Pretendimi: Mund t’i pastroni vetë enët e gjakut nga shtëpia nëpërmjet medikamenteve që blihen online
Verdikti: E pavërtetë
Artikuj të publikuar në faqe të krijuara enkas në formën e portaleve informative, ofrojnë një medikament që pretendohet se trajton problemet me enët e gjakut.
“Edemë, dhimbje muskulore dhe dhimbje barku: 3 indikacione të venave të bllokuara. Si mund t’i trajtoni vetë nga shtëpia?”- këshillon të gjithë lexuesit artikulli.
Në brendësi të shkrimit këshillat kthehen në formën e një marketing për një preparat të quajtur “Hyper Caps”, duke aluduar se zgjat jetën 11-17 vjet. Për ta bërë të besueshme këtë, ata kanë përdorur emrin e një mjeku të quajtur thjesht Hasan, I cili thuhet se mban pozicionin e Shefit të Universitetit të Mjekësisë dhe Farmacisë, shefit të Divizionit të Kirurgjisë Vaskulare, profesor i Kirurgjisë Neuro.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në një kërkim të bërë në faqet zyrtare të institucioneve shëndetësore në vend, nuk rezulton të ekzistojë një pozicionin i tillë në strukturat shëndetësore shqiptare. Për më tepër, nuk ka drejtues me emrin Hasan, që mban pozicionin e shefit të Universitetit të Mjekësisë.
Veç kësaj, artikulli i publikuar ka një sërë gabimesh logjike, çka tregon që është një shkrim i kopjuar dhe përkthyer nga faqe të huaja.
Të gjitha informacionet që na paraqet kjo faqe online, duke këshilluar “trajtimin nga shtëpia dhe jo drejtimin ndaj analizave dhe mjekëve specialist” kanë si qëllim shitjen e preparatit, duke përdorur një sërë elementësh për ta bërë të besueshëm për lexuesit. Ndërkohë, dekurajimi i lexuesve për t’iu drejtuar specialistëve për një problem serioz si bllokimi i venave është një këshillë që mund të sjellë pasoja për shëndetin.
Faktoje ka verifikuar një sërë skemash mashtrimi që bëhet nga faqe të ndryshme online, duke përdorur intervista me mjekë të rremë.