Një skemë e rrezikshme mashtrimi, ku ofrohen valixhe me 236 lekë po qarkullon në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe të rreme, të cilat kanë qëllim që të marrin të dhënat private të qytetarëve, që nga të dhënat bankare e deri te fjalëkalimet e sigurisë.
Profile të shumtë në rrjetet sociale pretendojnë se kompania e çantave dhe valixheve ‘Samsonite’ po ofron valixhe për vetëm 236 lekë. Në postimet e shpërndara aludohet se firma ndërkombëtare ka mbyllur një nga qendrat e saj dhe për këtë arsye, po ofron produkte me këto çmime.
“Merr një valixhe për vetëm 236 lekë. Ashtu si shumë kompani të tjera, Sаmsоnite ndaloi së punuari me disa vende të Evropës Lindore dhe mbylli qendrën e saj të transportit me 20.000 valixhe. Për të promovuar modelin Prохis dhe për të liruar hapësirë në magazinë, 500 valixhe janë në shitje në Shqipëri për vetëm 236 lekë”, shkruajnë profile të ndryshme në Facebook.
Profilet në Facebook që kanë shpërndarë këto informacione
Mirëpo, nëse do të shohim komentet në këto profile vihet re se ka shumë komentues me emra të huaj, të cilët shtojnë më tej dyshimet se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.
Përpos kësaj, në komente vihet re qartë një “shqipe e çalë” dhe përkthim jo korrekt.
Screenshot, komente në rrjetet sociale
Faktoje vendosi që të ndjekë linkun për të marrë një valixhe të tillë. Sapo klikoni mbi website automatikisht aktivizohet antivirusi dhe të paralajmëron që ky link nuk është i sigurt.
Skema të tilla janë krijuar për të mashtruar qytetarët, për të marrë fjalëkalimet, detajet e kartës së kreditit dhe të dhëna të tjera private. Këto skema replikohen nga një vend të tjetër, duke përdorur dhe përkthimin automatik.
Faktoje verfikoi se në vitin 2022, kompania Samsonite njoftoi publikisht se një skemë mashtrimi për modelin e valixhes “Samsonite Proxis” duke këshilluar ndjekësit që produket të blihen vetëm në pikat e autorizuara.
Në lidhje me këtë skemë mashtrimi që po qarkullon këto ditë në Shqipëri, reagoi zyrtarisht edhe Policia e Shtetit. Autoritetet shqiptare u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre skemave.
“Nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë monitorimeve të kryera në burimet e hapura dhe në rrjetet sociale, me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike, janë konstatuar profile të ndryshme, kryesisht në rrjetin social “Facebook”, por jo vetëm, të cilat reklamojnë produkte që përdoren për udhëtim, me çmime shumë të ulëta, për të tërhequr vemendjen e sa më shumë përdoruesve”, njofton Policia.
Më tej sqaron: “Pavarësisht se gjuha e përdorur në shkrimet e publikuara është shqip, dyshohet se administratorët e këtyre profileve nuk janë shtetas shqiptarë.
Duke qenë se ka dyshime se në rastet kur përdoruesit e interesuar, vendosin të dhënat e tyre personale apo bankare, për të bërë porosinë për produktin e reklamuar, produkti nuk dërgohet në destinacion dhe të dhënat e paraqitura vendosen në posedimin e personave që kanë krijuar këto profile, ju këshillojmë që të siguroheni për autenticitetin e faqes apo të profileve që mund të shikoni, përpara se të kryeni porositë tuaja.
DVP Tiranë fton të gjithë qytetarët që mund të jenë të dëmtuar nga ky aktivitet, ose që konstatojnë faqe të tilla, të paraqiten në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në DVP Tiranë”.
Loja e rremë është denoncuar edhe nga “Qendra Alert”, duke u bërë thirrje konsumatorëve që të mos bien pre e saj.
“Mos u mashtroni! Mos klikoni asgjë, mos paguani. Dhe, mos pretendoni t’a bëni e t’ju vijë valixhja. Çdo qindarkë do të vidhet”, apelon kjo qendër.
Faktoje ka denocnuar edhe me herët “lojëra” të ngjashme, ku janë përfshirë kompnai të rëndësishme në vendin tonë, duke bërë që qytetarët të bien pre e këtyre mashtrimeve.