Pretendimi: Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se çdo qytetar mund të marrë deri në 87.000 lekë në muaj përmes platformës FortuixAgent
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
———————————————
Në rrjete sociale po qarkullon një faqe interneti, që imiton faqen e medias Top Channel, e cila përhap lajme të rreme duke i ftuar njerëzit të investojnë online në platformën FortuixAgent.
Për mos t’u mashtruar, lexuesi duhet të kontrollojë adresën e faqes, shënuar me të kuqe në imazhin e mësipërm. Në këtë rast, dallohet se adresa nuk i përket Top Channel, por nis me “tryafreeai.com”.
Më tej, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek platforma e reklamuar nga faqja. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe gazetares së Top Channel Grida Duma.
Në këtë intervistë të stisur, Rama deklaron se “vendi po fillon procesin e kthimit të taksave. Dhe se çdo qytetar mund të marrë zyrtarisht deri në 87,000 ALL në muaj.”
Mënyra për të përfituar këtë shumë, thotë ‘Rama’, është me anë të platformës së investimit FortuixAgent. Ai ka “mbajtur negociata të vështira me presidentin e platformës” dhe ka arritur “të biem dakord për hapjen e 4,000 llogarive sociale për qytetarët tanë.” Kështu “çdo qytetar mbi 35 vjeç mund të regjistrohet dhe të marrë të ardhura pasive në FortuixAgent.”
Si? Duke investuar 22,000 lekë në këtë platformë.
E gjithë kjo faqe dhe intervistë është stisur pikërisht për t’i manipuluar njerëzit që të paguajnë këtë shumë. (Ose më shumë. Sipas ‘Ramës’, “shuma minimale me të cilën programi mund të funksionojë është 22,000 ALL.”)
Nëse lexuesi nis të ndihet pak skeptik për këtë proces, ‘Duma’ shpejt e siguron se “nuk dyshoj aspak që kjo është e ligjshme, avokatët tanë e kanë verifikuar gjithçka.”
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e intervistës së pretenduar janë marrë nga Top Story e 8 majit 2025. Në emisionin gati 3-orësh Rama foli për një sërë çështjesh, por asnjëra prej tyre nuk kishte të bënte me ndonjë platformë investimi apo kthim taksash.