Besimtarët hebraikë hasidikë në këtë video nuk po godasin një kukull me përmasa fëmije. Kukulla përfaqëson vezirin pers Haman, i cili u përpoq të shfaroste hebrenjtë e perandorisë, dhe varja e shëmbëlltyrës së tij ka qenë prej shekujsh pjesë e festës hebraike të quajtur Purim.
————————————-
Video e një riti hebraik po shpërndahet në rrjete sociale me aludimin se është një ritual ku një kukull që simbolizon një fëmijë goditet nga besimtarët.
Video e mësipërme duket se tregon një grup burrash me veshjen tradicionale ortodokse hasidike duke goditur një kukull që varet nga një trekëmbësh, e më pas duke vallëzuar të ngazëllyer. Postimi kryhet në këtë periudhë të sulmeve të ushtrisë izraelite në Gaza dhe akuzave ndaj saj për vrasjen e të miturve palestinezë mes mijëra viktimave të tjera civile.
Në pamje të parë, vëzhguesi që nuk është familjar me kulturën dhe ritet hebraike ky mund t’i duket një ritual i çuditshëm dhe shqetësues, në të njejtën mënyrë që venerimi i torturës së një burri gjysëmlakuriq të kryqëzuar mund t’i duket dikujt tjetër që nuk është familjar me ritet dhe kulturën e krishterë.
Faktoje e vendos këtë rit në kontekstin e munguar.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi disa video të të njejtit moment, të xhiruara nga kënde të ndryshme, të ngarkuara në Youtube në Mars 2016.
Ato mbajnë titullin “Festimi i varjes së Hamanit, Purim 5776” dhe “Varja e Hamanit gjatë leximit të Megillah Purim 5776”.
Purim është një festë hebraike dhe 5776 është viti hebraik që përkon me vitin 2016 në kalendarin gregorian.
Festa e Purim përkujton disfatën e një komploti që synonte shfarosjen e çifutëve nga një vezir i perandorisë perse, i quajtur Haman, siç rrëfehet në Librin e Esterit (i njohur gjithashtu si Megillah).
Kukulla në video, e cila varet nga një trekëmbësh dhe goditet nga besimtarët, nuk ka për qëllim të përfaqësojë një fëmijë.
Ajo përfaqëson pikërisht vezirin pers Haman, i cili, sipas tregimit, varet me urdhër të mbretit pers, pasi Esteri i tregoi se ajo ishte hebreje dhe Hamani kishte planifikuar shfarosjen e popullit çifut.
Që në shekullin V, ekzistonte tradita e djegies apo varjes së shëmbëlltyrës së Hamanit gjatë festimeve Purim. Megjithatë, sipas akivistit hebre nga Polonia, Piotr Kadlcik, kjo traditë ditët e sotme vazhdohet vetëm në pak grupe hasidike (një rrymë ultra-ortodokse e hebraizmit).