Trajtimet tradicionale për largimin e gurëve në tëmth duhet të merren më rezerva. Një kurë kineze, me lëngun e mollës, e cila ndahet prej vitesh në portalet online rezulton se mund të sjellë më shumë pasoja se përfitime.
Këshillat mjekësorë në internet ngjallin interes dhe janë kthyer në një prej artikujve më të lexuar sidomos nga moshat e treta. I tillë është dhe një artikull që qarkullon prej kohësh në portale dhe sugjeron se si mund të zhduken gurët në tëmth brenda një jave.
“Metoda Kineze që largon gurët nga tëmthi për 7 ditë, hapat që duhet të ndiqni dhe përbërësit që u duhen”, shkruan portali “Pasqyra”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Në këtë artikull shpjegohen me detaje hapat që duhet të ndiqen gjatë një jave, sugjeruar nga një mjek kinez që quhet Lai Chiu Nan. Kura bazohet kryesisht në konsumin e lëngut të mollës, i cili zbut gurët dhe vajit të ulliri apo vajit të susamit, të cilët ndihmojnë në lubrifikimin dhe daljen e gurëve. Në pëfundim të një jave trajtimi të tillë, premtohet se gurët në ngjyrë të gjelbër do të dalin nga trupi së bashku me jashtëqitjen.
Artikulli, nuk heziton të rekomandojë se “Madje, edhe nëse nuk kemi simptoma të gurit në tëmth, nuk do të jetë keq të provoni këtë terapi natyrore, sepse pastrimi i tëmthit nuk mund të shkaktojë dëm.”
Nëse do të bëjmë një kërkim online shihet se i njëjti shkrim me këshilla mjekësore për të trajtuar gurët në tëmth është publikuar që në vitin 2013 dhe vijon të ripublikohet edhe në portale të tjera.
Por, sa funksionon kjo kurë?
Mjekët sqarojnë se pastrimi ose shpëlarja e fshikëzës së tëmthit me tretës oralë përdoret për të hequr gurët e tëmthit nga trupi. Në këtë rast, sipas doktor Altin Cekodhima, përdoren medikamente me përbërje të acidit biliar, por mund të duhen muaj apo vite të tëra trajtimi për të tretur gurët kolesterolikë.
Një prej sugjerimeve të kurës kineze është përdorimi i lëngut të mollës në pesë ditët e para të kurës. Vetë lëngu i mollës ka përmbajtje acidike, të ngjashmë me kripërat e lëngut të tëmthit, por megjithatë, kjo nuk është vërtetuar shkencërisht. Ekziston gjithmonë rreziku që gurët që stimulohen në këtë trajtim të sforcuar të bllokohen dhe të krijojnë më shumë dëme sesa përfitime.
Një tjetër produkt i përdorur në dietë është edhe vaji i ullirit. Kërkimet e bëra deri më tani theksojnë se: “Megjithëse vaji i ullirit mund të veprojë si laksativ, nuk ka asnjë provë që është një trajtim efektiv për gurët e tëmthit”.
Pretendimi tjetër në artikullin e portalit “Pasqyra” është se: “Ju do të gjeni gurë të gjelbër në jashtëqitjen tuaj ditën e shtatë”. Në fakt nuk janë gurë, por thjesht janë mbetje të vajit, lëngut dhe produkteve të tjera që janë konsumuar dhe që janë kthyer në formë sferike. Kjo mesa duket është dhe arsyeja përse trajtimi kinez mund të krijojë idenë se gurë të gjelbër dalin nga trupi.
Sipas ekspertëve, nëse gurët në tëmth nuk shkaktojnë shqetësime, zakonisht nuk kërkohet trajtim. Por në rast se këta gurë kërkojnë trajtim dhe keni shqetësime, është më mirë të konsultoheni me një mjek.
Trajtimi me kura të tilla bimore edhe pse mund të mos sjellë dëme në organizëm është i rrezikshmë për besimin e rremë që krijon tek pacientët në shenjat e para të problemeve, duke vonuar vizitat dhe trajtimin shkencor. Gurët në tëmth shkaktojnë inflamacion shumë të dhimbshëm, të quajtur pankreatik dhe mund të çojnë në infeksione të rënda dhe fatale.