Ku ngeci amendamenti për minimumin jetik?

424
Ish kryeministri, Sali Berisha duke folur gjate nje takimi te thirrur prej tij me deputet e grupit parlamentar te PD.

Një ditë përpara se parlamenti të votonte rritjen e pagave për administratën dhe funksionarët e lartë shtetërorë, ish kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se do të dorëzonte në seancë një amendament për minimumin jetik. Por gati dy javë nga kjo deklaratë e Berishës, në Kuvend ene nuk ka mbërritur ky amendament. Zyra e shtypit të Partisë Demokratike, konfirmon se është në fazën e përgatitjes së një projektligj të posaçëm për minimumin jetik, që pritet të dorëzohet sipas saj, së shpejti në parlament.

Esmeralda Topi

“Katastrofën e pagave duhet ta fillonte nga minimum jetik. Kështu që mendoj të përgatisim amendamentin ta dorëzojmë dhe nesër kjo është tema jonë kryesore në Parlament.”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha më 24 maj, një ditë përpara se parlamenti të votonte ndryshimet ligjore për rritjen e pagave për administratën dhe zyrtarët e lartë.

Por angazhimi i zotit Berisha për të dorëzuar amendamentin e minimumit jetik gjatë seancës parlamentare nuk u mbajt.

Verifikimet e Faktojes tregojnë se parlamenti i miratoi në parim ndryshimet ligjore për shtesat në paga, por pa përfshirë ndonjë amendament të demokratëve lidhur me minimumin jetik.

Përmbledhje e rezultatit të votimit në parlament, 25 maj 2023

Për të mësuar mbi arsyet e mungesës së amendamentit të premtuar publikisht nga Z.Berisha, Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit pranë Partisë Demokratike.

Në përgjigje të interesimit tonë, zyra e shtypit pranë PD-së i tha Faktojes se demokratët nuk janë tërhequr nga propozimi për minimumin jetik, por janë ende duke punuar mbi të.

“Nuk ka një ligj për minimumin jetik në Shqipëri dhe po punohet për të në Departamentet e PD-së, atë të Ligjeve dhe Ekonomi-Financë. Më pas do të ketë një rakordim me Avokatin e Popullit, institucion që ka paraqitur në Kuvend një raport për minimumin jetik.”, sqaron zyra e shtypit pranë Partisë Demokratike, teksa thekson se pas këtyre hapave projektligji për minimumin jetik do të paraqitet në Kuvend për miratim si propozim i PD-së dhe z.Berisha.  Nisur nga verifikimi I kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që delaratën e zotit Berisha se do të dorëzonte në Kuvend amendamentin të nesërmen e 24 majit, ta kategorizojmë të pavërtetë.