Rrjeti i supermarketeve Spar nuk po zhvillon lojë shpërblyese me rastin e ditëlindjes, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe dhe lojë të rremë.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se rrjeti i supermarketeve Spar po ofron dhurata për përdoruesit në rrjetet sociale, të cilët komentojnë në një publikim të tyre.
‘Për të festuar këtë ditëlindje, ekipi i SPAR Albania do të dërgojë 800 çanta dhuratë për këdo që shkruan: ‘Gëzuar Ditëlindjen’ në faqen tonë para datës 10 janar 2024”-shkruhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Vihet re se publikimi ka marrë mijëra komente dhe qindra shpërndarje. Për të informuar në mënyrë të saktë qytetarët, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të lojës së publikuar.
Fillimisht pamë burimin e informacionit, faqen që e ka shpërndarë atë. Nga kërkimi shihet se faqja ka 613 ndjekës në rrjetet sociale dhe ka vetëm pak publikime që janë të gjitha mbi këtë lojë “shpërblyese”.
Krahas postimit ka edhe një link ku kërkohet që të klikoni, por duhet të tregoni kujdes, qëllimi I këtyre linqeve është marrja e të dhënave të përdoruesve.
Ne verifikuam edhe faqen reale të Spar, e cila ka mbi 112 mijë ndjekës dhe ka postime të ndryshme që lidhen me produktet e këtij supermarketi.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë skema të tilla mashtruese nën emrin e rrjetit të supermarketeve Spar. Përfaqësues të kompanisë kanë konfirmuar se këto profile janë të rreme dhe nuk janë të lidhura në asnjë lloj mënyre apo të njohura zyrtarisht nga kompania Spar Albania.
Lexuesit duhet të bëjnë kujdes nga oferta të tilla në rrjetet sociale, ku skema mashtrimi përdorin identitetin dhe emrat e kompanive të njohura për përfitime të ndryshme.