Kukulla gjigande Barbie në Dubai prodhim i Intelegjencës Artificiale

1221

Një video e krijuar në mënyrë digjitale që shfaq një Barbie gjigande pranë qiellgërvishtëses Burj Khalifa në Dubai po qarkullon masivisht në rrjete sociale duke shpërndarë teori konspiracioni.

Në fund të muajit korrik në rrjete të ndryshme sociale qarkulloi një video që tregonte një kukull gjigante me logon Barbie duke dalë nga një kuti rozë pranë rrokaqiellit Burj Khalifa në Dubai.

Videoja shoqërohej me këtë koment: “Barbie” pranë Burj Khalifa në Dubai. Po përgatiteni për Projektin Blue Beam me pushtimin e rremë të alienëve?”

Dhe ndonëse bëhet fjalë për një video të krijuar në mënyrë dixhitale, e cila përcjell lajme të rreme duk ju referuar një teorie konspirative krejtësisht të pabazuar, përdorues të ndryshëm vijojnë ta shpërndajnë atë.

‘Psikopatia e njerzve që shkojnë të shikojnë filmin me të njëjtin emër në kinema po kap qiellin njësoj si kjo Barbie që kanë projektuar në Dubai.#projektirrezjablu, shkruan një përdorues i rrjetit social Facebook në Shqipëri më 12 gusht.

Kolegët tanë nga Facta News kanë verifikuar videon në fjalë.

Para së gjithash, shkruan Facta News, duhet sqaruar se projekti “Blue Beam” është një teori konspirative, e cila, sipas faqes gjeorgjiane për kontrollin e fakteve Myth Detector, ekziston që nga viti 1994, vit në të cilin gazetari kanadez Serge Monast botoi librin Project Blue Beam (NASA) në të cilën u përshkrua kjo tezë. Me pandeminë Covid-19, kjo teori ka shënuar sukses të ri. Është një konspiracion i lidhur ngushtë me të ashtuquajturin “Rendi i Ri Botëror”, shprehje që i referohet teorisë së pabazuar të konspiracionit sipas së cilës një numër i vogël njerëzish me shumë ndikim sundojnë fshehurazi botën.

Teoricienët e konspiracionit besojnë se ky proces tashmë ka filluar dhe se në pjesë të ndryshme të botës elitat po projektojnë holograme, si ai që shihet në videon e kukullës Barbie, për të kryer “testet teknike” për simulimin aktual.

Në fakt, videoja që shfaqet në rrjete të ndryshme sociale është publikuar fillimisht më 20 korrik në Instagram nga agjencia e specializuar në prodhimin e përmbajtjeve kreative dhe mediave sociale Eye Studio, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Në përshkrimin e llogarisë thuhet se studioja është e specializuar, ndër të tjera, edhe në animacionet CGI, pra në krijimin e imazheve dhe animacioneve të krijuara në mënyrë dixhitale.

Në një intervistë me CNN, drejtori kreativ i agjencisë Juhi Rupani përshkroi (00:47) procesin krijues për krijimin dixhital të videos, duke thënë se “të gjithë e duan Barbie, kështu që menduam të bënim diçka për të”. Rupani shtoi gjithashtu se projekti kërkonte “dhjetë ditë punë” duke përfshirë një ditë të plotë për renderim, pra procesin dixhital për të finalizuar videon. Më në fund, drejtori kreativ sqaroi për CNN se videoja “nuk është reale” dhe se qëllimi i CGI është pikërisht të prodhojë imazhe jashtëzakonisht realiste.

Për më tepër, Warner Bros, shtëpia e prodhimit të filmit që shpërndau Barbie, u konfirmoi kolegëve të Reuters se kjo nuk është një fushatë zyrtare për filmin e drejtuar nga Greta Gerwig, i cili u shfaq në kinema më 21 korrik 2023 dhe i cili fitoi më shumë se një miliard dollarë.