Rruga rreth 1 km e Brestit të Sipërm në Dibër ende nuk është asfaltuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut Rahim Spahiu gjatë fushatës zgjedhore të një viti më parë. Banorët e fshatit i thane Faktoje se asfaltimi i kësaj rruge është premtuar disa herë, por ata vazhdojnë të presin realizimin e këtij investimi.
Dy javë para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu u zotua se së shpejti do të asfaltohej rruga e fshatit Brest i Sipërm.
“Asfaltimi i rrugës së Brestit të Sipërm, së shpejti do të jetë punë e kryer!”-premtoi Spahiu.
Postimi i kryebashkiakut Rahim Spahiu në Facebook
Në lidhje me këtë premtim të zotit Spahiu, ne iu drejtuam fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Institucioni na bëri të ditur se është bërë procedura e tenderimit, por ende nuk kanë nisur punimet.
“Sa u përket punimeve për asfaltimin e rrugës së Brestit të Sipërm, procedura e tenderimit është bërë dhe jemi në pritje të lidhjes së kontratës për fillimin e punimeve. Vlera e investimit është 16.666.667 lekë pa TVSH”, njofton Bashkia Dibër.
Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se kompania fituese është shpallur më 14 gusht 2024 dhe kohëzgjatja e kontratës është 2 muaj.
Verifikimi ne terren
Në verifikimin në terren që Faktoje bëri më 29 gusht në rrugën e fshatit Brest i Sipërm, konstatuam se ende nuk kishte nisur puna për asfaltimin e saj. Rruga rreth 1 km vijon të jetë një shqetësim për banorët e zonës, që e presin prej vitesh ketë investim. Sipas banorëve, në dimër është e vështirë të kalohet në këtë rrugë, për shkak të baltës dhe gropave.
“Dimër dhe verë nuk na ndahet balta dhe pluhuri në këtë rrugë. Besoj deri në fund të vitit do e kenë shtruar, të paktën kështu na është thënë. Jemi diku te 60 e ca familje që e përdorim këtë rrugë”, thotë Izeti, banor i fshatit Brest i Sipërm.
Banorë të tjerë të fshatit i thanë Faktoje se asfaltimi i kësaj rruge është premtuar disa here gjatë viteve, por nuk ka pasur asgjë konkrete deri më tani.
Në dhjetor të vitit 2023, Faktoje raportoi se rruga plot gropa e Brestit të Sipërm ishte kthyer në një makth për banorët e fshatit, sidomos gjatë dimrit.
Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës Brest i Sipërm do ta kategorizojmë ende të pambajtur.
https://www.facebook.com/reel/1676536466501387
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.