Pretendimi: Posta Shqiptare po shet pakot e humbura për 1€
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Një faqe në Facebook e quajtur Parcela e humbur Al pretendon se Posta Shqiptare po shet pakot e humbura për vetëm 1 euro.
Nëse lexuesi ndjek lidhjen e përfshirë në postim, dërgohet në një faqe interneti që i përngjan asaj të Postës Shqiptare. Për mos t’u mashtruar, lexuesi duhet të kontrollojë adresën e faqes, shënuar me të kuqe në imazhin e mëposhtëm. Në këtë rast, dallohet se adresa nuk i përket Postës Shqiptare, por nis me “gosdeal1.space”.
Një kërkim në rrjet me termin “godsdeal1” tregon se faqja ScamAdviser, e cila gjurmon skemat e mashtrimet në faqet online, vlerëson se kjo faqe me gjasa është skemë mashtrimi. Dy tregues të rëndësishëm janë fakti që pronari i faqes fsheh identitetin dhe që faqja është shumë e re. Profili Parcela e humbur Al gjithashtu është krijuar më 17 shtator 2024, dhe ka vetëm postimin e mësipërm, të po të njejtës datë.
Nëse ndjekim udhëzimet e faqes së rreme, i pëgjigjemi disa pyetjeve dhe shfaqet njoftimi i mëposhtëm, i cili na kërkon të zgjedhim një pako.
Kutia e parë që zgjodhëm rezulton të jetë bosh. Në përpjekjen e dytë, duket se zgjodhëm saktë.
Pas zgjedhjes së pakos së duhur, dërgohemi në një faqe ku duhet të plotësojmë të dhënat personale dhe të pagesës.
Në pjesën e procesit ku duhet të fusim të dhënat e pagesës, vëmë re një shënim në fund të faqes i cili na bën me dije se duke futur këto të dhëna ne në fakt po biem dakord që të faturohemi €38.95 çdo muaj.
Kjo është një mënyrë që mashtruesit përdorin për të zhvatur para nga përdoruesit e rrjeteve sociale, e përshkruar edhe këtu.
Shtatorin e kaluar Posta Shqiptare njoftoi zyrtarisht se identiteti i saj po keqpërdorej në një skemë të ngjashme në rrjetet sociale.