bibliotekë të re, me standarde bashkëkohore, i cili deri tani rezulton i pambajtur.
Godina aktuale e Shtëpisë së Librit në qytetin bregdetar është e njëjta e 77 viteve më parë, atëherë kur u hap për herë të parë.
Biblioteka e Durrësit, dhjetor 2022
Në shënimet e tij, në ditën e përurimit, drejtuesi i parë i saj, Vangjel Toçi shkruante:
“Më 10 shtator 1945, me 5 mijë libra dhe revista, në mes gëzimit të pjesmarrësve u inagurimi i Bibliotekës së parë të qytetit”.
77 vite më pas, Biblioteka e Durrësit ndodhet në të njëjtin vend, por ndërtesa është amortizuar.
Referuar shtypit të kohës, në 27 maj të 2010 një studente, që ishte duke lexuar u rrezikua, pasi u shkëput një copë suva nga tavani.
“Një studente nga Durrësi u rrezikua mbrëmjen e kaluar teksa lexonte në fondet e hapura të bibliotekës publike të qytetit bredetar, kur një copë suva e shkëputur nga tavani i godinës së amortizuar goditi në këmbë lexuesen 21-vjeçare.”- shkruante asokohe gazetari i ATSH.
Screenshot i lajmit nga ATSH
Premtimi për një bibliotekë të re nuk ka munguar në asnjë nga fushatat zgjedhore të kandidatëve për kryebashkiak të qytetit bregdetar, por deri më tani nuk është konkretizuar . Shumëfishimi i fondit në rreth 300 mijë tituj librash dhe periodikë, si dhe amortizimi i godinës e kanë kthyer në domosdoshmëri zbatimin e këtij projekti.
Pamje brenda bibliotekës së Durrësit
Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, kryetarja aktuale e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako premtoi se do të hapeshin dy biblioteka të reja në qytet, njëra te kompleksi i banesave sociale dhe tjetra në lagjen numër 4.
Ndërsa, në një intervistë të dhënë në 2 mars 2022 viti Sako u shpreh:
“Ky argument është trajtuar shpeshherë, pro dua që biblioteka të jetë në qendër të qytetit dhe do të shohim mundësitë për një objekt që të blihet apo të adaptohet për të transferuar atë pasur që tashmë kemi në një objekt të ri. Janë marrë masa për të ndërtuar biblioteka të vogla.”
Nga intervista e zbardhur e kryebashkiakes së Durrësit E.Sako, mars 2022
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nga verifikimet në terren dhe informacioni zyrtar për “Faktoje”, nuk ka shenja të nisjes së ndonjë projekti për bibliotekën e re.
Ndërkaq, lexuesit më besnikë, nxënësit e shkollave të mesme dhe pensionistët, e cilësojnë të domosdoshme hapjen e një biblioteke të re në Durrës.
“Vij çdo ditë këtu, për t’u njohur me shtypin e ditës dhe lexuar nga pak. Po më qan zemra për këtë vend, ku vija që i vogël. Kemi të njëjtën moshë.”- shton duke vënë buzën në gaz, por me shikimin e përlotur, 77-vjeçari, Aristotel K.
Për Jonën, nxënëse në gjimnazin “Naim Frashëri”, do të duhej më shumë se një sallë për të studiuar.
“Më pëlqen të studioj në bibliotekë, po këtu mungojnë kushtet!”- thotë ajo e keqardhur.
Edhe për një nga ish punonjëset veterane të bibliotekës së Durrësit, M.SH. ky vend plot kujtime duhet të ketë më shumë vëmendje.
E paprekur nga rrëmujat, ka mbetur një ndërtesë për të ardhur keq. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë janë ndërtuar biblioteka të reja, në Durrës jo. Nostalgji!”- përfundon ajo.
Ndërkohë, në kontratën sociale të lidhur mes Bashkisë Durrës dhe Shoqërisë Civile, e nënshkruar nga kryebashkiakja Sako, në 7 qershor të 2022, godina e re e Shtëpisë së Librit renditet në tre prioritetet e para.
Kjo kontratë duhet të përmbushet brenda një viti nga momenti i nënshkrimit.
“Faktoje” iu drejtua Bashkisë së Durrësit me një kërkesë zyrtare, në lidhje me këtë problematikë.
Në përgjigjen zyrtare, autoriteti vendor sqaron:
“Nga ana e Njësisë së Prokurimeve është zhvilluar procedura me objektin Hartim projektesh për biblioteka në lagje, procedurë, e cila është anuluar më pas, sepse nuk ka pasur asnjë operator ekonomik të interesuar për të marrë pjesë.”
Screenshot nga përgjigjja zyrtare e Bashkisë Durrës, dhjetor 2022
Mbështetur në këtë përgjigje, bibliotekat e reja në Durrës do të vazhdojnë të mbeten në kuadrin e premtimeve, që nxjerrin krye sa herë që afrojnë zgjedhjet vendore, nga të cilat na ndajnë më pak se pesë muaj.